Klose-Adler, Gjermania në Botëror
Një gol i Miroslav Kloses në minutën e 35-të të takimit me Rusinë i ka dhënë Gjermanisë "biletën" drejt Botërorit 2010. Në Moskë ka mjaftuar një aksion i lindur nga këmbët e Podolskit, i vazhduar nga "turku" Ozil dhe i finalizuar nga "polaku" Klose, që të besuarit e Joakim Lëv të thyejnë rusët e drejtuar nga Gus Hidink. Për vendasit nuk mbetet gjë tjetër veç pengut për golat e shumtë të gabuar dhe pretendimit për një penallti të paakorduar nga gjyqtari Busaka në sekondat e fundit. Tjetër protagonist i gjermanëve ishte padyshim edhe portieri Adler, autori i të paktën tri ndërhyrjeve vendimtare. Për Rusinë shpresa e vetme mbeten ndeshjet "play-off".