E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Nuk ka drejtësi pa hetimin e Berishës dhe Bashës

Share

Kreu i opozitës deklaron se është i gatshëm të hetohet edhe ai për organizimin e 21 janarit. Ai u shpreh optimist se u zbardh një vrasje, por deklaroi se janë të tjera pa u zbardhur. Sipas tij, drejtësia nuk është e plotë nëse nuk zbardhet kush urdhëroi vrasjet. Rama shpreh shqetësim se Berisha e kërkon presidencën për të ndalur drejtësinë.

Kryetari i PS, Edi Rama, duke folur përpara grupit parlamentar, deklaroi se identifikimi i vrasësit të Faik Myrtajt, është lehtësues. Rama tha se është zbardhur një vrasje, por mbeten tre të tjera pa u zbardhur.

Në emër të grupit parlamentar dhe të PS përgëzoj prokurorinë për hapin e madh që u hodh dje në rrugën e drejtësisë për 21 janarin. Identifikimi i vrasësit të të ndjerit Faik Myrtaj, komandanti famëkeq i gardës që u kthye në një hordhi vrastare, është një lajm lehtësues. Mbeten tre vrasje të tjera për tu zbardhur. Edhe arrestimi i ekzekutorit të zhdukjes së provave filmike është një lajm i mirë.

Ne kërkojmë edhe në emër të familjeve të viktimave, edhe në emër të Shqipërisë evropiane, çuarjen e hetimit deri tek përgjegjësit e mëdhenj të hapjes së zjarrit, që nuk janë ekzekutorët, por urdhëruesit e tyre. E mbështesim 100 përqind prokurorinë në këtë hetim, tha Rama.

Ai komentoi edhe sulmet e Berishës mbi prokurorinë. Është shoqërisht e rrezikshme të kërcënosh kryeprokuroren dhe presidentin se do hetohen dhe ndëshkohen sapo të lënë detyrën. E ftoj opinionin dhe komunitetin ndërkombëtar që ta dëgjojnë me shqetësim këtë kërcënim mafioz. Kjo tregon se ai e synon presidencën për të ndaluar dorën e drejtësisë dhe për ta kthyer atë dorë në persekutore të kundërshtarëve të vet, u shpreh Rama.

Kreu i PS deklaroi se pa hetimin e Bashës dhe Berishës, drejtësia do jetë e paplotë. Berisha dhe ish- ministri i tij i Brendshëm duhet të ishin nën hetim. Nuk ka komandant garde që jep urdhër pa e marrë nga lart. Prendi mund të bëhet kokë turku, por drejtësia nuk mund të mjaftohet vetëm me arrestimin e tij. Pa ndëshkimin e urdhëruesve drejtësia do jetë e paplotë dhe vrasjet do mbeten të pazbardhura plotësisht.

Kryetari i PS foli gjatë edhe për kërkesën e prokurorisë për hetimin e tre deputetëve të PS.

Unë jam i gatshëm të hetohem bashkë me ta. Nuk e kuptoj se çfarë ka bërë secili prej tre deputetëve më shumë se unë në organizimin e demonstratës së 21 janarit. Unë dhe të gjithë deputetët jemi të gatshëm të hetohemi dhe të kontribuojmë në proces duke thënë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Prandaj i bëj apel prokurorisë që të na përfshijë të gjithëve, mua të parin, në hetimet e saj. Kam të gjithë gatishmërinë për të dhënë kontributin tim. Për më tepër që si kryetari i opozitës nuk kam asnjë imunitet. Heqja e imunitetit të tre deputetëve është për ne tërësisht e pamjaftueshme, ndërkohë që mbetet pa u hequr imuniteti i deputetit Sali Berisha. Nga ana tjetër, edhe në këtë rast qëndrimi ynë përkarshi imuniteteve për çdo çështje që i intereson prokurorisë është i shpallur dhe i njohur botërisht. Për çdo proces. Pa dyshim edhe për 21 janarin. Por nga ana tjetër, me gjithë mbështetjen për prokurorinë, them se pa hetuar Sali Berishën dhe Lulzim Bashën hetimi ngjan i padrejtë dhe i pajustifikueshëm, tha Rama.

Kreu i opozitës shprehu shqetësim edhe për vendimin e gjykatës për të lënë arrest shtëpie komandantin e Gardës. Nga ana tjetër, gjykata dha një tjetër provë të nënshtrimit të saj të plotë ndaj pushtetit të oborrit që mban peng Shqipërinë, që është drejtpërdrejt e infiltruar në vrasjet e 21 janarit. Arrest shtëpie në shtetin e bërë njësh me pushtetin do të thotë liridalje, mundësi për manipulimin e provave. Ne i bëjmë apel publik Gjykatës së Apelit të revokojë këtë masë të papranueshme dhe të pranojë kërkesën e prokurorisë për arrest me burg, tha Rama.

Personalisht hedh poshtë me përbuzje çdo akuzë të bërë ndaj Ina Ramës për bashkëpunim me opozitën apo me mua, u shpreh ai.

Në fund të fjalës, Rama u shpreh optimist dhe ka theksuar sërish se bota demokratike po mbështet zbardhjen e të vërtetës për 21 janarin.

Në tunelin e drejtësisë për 21 janarin është hedhur një dritë shpresëdhënëse. Ne do japim çdo kontribut që na takon. Mbështetja e botës demokratike, dhe e SHBA në radhën më të parë, janë një garanci e madhe se në këtë proces fundi të mos jetë i njëjtë me të tjera procese që e kanë njollosur rëndë drejtësinë, që e kanë zhgënjyer rëndë popullin shqiptar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›