E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon Arvizunë. Sekui: Hetimi të bëhet për ndërhyrje politike

Share

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui, ka deklaruar se kanë ndjekur deklaratat e bëra në lidhje me hetimet e 21 janarit. Hetimi duhet të bëhet pa ndërhyrje politike, ka deklaruar Sekui.

Deklaratat e Sekui janë bërë pas tryezës së organizuar nga BE Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri.

Në tryezë ishin të pranishëm edhe kryeprokurorja Ina Rama, ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, nënkryetari i KLD, Kreshnik Spahiu.

Halimi dhe Rama kanë shkëmbyer në distancë akuza. Ministri Halimi theksoi se gjyqtarë e prokurorë duhet të tregojnë me vepra ndaj taksapaguesve shqiptarë se puna e tyre është e vlefshme, transparente dhe e paanshme. Gjatë fjalës së saj në tryezë, kryeprokurorja Ina Rama shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe asistencën që Komisioni Europian po i jep sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Duke theksuar vështirësitë me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, prokurorja e përgjithshme deklaroi se në themel të vendosjes së drejtësisë mbetet vullneti. Është e vështirë të bëhet drejtësi por së bashku jemi të vendosur se drejtësia përcaktohet nga vullneti, deklaroi kryeprokurorja.

Ndërkohë presidenti Bamir Topi ka pritur ambasadorin amerikan, Aleksandër Arvizu.

Topi shkëmbeu mendime me zotin Arvizu lidhur me disa prej çështjeve më aktuale politike në vend, tek të cilat është përqendruar dhe debati publik i kohëve të fundit. Pavarësia dhe mirëfunksionimi i institucioneve të pavarura kushtetuese reforma në drejtësi, ligjet e nevojshme që kërkojnë një shumicë të cilësuar në Parlament, miratimi i Gjykatës Administrative, sfidat politike dhe ato të integrimit, me të cilat pritet përballja gjatë vitit 2012 si dhe situata në rajonin e Ballkanit ishin disa nga çështjet e diskutuara në këtë takim pune, thuhet në një njoftim të presidencës.

Në kuadër të trajtimit të tyre, Presidenti Topi dhe Ambasadori Arvizu nënvizuan rëndësinë e arritjes së rezultateve konkrete pozitive nëpërmjet bashkëpunimit konstruktiv mes të gjitha forcave dhe aktorëve politikë në vend, të bazuar në gatishmërinë, mirëkuptimin dhe vullnetin politik të palëve, të cilat, sidomos në këto momente, vlen të dëshmojnë vlera të kulturës dhe etikës politike demokratike në shërbim të mirëfunksionimit të jetës institucionale dhe të shtetit ligjor, vijon më tej njoftimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›