E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Ja problemet me ndërtuesit

 

Ministri i Punëve Publike Transporteve dhe Telekomunikacionit reagon një ditë pas deklaratës së Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë. Olldashi mohon të ekzistojë një problem mes ndërtuesve dhe qeverisë për shkak të një borxhi. “Vetëm dy ditë më parë Drejtoria e Rrugëve disbursoi fondin prej 2 miliardë lekësh për shoqëritë e ndërtimit dhe do të vijojë të bëjë një gjë të tillë sa herë të jetë e nevojshme”, tha dje Olldashi gjatë një konference për shtyp. Kjo deklaratë erdhi një ditë pas daljes publike të kreut të Shoqatës së Ndërtuesve, i cili u shpreh se qeveria i detyrohet shoqërive të ndërtimit 70 milionë euro dhe se pagesat e bëra ditët e fundit në masën rreth 20 % të detyrimeve, nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve nuk përmirësojnë gjendjen e situatës financiare të këtyre shoqërive.

FIB ul me 1% interesin për kreditë
Fibank ka reduktuar me 1% normat e interesit për të gjitha kreditë e reja në lekë dhe në euro, për individë dhe biznese. Bazuar në analizat financiare të kryera nga FIbank tendenca është e njëjtë në të gjitha tregjet ku kjo bankë operon. “Në vazhdimësi të politikës si një bankë fleksibël, e orientuar ndaj tregut dhe kërkesave të klientëve, ne kemi ndjekur këtë trend dhe do të vazhdojmë të monitorojmë dhe ta ndjekim atë”, tha drejtori i Përgjithshëm, Bozhidar Todorov. Sipas tij, Fibank është proaktive në procesin e kredidhënies në ekonominë shqiptare, duke konsideruar faktin që ky është roli kryesor i sistemit bankar dhe një mbështetje për rritjen e aktivitetit të së gjitha kompanive tregtare dhe prodhuese. Periudha e shtrëngimit të kredidhënies nga sistemi bankar duket se po kalon në favor të individëve, bizneseve, ekonomisë dhe natyrisht edhe të bankave, duke i fokusuar këto të fundit në rolin e tyre primar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›