E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Nuk pranojmë kompromis pa transparencë

Ekonomia dhe kauza e kutive, PS zgjeron frontin opozitar

Partia Socialiste rikonfirmon vullnetin e saj për kompromis politik lidhur me krizën politike. Nga Elbasani, kryetari i saj, Edi Rama, në vijim të turit të tij “Hap kutitë, liro vizat, çliro ekonominë”, ai i ka bërë një thirrje të hapur Kryeministrit të vendit për të pranuar ofertën e selisë rozë, e cila, edhe pse mbështetet në parimin e transparencës, është detyrimisht legjitime. “Ne jemi të gatshëm që ta zgjidhim këtë problem me një kompromis që i hap rrugë transparencës dhe jemi të gatshëm të merremi vesh që transparenca të garantohet. Sali Berisha duhet ta dëgjojë këtë apel dhe duhet ta kuptojë se thjesht po përsërit një gabim historik të tijin, duke i ikur të vërtetës, duke ju shmangur ballafaqimit me të vërtetën dhe duke menduar se ata që ka përballë do t’ia hapin rrugën. Ne nuk ia hapim rrugën përderisa ai nuk do t’i hapë rrugë transparencës që ne kërkojmë”, tha Rama. Me një kërkesë për transparencë, termat e së cilës janë bërë premisë e krizës dhe me disponimin për kompromis, më shumë se negociim në distancë ai ka bërë një deklaratë për konsum të brendshëm në parti. Kjo, pasi përfundimi i grevës së urisë duket se ka imponuar një tur sqarues për suksesin e saj të paperceptuar mirë. Angazhimi personal i Ramës në kontaktet me bazën janë edhe një masë për mbajtjen gjallë të frymës së mobilizimit përpara vjeshtës që pritet të jetë e nxehtë. Ekonomia është prekur në takimin e Elbasanit si një çështje tjetër, me të cilën opozita shpreson aksione të reja ndaj një kundërshtari që refuzon në përditshmëri të pranojë krizën. Lidhur me këtë, dje është shprehur edhe deputeti Arben Ahmetaj, i cili duke iu referuar vlerësimeve të Bankës Botërore ka nënvizuar recesionin ekonomik të Shqipërisë dhe krizën e besueshmërisë që qarkon aktualisht vendin. Duket se kjo situatë që vështirësohet përditë i jep oksigjen kauzës së transparencës, për sa kohë që të gjithë përfaqësuesit socialistë kanë vendosur barazimin mes manipulimit elektoral dhe papërgjegjshmërisë në qeverisje. Për këtë arsye, sipas Ramës edhe kompromisi kushtëzohet nga transparenca, të cilën Kryeministri synon ta asgjësojë. “...Nuk bëjmë asnjë kompromis që mbyll rrugën e transparencës”, tha Rama në mënyrë kuptimplotë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›