E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS do përfundojë rrugën Durrës-Kukës

Kreu i PS-së ishte dje në qytetin e Kukësit. Gjatë prezantimit të kandidatëve, ai i bëri thirrje kuksianeve, që të votojnë për PS-në


KUKËS- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama prezantoi dje kandidatët për deputetë të këtij qarku, që do të përfaqësojnë Kukësin, Tropojën e Hasin.


Fillimisht kreu i opozitës ka vizituar spitalin e Kukësit, ku është njohur nga afër me kushtet skandaloze të këtij spitali, dhe ka zhvilluar kontakte me të sëmurët.


Në vazhdim, Edi Rama ka mbajtur një bisedë në Televizionin Lokal të Kukësit ku i është përgjigjur pyetjeve të shumta të gazetarëve vendorë. Më pas, Edi Rama ka zhvilluar mitingun elektoral në sheshin para turizmit të ri nën hijen e blirëve.


Gjatë fjalës së mbajtur, Rama ka shprehur qëndrimin e tij, lidhur me rrugën Durrës-Kukës-Morin.


"Unë dua t'ju them, që në fillim se jam i lumtur që rruga Durrës-Kukës do të ofrojë Shqipërinë e maleve me Shqipërinë e deteve, por as kam qenë e as jam e as do të jem ndonjëherë i gatshëm të pranoj se për rrugën e kombit tyre, shqiptarët duhet t'i falin oborrit kryeministror, haraçin marramendës një grabitje, që nuk ka mal që e fsheh, nuk ka det që e mbulon, sepse me haraçin që oborri kryeministror u ka marrë shqiptarëve për rrugën e kombit të tyre, mund të ndërtoheshin nga e para të gjitha rrugët e qarkut të Kukësit, të çdo fshati të Tropojës, Kukësit dhe Hasit, të gjitha çerdhet, kopshtet dhe shkollat që u duhen fëmijëve të këtij qarku, të gjitha qendrat shëndetësore që u mungojnë të sëmurëve e të moshuarve në qark", - tha dje Rama.


Në vijim, kreu i selisë rozë premtoi se do jetë qeveria e socialistëve, që do të drejtohet nga vetë ai, që do të përfundojë rrugën Durrës-Kukës-Morin dhe shumë rrugë të tjera në këtë qark dhe në mbarë Shqipërinë."


Jemi ne që do e ndërtojmë siç do ndërtojmë për Kukësin e gjithë Shqipërinë një jetë më të mirë duke luftuar varfërinë, që në Kukës Tropojë e Has është 37% mbi mesataren kombëtare, papunësinë që në Kukës, Tropojë e Has është 58% mbi mesataren kombëtare, injorancën, që përmes analfabetizmit po bën kërdinë veçanërisht në fshat, ku fëmijët nuk kanë as libra për shkak të varfërisë dhe as shkolla për shkak të qeverisë", - tha ai.


Duke folur për liberalizimin e vizave, lideri socialist, Edi Rama deklaroi se ekziston rreziku që Shqipëria të izolohet edhe më tej me fqinjët, ku shqiptarëve do u nevojiten viza edhe për në Malin e Zi apo Maqedoni, pasi këto dy shtete do të hyjnë para Shqipërisë në BE.


"U bënë 18 vjet që politika e vjetër e të shkuarës na premton një Shqipëri pa viza, u bënë 18 vjet që emigrantët nuk hynë e nuk dalin dot nga Shqipëria si të duan e kur të duan dhe familjarët e tyre në Shqipëri jo e jo.


Sali Berisha premton përsëri se do të heqë vizat, ndërkohë sot Shqipëria ka mbetur e fundit, ka mbetur e vetme, ka mbetur jashtë programit të liberalizimit të vizave, jo për faj të shqiptarëve e as të Europës, po pikërisht të Sali Berishës, e kësaj qeverie të dështuar që di të bëjë vetëm biznes për llogari të familjes kryeministrore dhe të oborrit të shërbëtorëve, klientëve të pushtetit të kësaj familje"- tha Rama, duke premtuar se vitin e ardhshëm, nëse socialistët vijnë në pushtet me 28 qershor shqiptarët do të lëvizin në Europë pa viza. Ai u ka bërë thirrje të gjithë kuksianëve, hasjanëve e tropojanëve për të zgjedhur kandidatët socialistë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›