E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: PS do të ketë 30% gra në Parlamentin e ardhshëm

Edi Rama deklaroi dje publikisht se në Parlamentin e ardhshëm duhet të ketë 30% gra. Këto të fundit kishin ftuar kreun e opozitës në një takim në qytetin e Durrësit. "Problemi është që ta shohim çështjen e barazisë gjinore në një shtrirje shumë më të gjerë dhe për këtë besoj se këtu në këtë rreth, janë të gjitha aftësitë intelektuale dhe është e gjithë eksperienca, apo shqetësimet për të ndërtuar këtë proces propozimesh për programin e ri të Partisë Socialiste", tha Rama. Sipas tij, është shumë e rëndësishme që ne të shkojmë përtej kuotës në Kuvend. "Çështja është se si këtë strukturë përfaqësimi ta shtrijmë më poshtë, jo vetëm në Kuvend, në këshillat bashkiakë apo komunalë. Problemi është në të gjitha nivelet e përfaqësimit ekzekutiv dhe për të shkuar më tej në nivel administrate, jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat", vijoi ai. Rama shprehu bindjen absolute që edhe vetë varfëria, edhe vetë zhvillimi i egër pa qëndrueshmëri, edhe vetë mungesa e konkurrencës dhe transparencës së egër ku ne jetojmë, lidhet me mungesën e barazisë gjinore. "Një shoqëri më e ekuilibruar në aspektin gjinor, do të ishte në gjendje t‘i përballonte shumë më mirë këto sfida", u shpreh ai. Një forcë socialiste dhe progresiste, shtoi ai, është një forcë që në ADN e vet ka barazinë gjinore dhe luftën ndaj çdo lloj diskriminimi të çfarëdolloj natyre. "Unë, personalisht jam i vendosur që Partia Socialiste ta respektojë kuotën e 30%, duke llogaritur që të ketë në Parlament 30% të grave dhe jo në lista dhe pastaj kur të dalin të jenë të gjithë burra", tha Rama. Partia Socialiste e para, këmbënguli ai, duhet të angazhohet që kuota e grave dhe vajzave në listat e deputetëve të mos jetë hipokrizi dhe ligji të mos lejojë që në të njëjtën kohë kur e kërkon, i jep mundësinë për ta anashkaluar me një masë ndëshkimore qesharake.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›