Mediu: E djathta të bashkëpunoj për kodin zgjedhor
Republikanët kërkojnë nga PD-ja dhe aleatët e tjerë bashkëpunim për kodin e ri zgjedhor. Në kuadrin e organizimit të Partisë Republikane për përgatitjet për zgjedhjet parlamentare 2009, u zhvillua takimi i Asamblesë Rajonale të Qarkut Lezhë, ku ishte prezente Kryesia dhe grupi parlamentar i PR-së. Në fjalën e tij, kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, vuri theksin mbi zhvillimet e rëndësishme që po kalon Shqipëria. Mediu tha se, "qeveria e koalicionit të djathtë ka jo vetëm meritën për reformat e ndërmarra për integrimin në BE, ftesën e anëtarësimit dhe anëtarësimin e plotë në NATO, por dhe përgjegjësinë konkrete për të vazhduar me këmbëngulje në bashkëpunimin me shqiptarët dhe gjithë politikën dhe reformat e thella në shërbim të vendit". Ai me tej ka theksuar se "kodi zgjedhor duhet të miratohet sa më parë, me transparencë dhe partitë e koalicionit duhet të bashkëpunojnë në mënyrë institucionale, për të sanksionuar përgjegjësitë qeverisëse në të gjitha nivelet, por dhe bashkëpunimin elektoral dhe ndërtimin e një koalicioni, ku vota e shqiptarëve të përcaktojë peshën e çdo subjekti".