Veliaj: Qeveria mashtroi për tokën e parkut energjetik
Banorët e Porto Romanos kanë protestuar dje përkrahë aktivistëve të G99, nga Tirana dhe Durrësi, pranë tokave në Porto Romano që janë blerë nga biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazliç dhe që planifikohen të kthehen në një park energjetik. Erion Veliaj së bashku me aktivistë rinorë të G99 vizituan zonën dhe vendosën aty disa pankarta proteste, ku lexohej:" Korrupsioni 1 euro", "Zgjidhe mikun më të korruptuar se veten", "Shqipëria 1 euro vetëm për Fazliçët", "Porto Romano: shërbejmë vetëm për familjarë", "Një tokë sot, një TEC mot". Veliaj foli me banorët e zonës, të cilët shprehën shqetësimin se jo vetëm që transaksioni me tokën ishte bërë në mënyrë të pandershme dhe jo transparente për ta, por dhe që planet e qeverisë për të ndërtuar vepra energjetike në atë zonë nuk parashikonin sistemimin e familjeve që do të preken nga ky vendim. "Kanë ngelur vetëm 6 muaj deri në ndryshimin e qeverisë dhe ne kemi gjithë shanset që jo vetëm këtë padrejtësi, por dhe gjithë padrejtësitë e kësaj qeverie, të këtij Kryeministri t‘i sjellim përpara ligjit dhe drejtësisë", tha Veliaj.