Bushati: Qeveria mashtroi për vendet e punës
Socialistët konstatojnë se politikat ekonomike të punësimit në Shqipëri kanë dështuar pa prodhuar asnjë rezultat konkret në uljen e varfërisë në vend. Nënsekretari për programin, Ervin Bushati, deklaroi dje se kjo qeverisje nuk ka aftësi për të hapur vende të reja pune, sepse ka munguar një strategji e qartë për tregun e punës. Sipas tij, qeveria "Berisha" premtoi punësim të plotë; premtoi mbi 200 mijë vende pune të reja dhe sot, më pak se gjysma e shqiptarëve janë të punësuar. "Sot është koha që në fund të mandatit të kësaj qeverisjeje të papërgjegjshme t‘i kujtojmë asaj se jo vetëm nuk i është përmbajtur kontratës me shqiptarët, por përkundrazi ka shuar tek ata çdo shpresë për uljen e papunësisë dhe reduktimin e varfërisë në vend", vijoi ai. Teksa këmbënguli në faktin se sot qeveria nuk është e aftë të na faktojë një rast të suksesshëm punësimi të konsiderueshëm, që të ketë ardhur si meritë qeverisëse. "Shkaktarë kryesorë të kësaj situate të rënduar papunësie dhe varfërie, janë paaftësia qeverisëse dhe informaliteti madhor në ekonominë shqiptare", nënvizoi Bushati. Ai vlerësoi se pjesëmarrja në tregun e punës është tejet e ulët për gratë dhe të rinjtë, një e dhënë kjo e fundit mjaft kuptimplotë. Premtohet se në programin e ri të PS-së, rritja e punësimit dhe e shpresës në Shqipëri, do të jetë prioritet i qeverisë për të ulur nivelin e varfërisë në vend.