Bogdani: Rama i ofroi 500 mijë euro dhe vend deputeti Trebickës
Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka lëshuar akuzat më të ashpra ditën e djeshme ndaj kreut të PS-së, Edi Rama dhe kreut të G99, Erion Veliajt. Sipas Gerti Bogranit, kryetari i PS-së i ofroi të ndjerit Kosta Trebicka 500 mijë euro ryshfet dhe një vend të sigurt në listën për deputet për zgjedhjet e vitit 2009, me qëllim që Trebicka të jepte dëshmi të rremë. Zëdhënës i PD-së u shpreh më tej se i ndjeri Trebicka nuk pranoi këtë lojë të ulët interesash të ngushta. Bogdani tha se kjo tratativë për ryshfet u bë nëpërmjet kreut të G99-s, Erion Veliajt. “Pas 36 ditë mashtrimesh dhe trillimesh mbi vdekjen e një njeriu, Edi Rama në vend të kërkonte falje publike për manipulimin makabër; duke i konsideruar shqiptarët si hunj të kuq, deklaroi se ai nuk kish thënë ndonjëherë se Trebicka u vra. Kjo përbën një dëshmi tjetër të amoralitetit absolut të z. Rama. Partia Demokratike informon shqiptarët sa vijon; se Edi Rama nëpërmjet nënkryetarit të tij, Erion Veliaj, i cili me paratë e vjedhura nga organizata “Mjaft” ndërtoi vilën private, më pas mori me vete edhe kompjuterin e financave për të mbuluar gjurmët e tij; i ofroi kur ishte gjallë të ndjerit Trebicka 500.000 euro ryshfet dhe vendin në listën e deputetëve, nëse ai do të bënte një dëshmi të rreme për interesat e ulëta dhe të fëlliqura politike të z. Rama”, - deklaroi gjatë një konference për shtyp Gerti Bogdani. Në deklaratën për shtyp, Bogdani tha se pas vdekjes aksidentale të Trebickës, sipas tij, Rama tregoi “fytyrën e tij të vërtetë, duke mos fshehur as para tyre synimin e tij për ta përdorur këtë vdekje për qëllime politike”. “Por edhe pas vdekjes, z. Rama nuk iu nda përpjekjeve për të shpërdoruar aksidentin e tij dhe jo vetëm deklaroi se me vrasjen e Trebickës, Shqipëria u përdhunua, por z. Rama mobilizoi të gjithë pseudo-analistët mercenarë të tij, mediat që ai kontrollon, dhe për jave të tëra shpifën dhe trilluan se Trebickën e vrau qeveria. Mbi këtë akt makabër të profanisë dhe përdhosjes së kodit më sublim të shqiptarëve dhe mbarë njerëzimit, atij të vdekjes, z. Rama për qëllime karrieriste më të ulëta, thirri mitingun famëkeq, për të protestuar për vrasjen, sipas tij, të të ndjerit Trebicka”, - deklaroi Bogdani.