Kriza financiare, Banka Botërore bën thirrje për masa
“Evropa Lindore dhe Azia Qendrore nuk janë të imunizuara nga turbulencat e krizës financiare globale dhe kjo mund të prekë rritjen ekonomike të vendeve të këtyre rajoneve”. Ky ka qenë paralajmërimi i Bankës Botërore, i cili prek edhe Shqipërinë, duke dashur të kujtojë se një krizë financiare globale, edhe pse nuk mund të prekë direkt vendin, nuk të ketë pasoja ekonomike. Shigeo Katsu, zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, deklaroi se “në një lëvizje të shpejtë të krizës globale, mund të bëjë që edhe vendet e këtyre rajoneve të mund të preken nga ajo”. Katsu tha më tej se reformat ekonomike në këtë vend kanë bërë të mundur që të jenë më të integruara me globin. Ai u shpreh se në rast të një ngadalësimi ekonomik në Perëndim, mund të ndikojë në uljen e të ardhurave për emigrantët në të gjitha vendet e Lindjes. Nga ana tjetër, Pradeep Mitra, shefi i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore deklaroi se nga këto vende duhen të merren masa paraprake. “Mesazhi për vendet e Evropës Lindore dhe ato të Azisë Qendrore është që të ndjekin politika të nevojshme, për të qenë të përgatitura ndaj çdo të papriture në sistemin global financiar”, - tha Mitra. Gjithsesi, Banka Botërore mendon se fakti që këto vende nuk janë mirëintegruar në ekonominë globale, mund të jetë një fakt që do t’i shpëtojë ato nga kriza, por jo për një kohë të gjatë. Gjatë një raporti të publikuar në korrik të këtij viti, në lidhje me tranzicionin në Lindje, Banka Botërore vërente se ende këto vende, midis tyre edhe Shqipëria, nuk janë integruar mirë në konkurrencën globale. “Rritja e produktivitetit është më e lartë në firmat kur ato ndeshin një presion më të lartë nga konkurrentët vendas, për të zhvilluar produkte dhe tregje të reja; kur ata janë pjesë e industrive që mbështeten më shumë në financime të jashtme në vende me sektor financiar më të zhvilluar; kur rregullat janë më të parashikueshme dhe ka një besim më të lartë në sistemin ligjor; kur ata ofrojnë më shumë trajnime gjatë punës për punëtorët e tyre; dhe kur ka shërbime telefonike të zhvilluara dhe më pak ndërprerje të energjisë elektrike”, - ka deklaruar Mitra. Sipas raportit, rritja e produktivitetit, e vetmja mundësi për një rritje në vazhdim, varet nga krijimi i një mjedisi biznesi mbështetës, veçanërisht atij që nxit konkurrencën, sektori financiar të shëndoshë, mirëqeverisjes, aftësive të mira si dhe infrastrukturës. “Konkurrenca më e fortë, e cila do të lehtësonte konvergjencën në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, do të rriste gjithashtu shkurtimin e vendeve të punës në firmat shtetërore dhe të privatizuara. Pagesat e largimit, programet e ritrajnimit dhe rrjetat e mbrojtjes sociale për punëtorët e larguar mund të lehtësojnë konvergjencën, duke reduktuar koston sociale të saj”, - ka deklaruar Mitra. Raporti thekson se tashmë zhvillimi i punësimit mund të drejtohet më pak nga faktorë të tillë të trashëguar, dhe më shumë nga faktorë të tillë, si dhe nëse ka aftësi të tregut në punë që kërkohen nga punëmarrësit, të paktën në vendet e përparuara në tranzicion, p.sh. në vendet anëtare të BE-së.