E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Parlamenti jo legjitim, PS-ja raporte të kushtëzuara

01/09/2009  Kreu socialist sqaron pozicionin ndaj procesit zgjedhor

Partia Socialiste shfaqet e vendosur për të mos njohur parlamentin e ri të dalë nga zgjedhjet e përgjithshme. Por njëkohësisht zgjedhjet e parakohshme i sheh si të vetmen zgjidhje për të ndryshuar situatën në të cilën është futur vendi. Një qëndrim i tillë u ritheksua dhe një herë gjatë ditës së djeshme nga kryetari në detyrë i kësaj partie, Edi Rama. Në këtë mënyrë, duke mos hequr dorë nga ideja për të bojkotuar kuvendin e ri, Rama risolli sërish në bujtëse vendimin e Kongresit të jashtëzakonshëm të mbledhur pak ditë më parë mbi një çështje të tillë. “Kongresi ka qenë absolutisht i qartë dhe absolutisht i vendosur në konsideratën e legjitimitetit thellësisht të cunguar të çdo produkti institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t’i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit”, - vuri në dukje Rama. Sipas tij, PS-ja do të vijojë të ketë raporte të kushtëzuara me këtë kuvend. “Kongresi e ka përcaktuar shumë qartë Parlamentin e Shqipërisë si një institucion me legjitimitet thellësisht të cunguar, çka do të thotë se ky parlament nuk mund të jetë teatri i një farse demokratike. Me këtë parlament PS-ja duhet dhe do të ketë raporte të kushtëzuara nga fillimi deri në fund. Askush nuk mund ta kthejë PS-në në një zgjatim të dekorit pseudodemokratik të këtij parlamenti. Pra, është fare e qartë edhe autoriteti që Kongresi i ka lënë grupit parlamentar dhe forumeve të PS-së për të ushtruar sovranitetin e vet”, - nënvizoi Rama. Nga ana tjetër, kryetari në detyrë i PS-së parashtroi dhe arsyet se pse vijnë të tilla qëndrime. “Jam këtu për reagimin e turpshëm të pushtetit lidhur me një prej aspekteve më flagrante dhe njëkohësisht më alarmante të maskaradës zgjedhore, që është bashkëpunimi i pushtetit me një lukuni kriminelësh të nxjerrë nga burgjet për të ushtruar autoritetin e tyre mafioz në të gjitha ato zona ku janë përdorur për ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e zgjedhjeve”, - vlerësoi Rama. Për këtë arsye, kreu socialist deklaroi qartë qëndrimin e PS-së mbi zhvillimet e mëtejshme. “Sali Berisha duhet ta kuptojë se nuk i shpëton dot transparencës së plotë lidhur me këtë çështje duke e inkuadruar në çështje të procedurës administrative, aq më pak duke e lënë si një çështje që mund të merren nivele të tjera përveç tij. Sepse është ai vetë që e ka orkestruar grithë këtë maskaradë dhe janë autoritetet më të larta të pushtetit të tij, që e kanë organizuar hapjen e burgjeve me autorizime tërësisht të paligjshme për të përdorur autoritetin mafioz të një lukunie trafikantësh. Kjo është një çështje që nuk mund të tolerohet dhe është një çështje për të cilën PS-ja do të kërkojë transparencë të plotë”, - theksoi Rama gjatë fjalës së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›