E Diel, 1 Nëntor 2026

“Rama ka qëllim të pengojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve”

01/09/2009  Kryeministri Berisha e vlerëson të gabuar bojkotin e Parlamentit nga PS-ja

Kreu i qeverisë i bindur për fitoren e zgjedhjeve parlamentare më 2013

Kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar negativisht mundësinë e bojkotit të Parlamentit nga grupi i deputetëve të Partisë Socialiste. Për kreun e qeverisë bojkoti i Parlamentit është një llogaritje tërësisht e gabuar dhe fatkeqe e kryetarit të PS-së Edi Rama, i cili me këtë lëvizje bën një figurë shumë të keqe. Ai është shprehur se Rama me këtë lëvizje ka një qëllim të vetëm: të pengojë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë. “Ai e di që muajt që vijnë janë muajt e këtij vendimi dhe ai nuk e ka problemin te zgjedhjet, por po e përdor këtë për interesa tmerrësisht të ngushta personale”, - tha Berisha. Por sipas tij ministrat e Jashtëm të BE-së nuk do ta penalizojnë Shqipërinë vetëm për interesat personale të një politikani vendas. Kryeministri hodhi poshtë çdo lloj mundësie për krizë në miratimin e ligjeve, në rast se PS-ja do të bojkotojë Parlamentin. Berisha tha se koalicioni i ri qeverisës ka numrat e nevojshëm për të kaluar ligjet në Parlament. “Unë miratohem në Parlament si një koalicion me 74 deputetë. Kjo shumicë është e mjaftueshme për mua që të përgatisë fitoren e 2013-s. Kam bindjen se reformat për procesin e integrimit janë interesi më i mirë edhe i opozitës”, - tha Berisha. Ai shtoi se mbetet gjithnjë i hapur për një bashkëpunim luajal me opozitën.

Pozicioni i Presidentit

I pyetur mbi heshtjen e Presidentit të Republikës mbi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, Kryeministri Berisha ka deklaruar se përballja elektorale ishte për të përcaktuar mazhorancën e ardhshme parlamentare. “Zgjedhjet e 28 qershorit nuk ishin për Presidentin. Ato ishin për të caktuar parlamentin e ri dhe kryeministrin e ri”, - është përgjigjur Berisha. Shefi i ekzekutivit nuk donte të bënte asnjë koment tjetër në lidhje me qëndrimin e krekut të shtetit. Ai tha vetëm se nuk donte të bënte asnjë hamendësim. Kryeministri vetëm sqaroi procedurën që ndiqet për krijimin e qeverisë së re.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›