E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Përmbytjet, po tentohet të zhduken provat

Kreu i PS: Të dielën, në Asamble publikojmë të vërtetat
Partia Socialiste vë alarmin se përgjegjësit e përmbytjeve në veri të vendit po shkatërrojnë provat e korrupsionit të tyre, por ditën e diel, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, opozita do të tregojë para mediave faktet që, sipas saj, provojnë “Gërdecin e Veriut”. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në një komunikim me mediat mbrëmjen e djeshme, tha se njerëzit e përfshirë në këtë aferë korruptive që solli një kaos të vërtetë në Shkodër, po zhdukin provat që i bëjnë përgjegjës. “Sot jam këtu për t’u bërë një apel të gjithë atyre që janë përfshirë në ‘Gërdecin e Veriut’. Po përpiqeni të zhdukni provat që tregojnë se jo zemërimi i Zotit, po ju, njerëzit e paguar nga populli për të prodhuar energjinë elektrike, në poste kyçe drejtuese, politike e teknike, jeni shkaktarët e ‘Gërdecit të ujit’ që këputi në mes mijëra familje shkodranësh, zgjeroi e thelloi gropën e zezë të buxhetit të këtij shteti të shkatërruar, u faturoi të gjithë taksapaguesve shqiptarë një tjetër çmim të pamerituar të keqqeverisjes së Sali Berishës”, tha Rama, duke u bërë më tej thirrje që të mos e bëjnë dot këtë se është e kotë.
Kjo sepse, sipas tij, përgjegjësit e përmbytjeve nuk kanë arritur t’i bindin dot të gjithë ata njerëz që duhet të marrin pjesë në falsifikimin e tmerrshëm, pasi mesa duket nuk duan që të gjithë të përfundojnë në prokurori e gjykatë, si rrogëtarët e vegjël të Gërdecit me zjarr të 15 marsit 2008, ndërkohë që arkitekti i fabrikës së vdekjes është në krye të qeverisë. “Ndryshe nga Sali Berisha që shpif duke tundur letra që shkruajnë tjetër gjë nga çfarë ai thotë, unë nuk do të tund këtu asnjë letër, por do t’i ftoj të gjithë shqiptarët të ndjekin ditën e diel, në orën 10.30, prezantimin e provave të fajësisë së plotë të qeverisë shqiptare e të KESH-it, për mbytjen me ujë të mijëra shtëpive e hektarëve toka të mbjella, duke provokuar tmerrin e mijëra familjeve e ankthin e një populli të tërë për fatin e atyre fatkëqijve, për të cilët një tjetër lloj tmerri do të fillojë me rikthimin në shtëpi”, vijoi kreu socialist. Rama paralajmëroi të gjithë drejtuesit e strukturave që kanë përgjegjësi për prodhimin e energjisë dhe menaxhimin e saj, se mes tyre ka njerëz që nuk kanë pranuar manipulimin e provave, të cilat tanimë ndodhen në duart e opozitës.
“Ja ku janë, që të gjitha çfarë keni bërë me vetëdije të plotë, me sytë mbyllur, me veshët shurdh, me një gjakftohtësi karakteristike për veprimtaritë e organizuara kriminale, për të shkaktuar ‘Gërdecin e ujit’ duke u bërë shqiptarëve dhuratën më të zymtë teksa hynin në vitin e ri pa marrë as rrogat e vitit të vjetër. Ja ku janë provat edhe për gjithçka nuk keni bërë për ta ndaluar fatkeqësinë e duarve tuaja, sikur thjesht të kishit respektuar rregulloren perfekte mbi shkarkimin e plotave në hidrocentralet, dokument i shkruar njëzetedy vjet më parë nga profesorë të nderuar, që njëherë thatë nuk e njihni se keni rregullat tuaja, pastaj thatë e keni bibël”, theksoi kreu i PS-së.
Rama këmbënguli se “fatkeqësisht edhe atë bibël në duart e një prifti vetëm nga emri e të një xherahu, që ka zënë vendin e zotit në punët e këtij shteti të mjerë, e kthyet në një letër pa vlerë”. Në përfundim të fjalës së tij, Rama falënderoi publikisht, edhe pse jo dot me emër, ata njerëz që nuk u bënë pjesë e përpjekjes për fshehjen e provave përmes manipulimit të dokumenteve zyrtare dhe e nxorën të vërtetën nga rrethimi i pushtetit që jeton prej ditësh me ethet e zhdukjes së saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›