E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Po qeshte para kohe me këngën e largimit

02/03/2011  Kreu socialist “karshillëk” kundërshtarit të tij politik për postin e kryebashkiakut

“Jemi në këtë betejë më të vendosur se kurrë për të çliruar vendin nga regjimi vrastar”

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i drejtoi një mesazh kundërshtarit të tij politik lidhur me garën elektorale më 8 maj, e konkretisht në përballjen për kryesimin e bashkisë më të madhe në vend. Kështu, në bashkëbisedimin e tij me median, Rama preferoi që përmes fjalësh të përzgjedhura të mbajë pezull pozicionin e tij për përfshirjen në garën për drejtimin e bashkisë së metropolit shqiptar. Ndërkohë që lidhur me qëndrimin në vijim të partisë së drejtuar prej tij, kreu socialist i mëshoi me forcë faktit se PS do të vijojë të jetë në demonstrata deri në largimin e qeverisë “Berisha” dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Deklarata

“Mendoj që kjo është një çështje që do të zgjidhet në momentin e duhur, në tërësinë e gjithë këtij aspekti të procesit politik në të cilin është opozita. Po një gjë është e sigurt, që shumëkush në oborrin e regjimit po rend të buzëqeshë para kohe me këngën e largimit”, vuri në dukje Rama gjatë fjalës së tij, sa i takon kandidimit të tij për postin e kryebashkiakut të Tiranës. Gjithashtu, në komunikimin e tij me mediat Rama rikonfirmoi pjesëmarrjen e PS-së në zgjedhjet lokale të 8 majit. “Ashtu siç kam nënvizuar në të gjitha takimet dhe kontaktet me miqtë dhe partnerët e Shqipërisë, por edhe me opinionin publik, rinënvizoj edhe sot se bojkoti i zgjedhjeve vendore nga ana e opozitës është një ëndërr që Saliu, Iliri dhe kusarët me radhë e shohin prej kohësh, po nuk bëhet realitet”, u shpreh Rama, duke shtuar se “jemi në këtë betejë më të vendosur se kurrë dhe jemi sot më shumë se asnjëherë, pasi më shumë se asnjëherë sot Shqipëria e ka të domosdoshme çlirimin nga kthetrat e politikës së vjetër dhe armiqësore me shqiptarët e zakonshëm, që mishërohet në këtë regjim vrastar, kusarie e matrapazllëku”.

Qëndrimi

Kreu i PS-së, Rama, deklaroi prerë se “nuk ka asnjë dyshim se ne do të vazhdojmë rrugën e ballafaqimit frontal me këtë regjim, në të gjitha hapësirat ku mund të marrë jetë beteja për fitoren e kësaj kauze të demokracisë e të drejtësisë, pa të cilën nuk mund të ketë një rivendosje në rrugë të vet ekonomisë së vendit dhe familjeve të zakonshme të këtij vendi”. Sipas tij, ky ballafaqim do të vazhdojë me këmbëngulje dhe intensitet në rritje dhe padyshim edhe demonstratat do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen. Por nga ana tjetër, Rama rishprehu shqetësimin e PS-së se “zgjedhje në këto kushte nuk mund të zhvillohen”.

Apel

Kreu i PS-së, Edi Rama, bëri publik nga qyteti i Fierit vendimin për organizimin e një proteste më 15 mars në 3-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Duke bërë thirrje për pjesëmarrjen në protestën që do të mbahet në Tiranë, Rama u shpreh se “më 15 mars do jemi të gjithë bashkë në bulevardin Dëshmorët e Kombit, për të larguar këtë regjim vrastar. Saliu duhet dhe do të largohet, ky popull do zgjedhje të lira. Qeveria ka kryer tradhti të rënda dhe ne jemi e vetmja shpresë në këtë vend”.

Kërkesat

“Ne e kemi bërë të qartë që zgjedhje në këto kushte nuk mund të zhvillohen. E kemi thënë këtë në mënyrë të hapur, të sinqertë dhe krejt transparente edhe me të gjithë miqtë dhe partnerët e Shqipërisë dhe kemi nënvizuar vullnetin tonë për ti ndryshuar këto kushte, pa të cilat nuk mund të ketë zgjedhje jo më të mira se ato që u bënë në qershor 2009 e që e zhytën Shqipërinë në këtë krizë, po as si ato”, u shpreh Rama lidhur me këtë çështje.

Takimi

Kryetari i PS-së, Edi Rama, zhvilloi dje një takim me drejtuesit e partive të majta. Gjatë bisedës me ta mësohet se kreu Rama i ka informuar aleatët e tij lidhur me takimet e zhvilluara me përfaqësues të faktorit ndërkombëtar. Duke qenë se në fokus të bisedimeve ka qenë pikërisht kriza politike, Rama ka siguruar aleatët se kampi opozitar do të vijojë të ketë të njëjtin qëndrim ndaj mazhorancës qeverisëse. Opozitës së Bashkuar iu shtuan dje dhe aleatë të rinj.

Grupi parlamentar i PS-së

Raport për shkeljet e Topallit, e më pas komision hetimor

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste zhvilloi dje mbledhjen e tij të radhës, ku diskutoi mbi qëndrimin që ligjvënësit socialistë do të mbajnë ndaj kalendarit të punimeve në seancën parlamentare të ditës së enjte. Burime pranë këtij takimi bënë me dije se deputetët kanë shfaqur mjaft pakënaqësi lidhur me veprimtarinë e Kryeparlamentares Jozefina Topalli, e cila, sipas socialistëve, ka përqendruar vendimmarrjen vetëm në duart e saj. Një shqetësim i tillë mësohet të jetë ngritur nga deputeti i PS-së, Gaz Bizhga dhe ka qenë kreu i grupit kuvendor socialist, i cili ka propozuar që të hartohet një raport për të gjitha shkeljet e Kryetares Topalli nga ana e deputetëve Bizhga e Braçe. Pas hartimit të këtij raportimi, i mbetet grupit kuvendor që të vlerësojë nëse do të ketë baza një kërkesë për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, që do të hetojë Kryeparlamentaren Topalli. Ndërkohë që në seancën e nesërme deputetët e PS-së do të zhvillojnë vetëm debat politik dhe jo teknik për të gjitha çështjet e rendit të ditës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›