E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varet në qeli 10 orë pas lirimit

Pas një viti e gjysmë dënim në burgun e Shënkollit është nisur për në shtëpi, ku ishte i sigurt se askush nuk e priste. 

LEZHE/ ROLAND NIKOLLI

 Por vetëm 10 orë pas fitimit të lirisë një tjetër denoncim nga familjarët se ai po i kanoste ata me armë, e ka kthyer në dhomat e paraburgimit. Këtë radhë 64-vjeçari nga fshati Barbullonjë i Lezhës ka zgjedhur t'i japë fund jetës, duke u vetëvarur me lidhësen e të brendshmeve që mbante veshur. Ngjarja ku ka humbur jetën Gegë Gjoka, ndodhi në orët e para të ditës së djeshme në dhomën e paraburgimit të komisariatit të policisë së Lezhës. Sipas burimeve policore, trupi i pajetë i Gjokës është gjetur rreth orës 02:25 të së mërkurës. Të njëjtat burime pohuan se si lak, viktima kishte bërë lidhësen e të brendshmeve duke u varur në hekurat e qelisë. Një nga policët e shërbimit ka vënë re trupin e varur të 64-vjeçarit. Menjëherë ai ka ndërhyrë duke e ulur poshtë Gjokën, i cili kishte ndërruar jetë. Burimet sqaruan se viktima ishte shoqëruar në dhomat e paraburgimit vetëm 1 orë përpara ngjarjes.
Rreth orës 01:20 të së mërkurës një telefonatë nga familjarët e Gjokës e mbërritur në sallën operative të këtij komisariati ka lajmëruar se ai po kanoste me armë familjen e tij. Me të marrë njoftimin menjëherë strukturat e policisë kanë shkuar në banesën e Gjokës në fshatin Barbullojë dhe pas disa minuta negociatash bënë të mundur arrestimin e 64-vjeçarit, si dhe sekuestrimi i armës me të cilën po kanoste familjarët. Më pas ai është dërguar në dhomat e paraburgimit të komisariatin e policisë së Lezhës, në pritje për t'u marrë në pyetje në mëngjes. Burimet zyrtare të policisë sqaruan se gjatë shoqërimit në dhomat e paraburgimit janë kryer të gjitha procedurat e nevojshme, duke i hequr lidhëset e këpucëve, rripin dhe çdo objekt personal të cilën mund ta përdorte për qëllime vetëvrasëse, si dhe mbajtja konform ligjit e procesverbalit të shoqërimit. Por syrit të policisë i ka shpëtuar lidhësja e të brendshmeve të Gjokës, me të cilën ai ndërmori aktin fatal. Pas ngjarjes së rëndë një grup hetimor filloi punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të vetëvrasjes. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, është marrë në pyetje polici i shërbimit dhe njëkohësisht edhe përgjegjësi i dhomave të paraburgimit. Sipas tyre, ka qenë e pamundur të identifikohej lidhësja që kishte Gegë Gjoka në veshjet e brendshme të tij. Pritet që në pyetje të merren edhe familjarët e Gjokës, për të zbardhur se ku e ka siguruar armën dhe për rrethanat e kanosjes së tyre. Dy ditë më parë Gjoka kishte përfunduar dënimin me 16 muaj heqje lirie për kanosjen e familjarëve të tij. Në momentet e largimit nga burgu mësohet të ketë thënë para gardianëve se vajtja në familje ishte e kotë, pasi edhe pse kishte 7 fëmijë, askush nuk e kishte vizituar atë gjatë gjithë kohës në burg. "Kot po më nxirrni, unë nuk kam ku të iki, përderisa familjarët nuk kanë ardhur për të më takuar, ata sigurisht do të mbajnë të njëjtin qëndrim me mua, nuk do më lejojnë që të shkoj në shtëpi", ka pohuar ai.

Kush ishte viktima

Burime zyrtare të policisë së Lezhës sqaruan se Gegë Gjoka ka lindur në fshatin Tresh të Lezhës dhe aktualisht banonte në fshatin Barbullojë të po këtij rrethi. Duke iu referuar librit të regjistrimit të burgut të Shënkollit, mësohet se më datë 26 gusht të këtij viti, rreth orës 15:00 ai është liruar nga burgu, ku vuante dënimin me 16 muaj heqje lirie, për veprat penale të "armëmbajtjes pa leje" dhe të "kanosjes ndaj familjareve të tij". Ndërkohë bëhet e ditur se në vitin 1997, ai ka qenë i dënuar me 10 vjet burg, për veprën penale të vrasjes, pasi ka vrarë me armë zjarri nipin e tij. Gjoka ishte i martuar dhe kishte 7 fëmije, 4 djem dhe 3 vajza. Ai njihej si njeri problematik në zonën ku banonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›