Fiqirete Shehu, në listat e zgjedhësve 20 vjet pas vdekjes
Fatos Mahmutaj/ Afrim Imaj
Gjyq për të vdekur Fiqirete Shehun! Kjo është e vetmja mënyrë që i ka mbetur djemve të saj, Skënderit dhe Bashkimit, për të vërtetuar faktin se nëna e tyre është shuar në qeli gjatë kohës që vuante dënimin e dhënë nga Byroja Politike. Pak ditë më parë, Skënder Shehu, djali i madh i ish-kryeministrit të vetëvrarë në mënyrë të mistershme, pasi ka mbledhur të gjithë dokumentacionin e duhur bashkë me avokatin Përparim Rama, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, ku kërkon vërtetimin e faktit se e ëma ka vdekur. Tashmë janë bërë plot 20 vjet nga vdekja e gruas që kaloi një kalvar të mundimshëm për shtatë vjet me radhë nëpër burgje dhe procese gjyqësore, ku thërritej të dëshmonte sipas “oreksit” të punonjësve të sigurimit të shtetit, për të goditur të ashtuquajturit “armiq të popullit”. E arrestuar në Belsh të Elbasanit më 6 janar 1982, ku u internua pas vdekjes së të shoqit, Fiqirete Shehu do të mbyllte sytë në burgun Zejmenit në Lezhë, më 11 shtator 1988. Por, veçse në regjistrin e burgut, ku rëndom ajo identifikohej si “E dënuara numër tre”, vdekja e saj nuk do të pasqyrohej në asnjë dokument tjetër. Madje, as në regjistrin themeltar të zyrës së gjendjes civile. Kjo ka bërë që emri i saj të ndodhej në listat e zgjedhësve që afishohen para votimeve.
Dokumentet
Fillimisht Skënder Shehu është drejtuar në komunën Qendër në Belsh. Më datë 22 korrik 2008, ai ka marrë një certifikatë negative në këtë institucion, në të cilën është shënuar: “Unë i nënshkruari Bujar Myslym Hysa, punonjës i zyrës së gjendjes civile Belsh, nga verifikimi që bëra në praktikën përkatëse në regjistrin themeltar Qendër, numër 27 fleta 82, konstatova se zonja Fiqirete Shehu nuk ekziston e vdekur, por me shënimin larguar, me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Qendror të Partisë, Tiranë, numër 37 datë 15 prill 1991. E lëshojmë këtë me kërkesë të të interesuarit. Punonjësi i zyrës së gjendjes civile Belsh, Bujar Hysa”. Më tej, djali i madh i ish-kryeministrit të vetëvrarë në mënyrë enigmatike i është drejtuar zyrës qendrore të gjendjes civile në Elbasan, ku në një certifikatë, gjithashtu negative është shënuar: “Unë Joana Zengo, punonjëse e zyrës së gjendjes civile të rrethit Elbasan, pasi kontrollova aktet e vdekjes të vitit 1988 të Belshit, rrethi Elbasan, vërtetoj se aty nuk figuron i regjistruar akti i vdekjes së shtetases Fiqirete Abedin Shehu”. Po kështu, në kryeqytet në zyrën e gjendjes civile të njërës nga njësitë bashkiake është lëshuar një certifikatë personale e Fiqirete Shehut, në të cilën ajo rezulton e gjallë. Dokumenti është lëshuar më datë 29 korrik 2008, ku Fiqiretja rezulton e gjallë dhe e ve, ndërsa bashkëshorti i saj, ish-kryeministri Mehmet Shehu i vdekur.
Vdekja
I vetmi dokument me të cilin vërtetohet vdekja është ai i lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që mban datën 8 korrik 2008. Në vërtetimin, i cili është nënshkruar nga kryegardiani i vendit Gazment Dibra thuhet: “Me anë të të cilit vërtetojmë se zonja Fiqirete Abedin Shehu e vitlindjes ..., në bazë të regjistrit themeltar numër 6, me numrin rendor 128 është arrestuar më datë 6 janar 1982 dhe vdekur në burg më datë 11 shtator 1988. Lëshohet ky vërtetim me kërkesë të të interesuarit”. Tashmë, në bazë të këtyre dokumenteve, avokati Përparim Rama, i zgjedhur nga Skënder Shehu ka formuluar kërkesë-padinë, të cilën e ka depozituar në Gjykatën e Tiranës. Por, pushimet e verës të sistemit të drejtësisë kanë bërë që padia të mbetej e arkivuar në kryesekretarinë e institucionit. Në fillim të muajit shtator pritet që padia t’i nënshtrohet procedurave të shortit elektronik, pas të cilave do të caktohet gjyqtari që do e gjykojë këtë çështje.
Duro Shehu: Si u martirizuan familjarët e ish-kryeministrit
“Në pak kohë u shfarosën të gjithë. I pari u vra Mehmeti. Thanë vrau veten. Pak më vonë zhdukën Ladin, djalin e madh të tij. U hodh vetë në korrent, hapën fjalë zyrtarët. Të tretin vranë vëllain, Arshinë. U vetëvra, thanë për të. Fiqireten e helmuan në burgun e Zejmenit. Vdiq nga zoti, shkruan në raportin e degës. Mbi 20 familjarë e të afërm u syrgjynosën në burgje e internime. Një gijotinë e pashembullt...” Sakaq Duro Shehu, vëllai i ish- kryeministrit më jetëgjatë që këmbëngul për të zbardhur deri në fund përmasat e tragjedisë së familjarëve të tij, rrëfen për gazetën “Panorama” momentet më të vështira pas çastit kur Enveri dhe Nexhmija, siç kumton ai, kryqëzuan pabesisht Mehmetin...
Alibia e 17 dhjetorit
“Vetëvrasja e Mehmetit ishte alibi e Enverit dhe Panterës së Zezë”. Teksa pohon këtë Duro Shehu thotë se, ka qenë i pari që ka konfirmuar se të vëllain ja kanë vrarë pas shpine. Madje, siç shprehet e ka mësuar këtë të vërtetë, qysh në çastet kur ka shkuar te trupi i pajetë i të vëllait. “U kërkova rojeve t’i zbuloja plagët, t’i shikoja vrimat e plumbave, po ata më sikterrisën menjëherë prej andej”, kujton Durua momentet e dyshimeve të para, duke shtuar se, përvoja si ushtarak do ta bindte qysh atë natë për mënyrën si ishte vrarë Mehmeti. Për të vetëvrasja është vetëm një alibi që nuk e ka besuar asnjëherë. Argumentet e tjerë në përvijim të opsionit të vet, Duro Shehu i mbështet në rrëfimet e të kunatës, Fiqiretes me të cilën ka folur gjatë mbrëmjes së 17 dhjetorit ‘81. Ajo i ka shpjeguar se Mehmeti nuk i ka lënë të kuptonte se kishte ndërmend të vetëflijohej atë natë. Madje, vijon Duro Shehu, ai e kishte porositur për ta kujtuar që të nesërmen të shkonin për të ngushëlluar Hekuran Isain për vdekjen e të ëmës...
Terrori i 18 dhjetorit
Terroi ndaj familjes së Mehmet Shehut, sipas të vëllait, ka filluar që të nesërmen e varrimit. “Menjëherë pas ceremonisë mortore arrestuan Fiqireten”, kujton Durua, ndërkohë që citon funksionet e larta të saj si anëtare e KQ dhe deputete e Kuvendit Popullor. Në të njëjtën ditë përfunduan në prangat e policisë dy djemtë, Bashkimi me gjithë të shoqen dhe Skënderi që u kthye me urgjencë nga Suedia ku vazhdonte studimet. Ata u internuan në Belsh të Elbasanit. Po edhe aty, do të rrinin për pak kohë, shton i vëllai i Mehmetit, pasi do të riprangoseshin e do të dënoheshin për t’u bërë banorë të burgut të Burrelit. Më tragjik për Duro Shehun ka qenë fati i djalit të madh të Mehmetit, Vladimirit, i cili u internua në Gramsh dhe aty sipas tij, e vranë pas shpine. “Po, po, e vranë, këmbëngul Durua, që thotë se ka siguruar prova të patjetërsueshme për eliminimin e nipit të madh. “Dhe i vunë emrin se u fut vetë në kabinën e tensionit të lartë”, shton ai.
Lëndimi i të vdekurve
“Jo vetëm të gjallët, po Nexhmija, “Pantera e Zezë”, siç e quan të venë e Enverit, nuk do linte rehat as të vdekurit”. Duro Shehu kujton se tërbimi për të zhdukur nga faqja e dheut gjithçka që kishte lidhje me Mehmetin, i çoi deri te lëndimi i të vdekurve. I ka therur në shpirt kur ka mësuar për aksionin e fshehtë për të zhdukur varret e prindërve që kishin në Sharrë. Ndërkaq, bashkë me të mbijetuarit e tjerë, janë munduar për vite me radhë për të gjetur vendvarrimin e Mehmetit dhe Fiqiretes. Në rrëfimin e tij për “Panorama”-n, vëllai i kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta shton se njerëzit e policisë sekrete i kanë vrarë pas shpine vëllain tjetër, Arshiun, ndërkohë që të bijën, Shqiponjën që ishte rritur në shtëpinë e Mehmetit, e degdisën në internim në zonat e thella të Korçës. Një kalvar të tërë vuajtjesh, siç pohon Durua ka provuar edhe vëllai tjetër Nexhipi, të cilin e internuan familjarisht në fshatrat e Kavajës.