E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëzohet Ari Han, vijnë Bogdani, Berisha e Lika

Erjon Bogdani, Besart Berisha dhe Ilion Lika janë rithirrur në kombëtare nga trajneri Ari Han, për dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës, kundër Suedisë dhe Maltës. 

Të tre lojtarët munguan në grumbullimin e fundit të kuqezinjve, për ndeshjen miqësore me Lihtenshtejnin. Han e kishte paralajmëruar kthimin e Bogdanit e Berishës, megjithatë pa sakrifikuar asnjë nga sulmuesit e tjerë. Para ndeshjes me Lihtenshtejnin, holandezi tha se të gjithë ishin në planet e tij dhe me Suedinë mund të ndodhte që të thirrej Bogdani e të mbetej jashtë Kapllani ose Salihi. Në të vërtetë, që të tre janë në skuadër, së bashku me Berishën, duke e çuar në katër numrin e sulmuesve. Han ka thirrur të gjithë lojtarët që ishin me Lihtenshtejnin, plus tre të rikthyerit, duke e çuar në 21 numrin e kuqezinjve, ndoshta duke pasur parasysh se këtë herë do të jenë dy ndeshjet që do të përballen nga skuadra. Pikërisht për shkak është rritur edhe numri i portierëve dhe sulmuesve, përkatësisht në tre dhe katër. Për Ilion Likën do të jetë grumbullimi i parë me kombëtaren nën drejtimin e trajenrit holandez. Ai ishte i pranishëm në grumbullimin e kandidatëve kuqezi në Kemer të Turqisë në janar, por nuk u thirr në skuadër për dy ndeshjet miqësore që janë luajtur nën drejtimin e holandezit, kundër Polonisë më 27 maj, në Gjermani, dhe kundër Lihtenshtejnit, më 20 gusht. Lika e nisi edicionin e kaluar si titullar i Shqipërisë, me barazimin 2-2 në Bjellorusi, por në ndeshjen pasardhëse, kundër Rumanisë në “Qemal Stafa”, e humbi vendin në favor të Arian Beqajt. Disa muaj më vonë, pasi u përjashtua nga Dinamo, trajneri Oto Bariç preferoi të mos e thërriste fare në skuadër.
Transferimi jashtë vendit në kohët e fundit i Klodian Duros, Jahmir Hykës e Admir Telit ka ulur numrin e përfaqësuesve të kampionatit shqiptar në kombëtare. Nga 21 lojtarë të thirrur nga trajneri, vetëm katër luajnë në Kategorinë Superiore: Lila e Agolli të Tiranës, Vrapi i Elbasanit dhe Bakaj i Partizanit.

Shqipëria

Portierë
Arjan Beqaj
Isli Hidi
Ilion Lika
Mbrojtës
Armend Dallku
Kristi Vangjeli
Debatik Curri
Endri Vrapi
Andi Lila
Mesfushorë
Lorik Cana
Altin Lala
Klodian Duro
Ervin Skela
Admir Teli
Ansi Agolli
Elis Bakaj
Jahmir Hyka
Ervin Bulku
Sulmues
Edmond Kapllani
Hamdi Salihi
Besart Berisha
Erjon Bogdani
Trajner: Ari Han

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›