E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushaj nuk dorëzohet: Do të provojmë përmbysjen

 

Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, i ka hedhur dorashkën e sfidës Napolit, duke deklaruar se kuqeblutë do të luajnë me të gjitha forcat sot në “San Paolo”, duke synuar edhe të pamundurën. I intervistuar nga Radio Kiss Kiss Napoli, sapo ka arritur në qytetin e madh të Italisë Jugore, Fushaj është shprehur se për Vllazninë “do të jetë nder të luajë në Napoli, në stadiumin e Maradonës”. Presidenti kuqeblu ka bërë të ditur se skuadra e tij nuk vjen e dorëzuar, pavarësisht rezultatit të takimit të parë, ku italianët fituan 3-0 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. “E dimë që do të jetë e vështirë, por nuk vijmë të dorëzuar, - thotë Fushaj. - Kemi ardhur për të zhvilluar një ndeshje të mirë, e dimë që i kemi mundësitë ta bëjmë. Të përmbysësh humbjen 0-3 është një sipërmarrje e madhe, por pse mos ta provojmë?”. Fushaj vazhdon të mbrojë të njëjtën linjë se shifrat 0-3 të ndeshjes së parë ishin të ekzagjeruara dhe nuk pasqyrojnë realisht atë çka të dyja skuadrat dhanë në fushë, edhe pse ka vlerësuar Napolin si “skuadër shumë potente dhe e kujdesshme”. “Në ndeshjen e parë Vllaznia gaboi diçka, sidomos në pjesën e dytë. Për mendimin tim, ai 3-0 është rezultat gënjeshtar, sepse ne nuk e meritonim”, thotë presidenti i Vllaznisë. “Nga Napoli më pëlqeu Denis, shumë i fortë fizikisht dhe i shpejtë, Jeco dhe Paolo Kannvaro”. Më tej, në intervistën e djeshme radiofonike, presidenti shkodran u bën të ditur italianëve se në Shqipëri ka lojtarë që mund të luajnë në kampionatin e vendit fqinjë. “Ne në Shqipëri kemi lojtarë të mëdhenj që janë gati për të luajtur në kampionatin italian”, thotë Fushaj, edhe pse më pas vë në dukje se “niveli ynë teknik nuk është kompetitiv deri në atë pikë sa t’i bëjë të rriten në maksimum sportistët tanë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›