E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia, ministri Basha nën hijen e Jozefina Topallit

Ministri i Jashtëm më shumë prezent në tryezat formale të OJQ-ve. Kryeparlamentarja e rivalizon duke i mëshuar politikave të jashtme

Habjon Hasani
Mjaft t’i hedhësh një sy aktivitetit të ministrit të Jashtëm Lulzim Basha në këto gjashtë muajt e fundit dhe menjëherë kupton se numri një i Diplomacisë shqiptare më së shumti udhëton nëpër në konferenca OJQ-sh apo në vende që nuk kanë shumë lidhje me Shqipërinë. Por nëse axhenda e zotit Basha do të krahasohej me veprimtarinë e gjashtë muajve të fundit të kryeparlamentares Topalli, atëherë ”loja” do të bëhej edhe më interesante, pasi zonja Topalli në këto gjashtë muaj ka folur si askush tjetër për çështjet ndërkombëtare dhe për sfidat integruese të Shqipërisë. Duket se pragpavarësia e Kosovës (17 shkurt) nxjerr në pah dhe ”përplasjen” e axhendave të Bashës dhe Topallit, ku zonja e Parlamentit duket shumë e angazhuar në udhëtime nëpër Europë, deri dhe në Kinë, për të kërkuar mbështetjen për pavarësinë e Kosovës. Në ndryshim nga Topalli, në këtë periudhë ministri Basha rezulton të ketë qenë shumë i angazhuar në tryeza të ndryshme, të cilat duket se nuk kanë pasur asnjë lidhje direkte me pavarësinë e Kosovës, që pritej të shpallej nga momenti në moment.
Qoka
Në morinë e udhëtimeve apo takimeve të kryera nga ministri ynë i Jashtëm spikatin shumë tryeza, të cilat varijojnë që nga debatet në Konferencën Ndërkombëtare Islamike të zhvilluar së fundi në Senegal, deri te tryeza të tjera që lidhen me ”demokratizimin e Irakut”. Shembujt e sipërpërmendur janë vetëm dy, por ka edhe shumë tryeza të tjera të formatit ”OJQ”, në të cilat ministri ynë nuk ka munguar asnjëherë e për të cilat ka shpenzuar deri edhe në një javë kohë me qëndrimet e tij jashtë vendit. Në fakt, nëse u referohesh termave dhe informacioneve zyrtare të Ministrisë së Jashtme, dallohet menjëherë se kjo ministri nuk është se ka ndonjë plan-strategji të detajuar nga ku do të përcaktoheshin dhe natyrat e takimeve dhe vizitave. Për rrjedhojë, axhenda e ministrit ka ndjekur një trajektore tejet të çrregullt të takimeve dhe konferencave ku porsa kishte përfunduar një ”vizitë pune” në Libi, Basha menjëherë ka zhvilluar dialogun politik me Trojkën e BE-së, ndërsa katër ditë më vonë është nisur për në Senegal, për të qenë pjesëmarrës në Samitin e OKI-së. Sakaq, një pjesë e vizitave zyrtare të ministrit Basha në vendet e zhvilluara të Europës kanë qenë të sfumuara, pasi delegacioni kryesohej shpeshherë nga kryeministri Berisha.
Integrimi
Një moment shumë interesant lidhet me faktin se në gjashtë muaj ministri ynë i Jashtëm nuk ka asnjë përputhje në axhendën e tij me ministren e Integrimit. Ndërsa ”integrimi euroatlantik” është bërë refreni i të gjithë ministrave të kabinetit “Berisha”, duket se pikërisht dy ministrat më të lidhur me këtë çështje nuk kanë ndonjë plan-veprimi konkret. Jo vetëm që mungojnë vizitat e përbashkëta për çështje dhe objektiva konkrete, por në asnjë rast këto dy ministri nuk kanë realizuar qoftë dhe një tryezë të përbashkët lidhur me këtë çështje. Në fakt ”monopolin” e integrimit duket se e zotëron kryeministri i vendit, i cili ka qenë i vetmi faktor që është deklaruar organizator i këtyre tryezave të pakta që mund të jenë zhvilluar. Një fakt të tillë e ka përmendur në mënyrë të hollë dhe ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili pak kohë më parë deklaronte: ”Nuk do të më dukej e drejtë nga pikëpamja logjike të flitej për një diplomaci ‘Basha’, mund të flitet për diplomaci ‘Berisha’ në këtë periudhë, sepse është një dinamikë që Berisha po përpiqet ta kryesojë ai vetë”.

”TRYEZAT” E BASHËS
15.1.2008
Ministri i Jashtëm, z. Lulzim Basha, do të marrë pjesë në punimet e Forumit të Parë Vjetor të Aleancës së Qytetërimeve

8.2.2008
Ministri i Punëve të Jashtme. z. Lulzim Basha, merr pjesë në Konferencën për Politikat e Sigurisë në Munih

4.3.2008
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, priti ambasadorin e Sulltanatit të Omanit në Shqipëri

10.3.2008
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë pune në Libi

13.3.2008
Ministri i Jashtëm, z. Lulzim Basha, do të marrë pjesë në Samitin e OKI-së në Senegal

7.4.2008
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, do të marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët të Konferencës së 12-të të “Ekonomistit”, më 8-9 prill 2008 në Athinë

2 maj 2008
Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Lulzim Basha, mori pjesë nё Konferencën Ndёrkombёtare të organizuar nga Shoqata Atlantike e Politikaneve tё rinj, AAYPL

30.5.2008
Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, mori pjesë në Konferencën vjetore me temë “International compact with Iraq”, Stokholm, Suedi

AXHENDA E TOPALLIT

9 janar 2008
Topalli bën takime me ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës

27 shkurt 2008
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, priti në takim ambasadorin e ri të Indonezisë për Shqipërinë, Imanuel Inkirivang

27 shkurt 2008
Ambasadori i Sllovenisë, Topallit: “Mbështesim anëtarësimin tuaj në NATO. Së shpejti votojmë njohjen e shtetit të Kosovës”

4 shkurt 2008
Ambasadori i Letonisë në NATO, Topallit: “Zhvillimet impresionuese në vendin tuaj janë mesazhe shumë pozitive. Ambasadori Eichmanis garanton mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”

21 shkurt 2008
Ministri i Jashtëm i Letonisë, Topallit: “Sinjale pozitive për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”

12 shkurt 2008
Ambasadori i Bullgarisë: “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, i rëndësishëm për paqen në rajon e më gjerë”

7 shkurt 2008
Topalli takon kryetarin e Fondacionit, Konrad Adenauer.

7 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›