Berisha: Kritikat u bënë nga Rama, jo nga DASH-i
Kryeministri akuzoi dje mediat, se nuk kanë lexuar siç duhet raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit
Kryeministri Berisha, akuzoi dje mediat se nuk kanë lexuar siç duhet raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë. Sipas Kryeministrit, ndërhyrja e qeverisë tek gjyqësori dhe prokuroria është raportuar nga mediat, që kontrollon Edi Rama dhe jo nga Departamenti Amerikan i Shtetit. "Qeveria ndërhyri në hetimin në vazhdim në shpërthimin e 15 marsit në Gërdec, në magazinën e armëve"-, shkruhet në raportin e DASH-it. Ndërsa një paragraf më lart, shkruhet se, "gjatë vitit, qeveria u orvat të kërkonte kontroll më të madh ndaj institucioneve të pavarura, të tilla si gjyqësori, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe medias". Deklaratat e Kryeministrit u bënë gjatë inaugurimeve të disa projekteve infrastrukturore në rrethin e Lushnjës. Gjatë inaugurimit të punimeve në segmentin rrugor, që lidh qytetin e Fierit me autostradën Fier-Lushnjë, Kryeministri Berisha bëri një bilanc të arritjeve të qeverisë. Ai tha se vendi është kthyer në një kantier të madh ndërtimi, rrogat e mjekëve dhe arsimtarëve janë 2 dhe 3-fishuar, ndërsa pensionet kanë pësuar rritje 50 deri në 70 për qind. Kryeministri tha se përparësi kanë akset që shkurtojnë distanca, rrugët që lidhin zonat me detin, dhe ato zona që kanë popullatë të madhe, por pa braktisur asnjë. Ne shkojmë drejt mandatit të dytë dhe kërkojmë votën tuaj. Jo vetëm për këto që kemi bërë, jo dhe vetëm jo, por e kërkojmë votën tuaj, duke ju garantuar ju se 4 vitet që vijnë, do të bëjmë 4 herë më shumë. Se në këto 4 vjet ne kemi rritur në mënyrë të pakrahasueshme shpejtësinë e zhvillimit të Shqipërisë",- tha ai gjatë inaugurimit të fillimit të punimeve të rrugës Pushimi i Shoferit -Divjakë, e konsideruar prej Kryeministrit si një nga arteriet kryesore të Myzeqesë.