Meta: S’do jem i pari në listën zgjedhore
Aristir Lumezi
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha dje para Komitetit Drejtues Kombëtar se nuk do të jetë i pari në listat zgjedhore në zgjedhjet e 28 qershorit. Duke i kthyer përgjigje akuzave që vijnë nga PS-ja, Meta tha se këtë pozicion e ka mbajtur dhe në zgjedhjet e 2005-ës. “Vetë kryetari i LSI-së nuk ka qenë i pari në listën për deputet në 2005-ën, - besoj se e mbani mend që nuk e kam pasur fare emrin në listën e partisë, - dhe as kam ndërmend të jem i pari në listën për deputet edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, sepse mendoj se LSI-ja është krijuar në funksion të qëllimeve shumë më të mëdha sesa për të garantuar Ilir Metën apo cilindo tjetër që ka frikë nga e ardhmja, që nuk shikon përtej momentit, dhe për më tepër që shitet fare lirë”, tha Meta. Kreu i LSI-së duke iu referuar largimit të Esmeralda Uruçit për të shkuar tek PS-ja, tha se përfaqësues të kreut të bashkisë po joshin njerëzit me leje ndërtimi dhe para. “Hipokrizisë së kësaj politike po i del çdo ditë boja, ashtu sikurse dhe fasadave në qendër të Tiranës. Kjo çoroditje e tyre, por edhe identiteti ynë gjithnjë edhe më i fortë, rritja e besimit që kanë njerëzit ndaj LSI-së, i detyron sekserët e kryetarit të PS-së, që këdo përfaqësues të LSI-së që i del përpara, t’i premtojë leje ndërtimi dhe para kesh në dorë, pikërisht për të shtuar radhët e asaj që tashmë quhet Koalicioni i Bashkisë dhe i lejeve të ndërtimit”, tha Meta. Sipas tij, “nuk na vjen aspak keq për këtë rrugë që ata kanë zgjedhur, pasi i kemi paralajmëruar prej kohësh që rruga e kapjes është rruga e dështimit. Por padyshim që nuk mund të fshehim keqardhjen tonë për përdorimin e neveritshëm, të ndonjërit që më parë ka aderuar edhe në këtë forum të nderuar, sikurse është dhe rasti i znj.Uruçi. Kjo pa pikë turpi del në televizion dhe thotë që me Ilir Metën ndan pikëpamje të ndryshme. Ju e dini të gjithë që ajo ka qenë prej tre vitesh këtu si gjithë ju, dhe nuk besoj që keni dëgjuar ndonjë pikëpamje të ndryshme të saj jo vetëm me Ilir Metën, por me secilin prej jush”.
Mitingu
Meta i bëri thirrje të gjithë opozitarëve të marrin pjesë në mitingun “Berisha ik” në përkujtim të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. “Unë ju ftoj të gjithë juve, anëtarët, simpatizantët dhe gjithë opozitarët, që në 15 mars, pikërisht në njëvjetorin e ditës së tragjedisë të Gërdecit të bashkohemi me moton “Berisha IK”. Besoj se ky manifestim që do të zhvillohet në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë, do të jetë preludi i largimit dhe i daljes në pension njëherë dhe përgjithmonë të Sali Berishës, jo vetëm nga qeverisja e vendit, por shpresoj edhe nga politika shqiptare”, tha Meta. Duke folur për keqqeverisjen e djathtë, Meta tha se kjo qeveri po risjell të njëjta sjellje me institucionet ndërkombëtare si në vitin 1996. “Të gjithë flasin për krizë, FMN-ja, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, ekspertët, vetëm Berisha dhe Bode thonë jo. A nuk bënë këta të dy kështu edhe në kohën e piramidave? Ndaj ne jemi të bindur se situata aktuale nuk mund të fshihet, por ajo kërkon masa energjike”, tha Meta.