E Shtunë, 31 Tetor 2026

Karkalecat

Edmond Tupja 

Po e deklaroj që në krye: pavarësisht titullit të mësipërm që më grish ta zbërthej në dy pjesë, d.m.th. tri shkronjat e para më vete dhe pastaj të tjerat po më vete, unë nuk kam ndër mend t’i futem një analize erotikoministrore të dukurisë në fjalë. Përse kështu? Sepse nuk dëshiroj aspak t’i skandalizoj veshët e stërmoralshëm deri në dyllosje e hermetikë deri në shurdhim të disa prej lexuesve të mi të nderuar, që nuk më kuptojnë ose nuk duan të më kuptojnë.
Para disa ditësh, mësova, duke dëgjuar RFI-në, se shkencëtarët sapo paskan zbuluar arsyen që i shtyn karkalecat (një fjalë e vetme dhe e pandarë) të bashkohen për të formuar re të dendura shumëmilionëshe, të cilat shkatërrojnë sipërfaqe të tëra me bimë të kultivuara. Fajin na e paska serotonina. Kjo na qenka një lëndë që e prodhokan zorrët bashkë me indin cerebral dhe që shërbeka si ndërmjetës i veprimtarisë së sistemit nervor qendror. Te njeriu, serotonina veproka si rregullues i gjumit dhe e ndihmoka atë të luftojë depresionin. Kurse te karkalecat (një fjalë e vetme dhe e pandarë), serotonina, në disa kushte klimatike të veçanta, na zgjoka instinktin gregar, d.m.th. atë të grumbullimit në tufa.
Deri këtu jemi në lëmin e realitetit objektiv, por më shqetëson së tepërmi fakti i mëposhtëm: po sikur një ditë prej ditësh, të krijohen në Shqipëri, jashtë ose kundër çdo parashikimi rreptësisht shkencor, disa kushte ku serotonina të lajthisë duke shkaktuar te karkalecat (një fjalë e vetme dhe e pandarë) atë që shkakton sot te njeriu dhe, anasjelltas, te njeriu atë që shkakton sot te karkalecat (një fjalë e vetme dhe e pandarë)? Pa më të voglin dyshim, bimët e kultivuara do të rriteshin të qeta dhe të sigurta për të ardhmen e tyre të gjelbër e frytdhënëse, por çfarë do të bënin bashkatdhetarët e mi ose, të paktën një pjesë e tyre? Kujt do t’i vërsuleshin si mizëri e pafund duke iu bindur krejt verbazi instinktit të vet gregar?
Sidoqoftë, kjo është thjesht një fantazi e imja dhe asgjë tjetër. Ose, më saktë, gati asgjë tjetër. Përse kështu? Sepse kam përshtypjen që pikërisht kjo fantazi nuk më ka shkrepur fare kot në kokë: çdo fantazi njerëzore me shumë gjasë duhet të niset nga diçka reale, të paktën në momentin e ngjizjes së saj qoftë edhe të pavetëdijshme, pavarësisht zhvillimeve ose metamorfozave të mëvonshme. Rrjedhimisht, edhe fantazia ime e sotme duhet ta ketë një zanafillë objektive: për shembull, në vitin e mbrapshtë 1997, për shkak të disa kushteve të klimës ekonomikopolitike në Shqipërinë e asaj kohe, ca kategorive të bashkatdhetarëve të mi, serotonina u luajti një rreng dramatik duke u zgjuar instinktin gregar e duke i bashkuar në turma shkatërrimtare. Kurse, çuditërisht, bash në atë periudhë, në Shqipëri nuk u vu re asnjë dyndje karkalecash (një fjalë e vetme dhe e pandarë). A nuk mjafton ky fakt për të dëshmuar se fantazia ime e ka, gjithsesi, një bazë sado pak objektive?
Nga ana tjetër, tek shfletoja një fjalor të huaj për të ditur diçka më shumë lidhur me termin “serotoninë”, mësova se nga serotonina dilka melatonina, një neurotransmetues ky i sintetizuar në gjëndrën e epifizës dhe që luaka një rol kryesor në ritmet biologjike. Ky informacion më trembi seriozisht: lajthitjet e serotoninës me siguri që përcillen edhe te melatonina, çka do të thotë se ritmet biologjike rrezikojnë të ndryshojnë. Te karkalecat (një fjalë e vetme dhe e pandarë) dhe te njeriu në kuptimin më të përgjithshëm të këtij termi (homo sapiens), dihet ç’pasoja sjellin lajthitjet në fjalë, po te njeriu shqiptar (homo albanens) a mund të parashikohen këto pasoja? A ka ndonjë vaksinë për t’i parandaluar ato? Nëse po, cilët prej bashkatdhetarëve të mi duhen vaksinuar me përparësi, ata që, tashmë anonimë, bashkohen në turma po aq anonime, apo ata që i përpunojnë e i drejtojnë këto turma? Pikërisht në këtë drejtim duhet të hulumtojnë shumë seriozisht dhe sa më shpejt shkencëtarët tanë e të huaj me qëllim që bashkatdhetarët e mi ose një pjesë e tyre, kudo, sido e me këdo qofshin, të mos shndërrohen në karkaleca (një fjalë e vetme dhe e pandarë) të rrezikshëm për të tjerët, pra, edhe për vetveten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›