Patozi: Ndryshimet kushtetuese, jo pengesë për reformën
Kryetari i grupit parlamentar i PD-së u shpreh se është nisur mbarë realizimi i reformave
TIRANË- Propozimi i Partisë Socialiste për një pakt kombëtar lidhur me reformën në sistemin e drejtësisë nuk është i ri dhe i papritur për Partinë Demokratike. Një ditë pasi kreu i PS-së propozoi publikisht realizimin e një pakti kombëtar për reformën në drejtësi, Partia Demokratike ka reaguar zyrtarisht dje nëpërmjet kreut të grupit parlamentar, Astrit Patozi. Ky i fundit, duke iu referuar propozimit të PS-së është shprehur se, rezoluta për anëtarësimin në NATO e propozuar nga grupi parlamentar i PS-ë dhe e miratuar dy ditë më parë nga Kuvendi, peshon më tepër sesa çdo deklaratë politike që mund të bëhet. Sipas Patozit, më shumë sesa rezoluta apo pakti i propozuar nga Rama, ka rëndësi fakti që partitë politike e kanë nisur tashmë reformën në drejtësi. "Propozimi i zotit Rama, për ne nuk është as i ri e as i papritur. Besoj se është në të njëjtën linjë me rezolutën që ne e miratuam dje dhe unë besoj që rezoluta e djeshme peshon më shumë se çdo deklaratë apo çdo qëndrim e fjalim që mund të marrim ne si forca politike të veçanta apo si grupe forcash politike dhe, mbi të gjitha, më shumë se rezoluta apo pakti i propozuar dje ka rëndësi fakti që ne tashmë e kemi nisur me këmbë të mbarë reformën në drejtësi",- është shprehur Patozi, duke vënë theksin në fakti që, Komisioni i Ligjeve po punon për reformën me një nga shtyllat e saj: organizimi i pushtetit gjyqësor. Po sipas Patozit, paralelisht me këtë ligj është duke u punuar edhe për një platformë ku do të përfshihen të gjitha hapat që do çojnë përpara reformën në drejtësi. Ndryshimet e mundshme në Kushtetutë nuk shihen aspak si pengesë nga demokratët, përsa i përket reformës në drejtësi. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi deklaroi se për sa kohë që ka një konsensus të gjerë mes forcave politike, ndryshimet kushtetuese nuk do të pengojnë realizimin e reformave të rëndësishme për vendin, si reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore. "Unë besoj që nuk mund të jetë pengesë prekja e Kushtetutës për sa kohë që ka një konsensus kaq të gjerë të të gjitha forcave politike. Mos të harrojmë që ne kemi prekur Kushtetutën edhe për gjërat më të parëndësishme, jo për reformën në drejtësi dhe për reformën zgjedhore",- ka deklaruar Patozi.