Rama: Presidenti të mishërojë vullnetin kombëtar dhe jo të jetë noter partiak

Kryetari i opozitës, Edi Rama
Kryetari i opozitës, Edi Rama, pas takimit me trojkën e ambasadorëve ka mbledhur grupin e PS-së, ku ka folur për zgjedhjen e presidentit.
Të zgjedhim një president që të mishërojë vullnetin kombëtar dhe jo një noter partiak. Të zgjedhim një president që vendos interesin kombëtar mbi atë partiak, – tha kryesocialisti Rama.
Rama i ka bërë thirrje partive politike parlamentare të ulen në një tryezë për të diskutuar në lidhje me reformën zgjedhore, reformën parlamentare, heqjen e imunitetit dhe për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama ka theksuar se nëse ka vullnet politik zgjidhja e këtyre 4 çështjeve mund të bëhet brenda një dite.
Sipas kreut të PS-së, Edi Rama, mbledhja e tryezës së partive është urgjente dhe ajo synon të zgjidhë problematikat thelbësore për të cilat vetë BE-ja ia ka vënë si kusht Shqipërisë në rrugën e saj integruese në familjen evropiane.
Ai ka theksuar se, 4 pikat e paraqitura nga PS-ja nuk janë ultimatume, por zgjidhja e tyre është domosdoshmëri për të ndihmuar partnerët ndërkombëtar, që më pas ata të ndihmojnë vendin në provimin e vjeshtës për statusin e BE-së.
/E.L/