Rama: Programi im qeverisës
Aristir Lumezi
Kryetari socialist prezantoi dje pikat kryesore mbi të cilin është ndërtuar programi qeverisës i PS-së. Rama paraqiti dje para gazetarëve dhe në krah të bashkëpunëtorëve të tij, Beqja, Shamku, Manjani dhe Bushati atë që ai e cilësoi si “programin qeverisës dhe jo programin elektoral të premtimeve”. “Politika ka vuajtur mungesën e programeve qeverisëse, që është diçka tjetër nga një platformë elektorale, e cila në Shqipëri për gjithë këto vite ka qenë listë premtimesh për të marrë votat. Programi qeverisës është një instrument veprimi i qeverisë, si e tërë në të gjithë sektorët. Duke qenë absolutisht i bindur se nuk ka shpikje të mëdha për të bërë, por ka ide të reja që me modesti duhet të përbëjnë thelbin e një programi qeverisës”, tha Rama.
Kreu socialist dha dje dhe një detaj domethënës të programit të tij, që lidhet me taksat. “Nuk parashohim rritje taksash, por masa për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza e mohuar nga Berisha”, tha Rama. Programi përbëhet nga 1000 faqe, ka 100 masa me të cilën PS-ja beson se është gati të qeverisë që të nesërmen e fitores së zgjedhjeve. Programi qeverisës është i ndërtuar në shtatë pjesë, ku shprehet dhe vizioni i socialistëve për fushatën e ndryshme dhe daljen nga situata aktuale. “Një politikë e re për arsimin, një politikë e re për nxitjen e prodhimit vendas, si garanci për zhvillim e punësim, për fshatin, për shëndetin, për mjedisin, për turizmin si dhe në fund një politikë të re për kohezionin social e territorial të vendit, si garanci për mundësi të barabarta për të gjithë e zhvillim të harmonizuar mes të gjitha rajoneve të vendit”, shpjegoi Rama. Kreu socialist u shpreh se, “për të siguruar jetësimin e këtyre politikave, ne do të reformojmë qeverisjen, duke modernizuar qeverinë dhe demokratizuar marrëdhëniet mes individit e shtetit përmes një qasjeje të re ndaj procesit qeverisës”. Programi qeverisës do të sqarohet në detaje në një tur që do të zhvillohet në të gjithë Shqipërinë, duke nisur nga dita e sotme në qarkun e Lezhës. Kryesocialisti u shpreh se do të ketë ashtu siç ka pasur në procesin e “Dialogut me Shqipërinë”, takime dhe bashkëbisedime publike në të gjithë territorin e vendit. “Ndryshe çka kemi parë dhe çka është bërë deri më sot, është një program qeverisës, pra, është një instrument pune për qeverinë që do të krijohet nga fitorja e 28 qershorit, që do të thotë se jemi të përgatitur qysh të nesërmen e marrjes së mandatit për të drejtuar vendin, të formojmë një qeveri të strukturuar dhe njëkohësisht të orientuar përmes këtij programi, i cili është një ‘road map’ i mirëfilltë për qeverinë si e tërë dhe për të gjitha ministritë që do ta përbëjnë këtë qeveri”, tha Rama. Duket se çështja kryesore me të cilën partitë politike do të përballen në këtë fushatë do të jetë ekonomia dhe kriza ekonomike. “Besoj se ‘Thembra e Akilit’ sot për Shqipërinë dhe nesër për qeverinë e re, është kriza ekonomike, e cila nga një krizë ekonomike globale, është kthyer dhe po thellohet dita ditës si një krizë e ekonomisë reale shqiptare, të familjeve shqiptare dhe të sipërmarrjes shqiptare. Pa asnjë dyshim, kjo krizë ridimensionon dhe rrugën e punën që duhet bërë paralelisht me arritjen e atyre objektivave që ne i kemi vënë vetes”, tha Rama. Kreu socialist akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha për paaftësi ndaj një reagimi të shpejtë antikrizë. “Ne do të na duhet të reagojmë me shpejtësi maksimale qysh në momentin e parë të punës tonë dhe e them hapur për të gjithë popullin shqiptar, do të gjendemi në një situatë ku për shkak të kësaj papërgjegjshmërie, për shkak të mohimit të krizës dhe për shkak të shpenzimeve pa asnjë kriter e karar në kushtet e krizës, që sot po bën Sali Berisha dhe qeveria e tij, do të kemi të bëjmë me një punë shumë specifike për të përballur dhe eliminuar këto pasoja që po thellohen në vend”, tha Rama.
Drejtimet E programit qeverisës
Një politikë të re për arsimin, si garanci për integrim e punësim.
Një politikë të re për nxitjen e prodhimit vendas, si garanci për zhvillim e punësim.
Një politikë të re për fshatin, si garanci për sovranitetin ushqimor të vendit e punësim.
Një politikë të re për shëndetin, si garanci për cilësi jete e aftësi për punë.
Një politikë të re për mjedisin, si garanci për mbrojtjen e pasurive të përbashkëta e zhvillimin afatgjatë të vendit.
Një politikë të re për turizmin në Shqipëri, si garanci për rritjen e të ardhurave e punësimin.
Një politikë të re për kohezionin social e territorial të vendit, si garanci për mundësi të barabarta për të gjithë e zhvillim të harmonizuar mes të gjitha rajoneve të vendit.