Programi i PS, Beqja: S’do preket sistemi i taksave
Aristir Lumezi
Nënsekretari socialist për Programin, Ilir Beqja, një nga ekspertët e selisë rozë, që është marrë direkt me programin qeverisës të PS-së tregon për gazetën “Panorama” detaje të programit ekonomik, që socialistët do të zbatojnë menjëherë pas ardhjes në pushtet pas 28 qershorit. Beqja shprehet se socialistët do të mbajnë në fuqi sistemin fiskal aktual, gjë që është kërkuar dhe nga sipërmarrësit vendas dhe të huaj, por duke respektuar parimin e parashikueshmërisë në të. Sipas këtij parimi, do të shmangen ndryshimet e shpeshta, që qeverisja e djathtë i bëri ligjeve, që kanë të bëjnë me tatimet dhe akcizat, të cilat gjatë këtij mandati janë ndryshuar disa herë. Sipas nënsekretarit socialist për programin, qeverisja e re do të sigurohet që “sistemi fiskal mbështet zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare dhe lejon shpenzime publike për përmirësim të infrastrukturës së vendit dhe zhvillim të kohezionit social”. Duke e parë si pengesë në zhvillimin e biznesit, Beqja shprehet se PS “do të çinstalojë sistemin referencial të pagave, duke e bazuar sistemin tatimor tek vetëdeklarimi”. Nënsekretari socialist për programin jep alarmin për krizën ekonomike, që ka prekur vendin dhe denoncon injorimin që qeveria aktuale po i bën asaj. Sipas tij, pas 28 qershorit, do të ketë një inventarizim kapilar të situatës që do të jetë krijuar, ndërsa ekspertët pranë PS-së po ndjekin përditë zhvillimet në vend me gjithë informacion shumë të mangët, që jepet nga institucionet shtetërore. Duke e parë procesin e legalizimit të zonave informale si një detyrë, Beqja shprehet se sfida e socialistëve do të jetë urbanizimi i zonave informale. Duke e parë arsimin si prioritet, Beqja shprehet se ai do të zërë 5 për qind të GDP-së, ndërsa skema e sigurimeve do të përfshijë disa lloje sigurimesh si sigurimin për papunësisë ashtu dhe sigurimin e barrëlindjes, sigurimin e aksidenteve në punë dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor.
Zoti Beqja, sot kryetari socialist Edi Rama, gjatë prezantimit të programit qeverisës të PS-së, tha se ky program nuk parashikon rritje të taksave. Kjo do të thotë se nuk do të ketë as rishikim drejt uljes të atyre taksave, që janë konsideruar si barrë për qytetarët?
Në programin tonë ne nuk parashikojmë rritje taksash dhe as ndryshime thelbësore të sistemit fiskal në Shqipëri. Ne do të japim mesazhin e qëndrueshmërisë tek sipërmarrësit shqiptarë. Këtë kërkesë na e kanë bërë shumë sipërmarrës gjatë takimeve me ta, po ashtu edhe investitorë seriozë të huaj. Një nga parimet themelore të çdo sistemi fiskal është parashikueshmëria. Qeveria aktuale e nëpërkëmbi këtë parim. Në 4 vjet qeverisje të PD-së është ndryshuar 7 herë ligji “Për procedurat tatimore” e më pas është bërë një ligj i ri, është ndryshuar 8 herë ligji “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, është ndryshuar 7 herë ligji “Për akcizat”, është ndryshuar 10 herë ligji “Për tatimin mbi të ardhurat personale”. Mund të vazhdoja gjatë, por po ndalem këtu. Ne kemi të evidentuar edhe çdo vendim qeverie që ka ndërhyrë për taksat edhe në kundërshtim me ligjin, kemi evidentuar çdo udhëzim ministrash që në kundërshtim me Kushtetutën e vendit përcakton se sa taksë paguhet realisht dhe që hyn në fuqi me efekt prapaveprues. Ky kaos do të marrë fund. Ne do të sigurohemi që sistemi ynë fiskal mbështet zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare dhe lejon shpenzime publike për përmirësim të infrastrukturës së vendit dhe zhvillim të kohezionit social.
Çfarë do të bëhet me pagat e referencës. Programi qeverisës socialist, a parashikon heqjen e pagave të referencës për sektorin privat?
Ne do të çinstalojmë sistemin referencial të pagave, të numrit të së punësuarve edhe në gazeta, të çmimeve referuese të blerjes dhe shitjes, të çmimeve të pasurive të patundshme, etj. Sistemi ynë tatimor do të bazohet tek vetëdeklarimi. Do të luftojmë realisht informalitetin dhe evazionin.
Në rast se do hiqen referencat, kjo do të thotë se do të paguajmë më pak për tatimin mbi të ardhurat dhe sigurimet shoqërore?
U shpreha më lart se do të heqim referencat. Kushdo, do të paguajë aq sa është e përcaktuar në ligj dhe bazuar në sa janë të ardhurat e tij reale mujore nga puna apo nga shpërblime për aktivitete të ndryshme. Nëse deri më sot sipërmarrësit apo të punësuarit kanë paguar më shumë kontribute dhe tatim, kjo ka rritur artificialisht koston e fuqisë punëtore.
Po taksa e sheshtë do të hiqet apo do të qëndrojë ashtu siç është vendosur nga qeveria e djathtë?
Ne jemi shprehur kundër taksës së sheshtë në kohën kur ajo është miratuar, pasi ishte një barrë e re për shumë të punësuar. Kjo taksë pakësoi realisht të ardhurat e shumë shqiptarëve, duke thelluar hendekun midis njerëzve me të ardhura të ndryshme. Por, më lart u shpreha se e vlerësojmë të domosdoshme qëndrueshmërinë e sistemit fiskal. Ndryshimi i taksës së sheshtë do të kërkonte ndryshime të tjera, për të mos rënë në grackën e asaj që quhet arbitrazh fiskal. Shtresat e prekura nga taksa e sheshtë do të përfitojmë më shumë nga programet tona të reja përfituese, përfshirë përfitime për shëndetin e tyre dhe të familjarëve të tyre, për arsimimin e fëmijëve të tyre, për përmirësimin e mjedisit ku jetojnë, për rikualifikimin e tyre profesional etj.
Qeveria premton se do të rrisë pagat (nominale) dhe pensionet në muajin majin maj 2009, duke i dyfishuar ato sipas saj, krahasuar me vitin 2005. Programi qeverisës socialist parashikon rritje të pagës (reale) të buxhetorëve dhe pensioneve, meqenëse dhe vendi është përfshirë nga kriza ekonomike botërore?
Programi ynë, përmban edhe rritje reale të ardhurave nga puna, por edhe nga përfitimet sociale për shtresa të ndryshme në nevojë, përfshirë edhe pensionistët. Kriza do të prekë më shumë e më shpejt më të varfrit dhe ne padyshim do të mbrojmë fuqinë reale blerëse të këtyre shtresave.
Cila do të jetë paketa antikrizë e qeverisjes socialiste menjëherë pas ardhjes së saj në pushtet pas 28 qershorit?
Jemi të ndërgjegjshëm që vendit i duhet një paketë antikrizë. Kriza është tashmë këmbëkryq në ekonominë shqiptare dhe thellohet për ditë. Janë edhe 10 javë deri në zgjedhje dhe askush nuk e di se çfarë mund të bëjë kjo qeveri e papërgjegjshme deri në korrik 2009. Ekspertët pranë PS-së ndjekin përditë zhvillimet në vend me gjithë informacion shumë të mangët që jepet nga institucionet shtetërore. Gjëja e parë që do të bëjmë është një inventarizim kapilar i situatës që do të gjejmë. Krizat ekonomike kërkojnë përgjegjshmëri dhe sakrifica në emër të së nesërmes. Qeveria e Sali Berishës po e shfrytëzon për shpërdorime, abuzime dhe korrupsion.
Ligji i Legalizimeve është cilësuar në disa nene të tij antikushtetues, duke e bërë atë të vështirë për t’u aplikuar. Pas 28 qershorit, ky ligj do të abrogohet? Cili është vizioni i PS-së për këtë ligj?
Ndryshimet që iu bënë ligjit të Legalizimeve në vitin 2008, u shpallën nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetuese. Këto ndryshime kanë rënë nga fuqia në bazë të atij vendimi, kështu që nuk ka mbetur gjë antikushtetuese tjetër për të shfuqizuar. Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje me kërkesën tonë. Kërkesa jonë u pranua plotësisht, prandaj ne detyrën politike për të mos lejuar zbatimin e një ligji antikushtetues e kemi bërë që sot. Dua të sqaroj se për ne legalizimi është një proces i vonuar. Ky proces duhet të kishte përfunduar, të paktën, 2 vite më parë. Përfundimin e legalizimit ne e shohim si detyrë dhe jo si sfidë. Sfida jonë është urbanizimi i zonave informale. Urbanizimi është sfidë, sepse familjet shqiptare që kanë zgjedhur të jetojnë në këto zona duhet të kenë garanci se e drejta e zgjedhjes që kanë bërë në kushtet e shtetit pa rregulla, është e sigurtë edhe në shtetin me rregulla. Ata njerëz nuk duhet të jetojnë me mallkimin e zonave informale, por me nderin e të qenit qytetar në vendin, ku kanë zgjedhur të jetojnë. Prandaj urbanizimi është sfidë dhe ne do ta zgjidhim atë brenda mandatit të parë të qeverisjes sonë.
Ju përmendni 7 drejtimet themelore për qeverisjen, arsimin, shëndetësi, bujqësi, etj. Ç’pjesë të buxhetit do të zënë secila nga këto drejtime për realizimin e tyre? Pra, nga sa për qind të së ardhurave do t’i përkasin secilës?
Është e domosdoshme që ne të kemi zhvillim ekonomik të vendit, rritje të së ardhurave të shqiptarëve nga puna në vendin e tyre. Na lypet punë, punë e kualifikuar me të cilën arrihet vlerë e shtuar. Nuk mund të vazhdojmë të mbetemi vetëm vendi i fuqisë punëtore të lirë. Do të mund të shpenzojmë për ato programe që ju përmendni, nëse industritë shqiptare të manifakturës prodhojnë mallra konkurruese në botën rajonale dhe globale, nëse oferta jonë turistike bëhet pjesë e ofertës rajonale të Mesdheut, nëse bujqësia jonë zbut deficitin tregtar. Për të gjitha këto, duhet ndërhyrë në shumë drejtime, por ne çmojmë arsimimin si më të rëndësishmin. Prandaj kemi përcaktuar se do të rrisim vit pas viti shpenzimet për arsimin, duke arritur në vitin e fundit të mandatit në mbi 5 % të Produktit të Brendshëm Bruto.
Me ndihmë të Bankës Botërore ekspertë të qeverisë dhe opozitës kanë nisur debatin për ndryshimin e ligjit të Sigurimeve Shoqërore. Kjo nismë deri tani ka ngelur në vend. Ju do të bëni një ndryshim të skemës?
Debatin e nisur për reformën e pensioneve, qeveria e Sali Berishës e braktisi në mënyrë të njëanshme. Në fillimin e diskutimeve teknike, qeveria vendosi papritur të ulë përqindjen e kontributeve. Në programin tonë të ri kemi propozime konkrete edhe për pensionet. Propozime për pensionistët aktualë, për ata që kanë edhe jo shumë vite për të dalë në pension, por edhe për ata që janë në vitet e para të marrëdhënieve të punës. Propozimet tona përfshijnë edhe sigurimin e papunësisë, edhe sigurimin e barrëlindjes, edhe sigurimin e aksidenteve në punë, edhe sigurimin e kujdesit shëndetësor. Këto propozime do të prezantohen nga sot e në ditët që vijojnë, deri në fillimin zyrtar të fushatës elektorale.
Programi ekonomik i PS
Nuk do të preket sistemi fiskal në Shqipëri
Do sigurohemi që sistemi ynë fiskal mbështet zhvillimin e sipërmarrjes shqiptare dhe inkurajon shpenzime publike
Do të çinstalojmë sistemin referencial të pagave, të numrit të së punësuarve etj.
Sistemi ynë tatimor do të bazohet tek vetëdeklarimi
Do të luftojmë realisht informalitetin dhe evazionin
Shtresat e prekura nga taksa e sheshtë do të përfitojmë më shumë nga programet tona të reja përfituese
Masat antikrizë, inventarizim kapilar i situatës që do të gjejmë
Përfundimin e legalizimit ne e shohim si detyrë dhe jo si sfidë
Sfida jonë është urbanizimi i zonave informale
Arsimi do të marrë 5 për qind të GDP-së
Propozimet për skemën e sigurimeve; sigurimin e papunësisë, sigurimin e barrëlindjes, sigurimin e aksidenteve në punë dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor