LSI: Qeveria, shkaktare e varfërimit të shqiptarëve
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ndaj nismës së kryeministrit Berisha për ngritjen e një grupi pune për verifikimin e familjeve të varfra në Shqipëri. Kreu i KDK-së së LSI—së, Edmond Haxhinasto, e cilësoi si reagim të vonuar të qeverisë për nivelin e lartë të varfërisë në vend. Haxhinasto akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha se janë shkaktarët e varfërimit ekstrem të shqiptarëve. “Në katër muajt e fundit të qeverisjes së saj, kjo qeveri nuk e di akoma se një në çdo pesë shqiptarë jeton në nivelin e varfërisë ekstreme dhe se kjo qeveri e ka thelluar hendekun midis të pasurve dhe të varfërve. Në katër muajt e fundit të qeverisjes së saj, kjo qeveri nuk e di akoma se llogaritja e minimumit jetik bëhet me nivelet e çmimeve të para pesë viteve, pavarësisht nga rritja e tejskajshme e tyre. Nuk ka dyshim tashmë asnjë shqiptar se qeveria e gjoja ‘shërbimeve dhe e shërbesave’, pasi dështoi plotësisht me strategjitë e ‘kafshatës’, po e mbyll mandatin si qeveria e varfërimit të shqiptarëve”, - tha Haxhinasto. Ai theksoi se prioriteti kryesor i programit elektoral dhe qeverisës së Lëvizjes Socialiste për Integrim është pikërisht reduktimi i nivelit të lartë të varfërisë.
4 Shkurt 2009