E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Prokuroria ka vullnet për të vendosur drejtësi

14/02/2011  Kryetari i PS vijon vizitat e ngushëllimit tek të afërmit e viktimave të 21 janarit

Edi, Aneta dhe Linda në shtëpinë e Faik Myrtos në Cakran të Fierit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga bashkëshortja dhe e ëma, bënë dje vizitë ngushëllimi në familjen e Faik Myrtajt në Cakran të Fierit. “Me sa po duket deri tani, së paku ka një vullnet nga Prokuroria për të bërë drejtësi. Drejtësia është një domosdoshmëri jo vetëm për ju, por për të gjithë shoqërinë. Humbjen e babait nuk ua zëvendëson dot asgjë dhe askush. Ne jemi në dispozicion, shoqërisht, shpirtërisht për çdo nevojë dhe me gjithë sa mundemi”, - tha në fjalën e tij të ngushëllimit kreu i PS-së Edi Rama. Faik Myrtaj ishte një prej 3 viktimave të datës 21 janar. Ai humbi jetën në demonstratën e dhunshme të 21 janarit.

Disa ditë më parë kryetari I PS-së, i shoqëruar nga familjarët e tij, ishte dhe në shtëpinë e Hekuran Dedës, 36-vjeçarit nga Dibra. me banim në Laknas, edhe ky një nga personat që humbën jetën më datën 21 janar në të njëjtat rrethana si Faik Myrtaj. Gjithsesi, për viktimat në fjalë kreu i Partisë Socialiste ka akuzuar se janë vrarë me urdhër, megjithëse drejtësia ska thënë ende fjalën e fundit. Për viktimat e kësaj date Prokuroria ka hapur një hetim ndaj ushtarakëve të Gardës së Republikës që atë ditë kanë qenë me shërbim. Por viktimat e 21 janarit veç të tjerave kanë ndezur dhe debatin mes palëve. Nga ana e saj Partia Demokratike bën përgjegjës vetë Edi Ramën, se ai ishte organizatori dhe nxitësi i dhunës, që solli dhe vrasjen e katër njerëzve në këtë protestë. Nga ana e tij Rama akuzon kryeministrin Berisha, që sipas tij ka dhënë urdhër direkt për të vrarë katër demonstruesit, që ai thtë se ishin jashtë gardhit të Kryeministrisë. Gjithsesi, kjo çështje tashmë është në dorë të drejtësisë, ndërsa nga ana e saj politika po bën çështë e mundur që ta përdorë si kapital politik, qoftë me akuzat që hedh ndaj kundërshtarit, qoftë me spektaklin e keqardhjes që mundohet të na paraqesë herë pas herë.

Reagimi i PS-së

Partia Socialiste i dënoi dje deklaratat e kryetarit të LSI-së Ilir Meta në adresë të prokurores së përgjithshme Ina Rama. Deputetja e PS-së Olta Xhaçka tha se deklaratat dhe sulmet e Metës ndaj Prokurorisë tregojnë sikletin e tij ndaj hetimeve të hapura për korrupsion. “Vetëm një njeri i kapur me shpatulla pas murit me zë e me figurë teksa vjedh mund të veprojë si Ilir Meta, që nga njëra anë e fton Prokurorinë të hetojë, aga ana tjetër e sulmon atë paturpësisht”, - u shpreh deputetja Xhaçka.

PS sërish thirrje për demonstratën e 18 shkurtit

Beqja: Të dalim të protestojmë kundër privatizimit të pronave publike

Deputeti Ilir Beqaj ka denoncuar dje privatizimin e 1280 aseteve publike nga qeveria “Berisha”, në një kohë kur shqiptarët po hasin vështirësi gjithnjë e më të mëdha ekonomike. Ai ka deklaruar se shqiptarët do të protestojnë më 18 shkurt edhe kundër këtij korrupsioni dhe gjendjes së tyre gjithnjë e më të vështirë ekonomike. Beqja tha se më 18 shkurt shqiptarët do të protestojnë për rritjen e çmimeve, do të protestojnë 1 milion të papunët dhe 500 mijë shqiptarët që jetojnë nën pragun e varfërisë. “Më 18 shkurt do të protestojnë të varfrit, 500 mijë shqiptarë që jetojnë nën pragun zyrtar të varfërisë në Shqipërinë gjoja të mrekullive ekonomike të Sali Berishës. Më 18 shkurt do të protestojnë 120 mijë shqiptarët që i janë shtuar radhës së pafund të të varfërve vetëm në dy vjetët e fundit, në një kohë kur Sali Berisha planifikon vjedhjen më spektakolare të pasurisë së shqiptarëve duke plaçkitur 1280 prona publike. Më 18 shkurt kundër Sali Berishës do të demonstrojnë të papunët, ata 1 milionë shqiptarë që nuk kanë punë, sepse Sali Berisha dhe Ilir Meta me bllok në dorë vjedhin dhe grabitin pasurinë publike. Më 18 shkurt shqiptarët do tu thonë «ndal!» aferave të korrupsionit me bllok në dorë të pushtetit të Sali Berishës. Do tu thonë «ndal!» vjedhjeve, manipulimeve, grabitjes, korrupsionit e vrasjes së këtij pushteti, që vodhi votat për të vjedhur shqiptarët.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›