E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, historitë e dashurisë që u bënë legjenda

14/02/2011  Legjendat e mrekullueshme të Mali të Vashës, Tyrbës së Gocës dhe Vendi i Mirë në Krastë

ELBASAN- Histori Dashurie janë bërë legjenda e madje janë kthyer në vende pelegrinazhi për njerëzit që kërkojnë fatin, të rikuperojnë dashurinë e humbur apo të luftojnë nëpërmjet lutjes shërimin. Legjenda dashurie kanë lënë gjurmë të mëdha në historinë e zonave të ndryshme madje kanë mbetur edhe toponime duke ardhur deri sot si Mali i Vashës dhe Tyrbja e Gocës në Griqan të Labinot-Fushë dhe në dalje të Elbasanit në anë të lumit Shkumbin.

Mali i Vashës

Arif Cani 72 vjeç tregon historinë e Malit të Vashës së trashëguar brez pas brezi nga familja duke përcjellë edhe mesazhin e dashurisë së madhe që ka ekzistuar mes një çifti të rinjsh edhe pse ishin bijë beu dhe biri i një fshatari të varfër. “Ndoshta ishte e shkruar nga Zoti që një bujk, biri i një fshatari të varfër nga Griqani i Labinotit Fushë të binte në dashuri me vajzën e beut të kësaj ane. Fjala kishte marrë dhenë, se djali i pashëm i bujkut të varfër ishte dashuruar me vajzën e bukur e të pasur të një beu të madh të një ane tjetër po në Labinot Fushë, ku edhe është zhvilluar kjo ngjarje. Zilija bënte punën e vet dhe gojë pas goje një ditë fjala arriti në veshin e beut. I turfulluar dhe me inat në kokë beu i xhindosur kërkonte të bënte gjëmën. Dërgoi sejmenë dhe shërbëtorë që t`ia sillnin djalin, të dashurin e vajzës së tij para sysh. Ndërkohë që vajzës ia kishte zhuritur shpirtin me fjalët se nuk do ta lejonte kurrë një martesë që do ta turpëronte për jetë. Dha e mori, por nuk e nënshtroi vajzën e tij. Ajo me krenari rinore u betua para Zotit dhe para të atit të saj se nuk donte njeri tjetër në këtë jetë, veç djalit që i kishte fituar zemrën.

Fshati i tërë fliste për këtë dashuri të pazakontë, por të bukur, të padëgjuar, por të veçantë, që djali i një bujku të varfër të arrinte të donte vajzën e vetme e të pasur të beut të madh. Dhe ndodhi një çudi. Krenar dhe i mbushur me dinjitet djaloshar, biri i një familjeje të thjeshtë, por të pasur në dinjitet e në shpirt u paraqit pa iu dridhur syri beut në fjalë. Njerëzit e morën vesh, se haberi kishte marrë dhenë. Edhe pse me inat të sojit të tij, beu pranoi t`ia jepte vajzën këtij djali, por duke i kërkuar një kusht, që ai me vajzën në krah t`i ngjitej malit përpjetë deri në majë. Ishte një mal me një të përpjetë të madhe, por që djali e kishte ngjitur me dhjetëra herë dhe sia bënte syri tërr. Gjithçka u pranua dhe ashtu u bë. Të dy të dashuruarit u përqafuan faqe njerëzisë dhe, duke e marrë në krah, djali i mirë nisi betejën e kërkuar, duke marrë në krah vajzën që donte. Rruga nuk ishte e gjatë, por e thyera e malit ishte e hidhur. Dihatja e frymëmarrjes së vështirë nga pesha nuk e shqetësonte djaloshin që si me magji kishte realizuar ëndrrën e tij. Po ashtu dhe vajza e këndshme ia përkëdhelte dihatjen me fjalët e ëmbla që i fliste herë pas here. Kështu ngjitja për në majë po realizohej, siç dëshironte. Këtë çudi po e vështronin me kureshtje dhe ankth shumë banorë të fshatit Labinot Fushë, duke pritur se çfarë do të ndodhte. Vetëm kur ata të ishin në krye të malit që tashmë, sot e kësaj dite, mban emrin “Mali i Vashës”, do të kurorëzohej tërësisht një dashuri, edhe pse e pabarabartë në kushtet e jetës shqiptare. Por rruga drejt majës po bëhej e vështirë. Tashmë lodhja po bënte punën e vet. Zemra e djalit rrihte e rrihte pa pushim, si një maratonomak. “Edhe pak, edhe pak”, i fliste vajza në vesh dhe djali e dëgjonte sikur t`i flisnin zanat e malit të Çermenikës, të cilat djali i ëndërronte tek vajza që dashuronte. Vajza ia dëgjonte edhe rrahjet e zemrës, ajo e ndjente edhe gjakun që i vërshonte, ashtu siç edhe shikonte engjëllin e saj që lumturohej me të në krah.

Fundi erdhi. Djali e arriti majën, gëzimi për të u bë i pamatë. Pikërisht në këtë kohë ndodhi edhe tragjedia. Ai u shemb përdhe, sepse zemra i plasi duke vulosur një tragjedi. Ndërkohë vajza kujtonte se ai u shtri prej gëzimit, por shpejt kuptoi se një dashuri e bukur dhe e dëshiruar pafundësisht kishte marrë fund. Hidhërimi përshkoi tërë qenien e saj. Një britmë e madhe oshtiu në të gjithë luginën, duke çarë malet tejpërtej. Atë e dëgjuan të gjithë ata që për disa orë po ndiqnin me sy një nga ngjarjet e rralla të kësaj ane. Dhe vajza me zemër të thyer, me shpirt të përvëluar, me mendje të vrarë, hipën mbi shkëmb dhe si një zog i bukur mali hidhet që andej, vrik e përposhtë për të vdekur dhe ajo bashkë me të dashurin e saj.

Ishte një tragjedi që kish brenda dashuri. Të gjithë panë fundin e një dashurie të pakurorëzuar. Edhe beu i egër derdhi lot, jo vetëm për vajzën e tij, ndaj dhe kërkoi që të dy, si vajza dhe djali të varroseshin bashkë nën hijen e një rrapi, pikërisht atje në rrëzën e malit qe tashmë mban emrin “Mali i Vashës”. Sa herë që udhëtarët kalojnë përgjatë rrugës që shikohet me Malin e Vashës, të gjithë flasin dhe kërkojnë të dinë përse e ka emrin të tillë, por pa ditur se është historia e dy të dashuruarve përjetësisht.

Tyrbja e Goces

Djali ortodoks nga Shelcani me një shikim zemre ka fituar dashurinë e vajzës myslimane nga Shushica në trevën e Elbasanit, por dashuria e tyre nuk do të pritej mirë nga familja e vajzës. Prindërit e vajzës i ranë shkurt dhe kërkuan e gjetën një burrë për bijën e tyre. Askush nuk kishte forcë të ndalte këtë vendim kanunor, edhe pse askush nuk mund ti ndalte ndjenjat që ushqente djali i Shelcanit për vajzën e Shushicës. Por çdo gjë kishte marrë udhën e tragjedisë. Në ditën e dasmës mbi një kalë dhe shoqëruar nga krushq dhe dasmorë, vajzës iu prenë në mes ëndrrat dhe zemra iu bë katërqind copash. Fshehurazi djali e ndoqi kalin e bardhë të vajzës së zemrës, deri sa e kaloi edhe lumin Shkumbin. E dashura e tij e kaloi lumin, ndërsa ai vetë ndjeu për herë të parë një ligështi të madhe në anën tjetër të bregut. Ndërkohë që kali kishte prekur bregun e përtej lumit për në Elbasan, vajza kthen kokën dhe shikon për të fundit herë bregun e përtejmë, ku qëndronte i zhytur në ngashërime djali i zemrës së saj. Ai qëndroi dhe pak në këmbë dhe u shemb përtokë duke plasur në vend nga marazi i zi që e vrau përjetë. Si nëpër në një rrymë elektrike hidhërimi kaloi në anën tjetër të lumit dhe ndodhi ajo që nuk ishte parë dhe as dëgjuar asaj ane. Vajza ndjeu se zemra i pushoi dhe bie në tokë, e cila edhe ajo vetë ndjeu se ky engjëll i bukur ishte shuar përgjithmonë. Krushq e dasmorë panë njëri-tjetrin në sy dhe kuptuan se kishin dashur të shuanin një dashuri, por në fakt kishin vrarë dy njerëz që u deshën deri në shenjtëri. Që nga ajo kohë e deri sot ky vend do të quhej i shenjtë dhe emri “Tyrbja e Gocës” do të bëhej i njohur për të gjithë ata që dashuronin për të gjetur ilaçin e bashkimit të zemrave. Aty ndizen qirinj prej shumë kohësh, sikur digjen zemrat e dy të rinjve, djalit ortodoks nga Shelcani dhe vajzës myslimane nga Shushica. Ndërsa shumë të tjerë duke shkuar në Tyrben e Gocës kërkojnë të shpëtojnë dashuritë e tyre të zemrës duke shpresuar të marrin nga dashuria e madhe e dy të rinjve që nuk mundën të jetojnë pa njëri-tjetrin.

Vendi i mirë në Krastë

Vendet e mira duket se janë të lidhura ngushtë me legjenda të tilla që vijnë nga thellësia e shekujve deri në ditët e tona. Në Krastë, në periferi të Elbasanit ndodhet “Vendi i Mirë”. Me qindra njerëz shkojnë çdo javë, ndezin qirinj dhe luten për familjarët e të afërmit e tyre për ti shëruar nga sëmundjet dhe për fat. Historia e fatit duket se ka lidhje me një legjendë që lidhet me këtë vend shkëmbor. Haxhiri dhe Haxhireja janë dy personazhe që lidhen me këtë vend. Dikush thotë kanë qenë vëlla e motër, dikush tjetër të dashuruar, por ajo që i bashkon të gjithë është fakti se ata janë vrarë në këtë vend disa metra larg njëri-tjetrit. Dy shkëmbinjtë ku mendohet të jenë vrarë dy personazhet e lashtë të dashurisë janë edhe vendet ku ata ndezin qirinj dhe luten. Sipas kujdestarit të Vendit të Mirë, kryesisht në këtë vend vijnë vajza që nuk u ka dalë ende fati, bashkëshorte që janë grindur apo ndarë me burrat. Sipas tij, ato kthehen prapë dhe dëshmojnë se gjërat pasi janë lutur me shpirt këtu, i kanë rregulluar. Sipas tij, vendin e mirë e ka rregulluar një njeri nga Vlora, i cili është martuar dhe është bërë me fëmijë pasi ka ardhur këtu. Nëse pyet qytetarë që shkojnë tek Vendi i Mirë të thonë se për të ndezur qirinj në këtë vend duhet besuar pasi në të kundërt nuk ndodh asgjë. Vajzat e reja thonë se dalja e fatit është gjëja më e rëndësishme dhe kanë ndjekur këshillat e njëra-tjetrës për të mbërritur deri këtu. Kjo pjesë shkëmbore ka lidhje edhe me një tjetër histori. Në një nga zgavrat e shkëmbit del një tunel që vjen nga brenda Kalasë së qytetit. Në kohën e luftërave ushtarët dhe banorët e kalasë hynin në këtë tunel e dilnin në Krastë duke i shpëtuar përndjekjes. Po kështu ku vend ka edhe një histori në kohën e komunizmit. Sipas kujdestarit, një oficer i ushtrisë bashkë me disa ushtarë i kanë vënë dinamit për ta shkatërruar, por vendi nuk ka shpërthyer. Po kështu në këtë vend ka qenë një pemë fiku që ky oficer e ka prerë. Këto veprime kanë sjellë edhe vdekjen e tij, sipas kujdestarit që tregon se është vend i shenjtë e nuk preket.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›