E Diel, 1 Nëntor 2026

Mosmarrëveshjet për zgjedhjet, ODIHR-i thërret në takim partitë

OSBE-ODIHR-i merr përsipër zgjidhjen e mosmarrëveshjes midis dy partive të mëdha, PD dhe PS dhe partive të tjera parlamentare për çështjen e reformës zgjedhore. Një delegacion i këtij organizmi, i kryesuar nga Nikolai Vulçanov, si dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, kanë pasur dje një ditë të ngjeshur takimesh në mjediset e Hotel Rogner, ku kanë zhvilluar takime të gjata dhe kokë më kokë me përfaqësuesit e partive kryesore politike. Në këto takime ata janë njohur me arritjet e deritanishme dhe ngërçet që po pengojnë realizimin e reformës zgjedhore. Fillimisht ata kanë pritur bashkëkryetarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore, Ilir Rusmali dhe Kastriot Islami, përkatësisht përfaqësues të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Më pas zyrtarët e lartë të OSBE-ODIHR-it
janë takuar me përfaqësuesit e LSI-së, konkretisht kryetarin e saj Ilir Meta, deputetin Ndre Legisi dhe sekretaren e Marrëdhënieve me Jashtë, Brunilda Paskali. Ata janë takuar gjithashtu me nënkryetarin e PDR-së, Tritan Shehu, kryetarin e PDK-së, Nard Ndoka dhe me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Vulçanov dhe Bosch kanë parashikuar që të takohen me të gjithë krerët e partive parlamentare. Në këto takime ata janë njohur me propozimet e tyre për reformën zgjedhore, si dhe me pakënaqësitë apo mospajtimet e tyre për propozimet e bëra. Interesant është fakti se asnjë prej përfaqësuesve të partive parlamentare nuk pranoi të komentonte takimin dhe të zbardhte bisedat e bëra me zyrtarët e lartë të OSBE-ODIHR-it.

14 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›