Qeveria, dëmshpërblim qytetarëve kur u publikohen të dhënat personale
Projektligji i hartuar nga Këshilli i Ministrave parashikon marrjen e masave të forta për ruajtjen e informacionit personal. Subjektet që japin të dhënat personale do të kenë më shumë të drejta për t’u informuar, ankuar dhe kundërshtuar rreth përdori
Shaban Sulçe
Qeveria “Berisha” do t’i kalojë shumë shpejt për miratim Kuvendit një projektligj që synon mbrojtjen e të dhënave personale. Ky projektligj parashikon të drejtën e çdo qytetari për të kërkuar dëmshpërblim për dëmin që i shkaktohet si rezultat i përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale nga ana e kontrolluesit. Ky i fundit përkufizon çdo person, fizik ose juridik, autoritet publik, agjenci apo njësi tjetër, të cilët vetëm apo në bashkëpunim me të tjerë përcaktojnë qëllimet dhe mjetet e përpunimit të të dhënave personale. Ligji në fjalë ngarkohet për t’u zbatuar nga kontrollues të vendosur në Republikën e Shqipërisë, nga misionet diplomatike ose në zyrat konsullore të shtetit shqiptar si dhe nga çdo kontrollues të cilët nuk janë të vendosur në Republikën e Shqipërisë, por që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet përdorimit të çdo mjeti që ndodhet në Republikën e Shqipërisë.
Të drejtat e subjekteve
Projektligji i hartuar nga qeveria sanksionon shumë të drejta ndaj çdo individi në drejtim të sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave të tyre personale. Neni 12 i këtij projektligji u sanksionon subjekteve të drejtën për ankesë. Sipas pikës 1 të këtij neni, çdo person ka të drejtë që, me kërkesë me shkrim, të marrë nga kontrolluesi: konfirmimin nëse të dhënat personale po i përpunohen ose jo, informacion për qëllimin e përpunimit, për kategoritë e të dhënave të përpunuara dhe për marrësit e kategoritë e marrësve, të cilëve u përhapen të dhënat personale. Gjithashtu, subjekti mund të bëjë kërkesë për të marrë në një formë të kuptueshme të dhënat personale dhe informacionin e disponueshëm për burimin e tyre, si dhe informacionin për logjikën e përfshirë në vendimmarrje.
Kontrolluesi, brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës, informon subjektin e të dhënave ose i shpjegon atij arsyet e mosdhënies së informacionit.
Neni 13 i projektligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale” parashikon se çdo subjekt i të dhënave ka të drejtë të kërkojë korrigjimin ose fshirjen e të dhënave kur vihet në dijeni se të dhënat rreth tij nuk janë të rregullta, të vërteta, të plota ose janë përpunuar dhe mbledhur në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji. Kjo gjë e ngarkon kontrolluesin që brenda 30 ditëve nga data e marrjes së kërkesës së subjektit të të dhënave duhet ta informojë atë për përpunimin e ligjshëm të të dhënave, kryerjen ose moskryerjen e korrigjimit apo të fshirjes.
E drejta për të kundërshtuar
Neni 15 i këtij projektligji parashikon se çdo subjekt i të dhënave ka të drejtë të kundërshtojë në çdo kohë, mbështetur në ligj, përpunimin e të dhënave rreth tij. Subjekti i të dhënave ka të drejtë t’i kërkojë kontrolluesit të mos fillojë ose, nëse përpunimi ka filluar, të ndalojë përpunimin e të dhënave personale, që lidhen me të, për qëllime të tregtimit të drejtpërdrejtë. Neni 16 sanksionon të drejtën për t’u ankuar. Çdo person, që pretendon se i janë shkelur të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme për të dhënat personale, ka të drejtë të ankohet ose të njoftojë komisionerin dhe të kërkojë ndërhyrjen e tij për vënien në vend të së drejtës së shkelur. Pas këtij ankimi, në përputhje me Kodin e Procedurës Civile, subjekti i të dhënave mund të ankohet në gjykatë.
Në rast se subjekti i të dhënave ka bërë ankim, kontrolluesi nuk ka të drejtë të ndryshojë të dhënat personale deri në dhënien e vendimit përfundimtar.
Siguria e të dhënave personale
Projektligji i hartuar nga qeveria i detyron kontrolluesit që të marrin masa në drejtim të sigurisë së të dhënave personale.
Konkretisht, në Nenin 27 të këtij projektligji thuhet se kontrolluesi ose përpunuesi duhet të marrë masa organizative dhe teknike të përshtatshme për të mbrojtur të dhënat personale nga shkatërrime të paligjshme, aksidentale, humbje aksidentale, për të mbrojtur aksesin ose përhapjen nga persona të paautorizuar, veçanërisht kur përpunimi i të dhënave bëhet në rrjet, si dhe nga çdo formë tjetër e paligjshme përpunimi. Kontrolluesi duhet të përcaktojë funksionet ndërmjet njësive organizative dhe operatorëve për përdorimin e të dhënave. Ai udhëzon operatorët pa përjashtim për detyrimet që kanë në përputhje me këtë ligj dhe rregulloret e brendshme për mbrojtjen e të dhënave, përfshirë edhe rregulloret për sigurinë e të dhënave. Kontrolluesi duhet të ndalojë hyrjen në mjediset e kontrolluesit ose të përpunuesit të të dhënave të personave të paautorizuar si dhe duhet të ndalojë hyrjen në mjetet e arkivimit dhe përdorimin e tyre nga persona të paautorizuar. Kontrolluesi duhet të regjistrojë dhe dokumentojë modifikimet, korrigjimet, fshirjet, transmetimet, etj. Siguria e të dhënave personale përcakton hyrjen te të dhënat dhe te programet vetëm të personave të autorizuar.
Përdorimi i të dhënave të dokumentuara
Të dhënat e dokumentuara nuk përdoren për qëllime të tjera, që nuk janë në përputhje me qëllimin e grumbullimit. Projektligji parashikon ndalimin e njohjes ose çdo përpunim të të dhënave të regjistruara në dosje për një qëllim të ndryshëm nga e drejta për të hedhur të dhëna. Përjashtohet nga ky rregull rasti kur të dhënat përdoren për parandalimin ose ndjekjen e një vepre penale.
Dokumentacioni i të dhënave mbahet për aq kohë sa është e nevojshme për qëllimin për të cilin është grumbulluar.
Niveli i sigurisë duhet të jetë i përshtatshëm me natyrën e përpunimit të të dhënave personale. Rregulla të hollësishme për sigurimin e të dhënave përcaktohen me vendim të komisionerit.
Procedurat e administrimit të regjistrimit të të dhënave, të hedhjes së të dhënave, të përpunimit dhe nxjerrjes së tyre, përcaktohen me vendim të komisionerit.
Kontrolluesit, përpunuesit dhe personat që vihen në dijeni me të dhënat e përpunuara gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre detyrohen të ruajnë konfidencialitetin dhe besueshmërinë edhe pas përfundimit të funksionit. Këto të dhëna nuk përhapen përveç rasteve të parashikuara me ligj.
Përpunimi i të dhënave
Neni 6 i projektligjit përcakton kriteret ligjore për përpunimin e të dhënave personale. Të dhënat personale përpunohen vetëm në rastet e mëposhtme:
1-Nëse subjekti i të dhënave personale ka dhënë pëlqimin;
2-Për hartimin dhe përmbushjen e kontratave, në të cilat subjekti i të dhënave personale është palë;
3-Për të mbrojtur interesat jetike të subjektit të të dhënave;
4-Për përmbushjen e një detyrimi ligjor të kontrolluesit;
5-Për kryerjen e një detyre ligjore me interes publik ose ushtrimin e një kompetence të kontrolluesit ose të një pale të tretë, së cilës i janë përhapur të dhënat;
6-Për ndjekjen e interesave legjitime të kontrolluesit ose të një pale të tretë, së cilës i janë përhapur të dhënat, përveç kur këto interesa mbizotërojnë mbi interesat për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive themelore të subjektit të të dhënave.
7-Përpunimi і të dhënave personale të përcaktuara në kuadër të veprimtarive të parandalimit dhe ndjekjes penale, për kryerjen e një vepre penale kundër rendit publik dhe të veprave të tjera në fushën e të drejtës penale, si dhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare, kryhet nga autoritetet zyrtare të përcaktuara në ligj.
Përpunimi i të dhënave sensitive
Përkufizimi i “Të dhënave sensitive” përmban çdo informacion për personin fizik që ka të bëjë me origjinën e tij, racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësimin në sindikata, besimin fetar a filozofik, dënimin penal, si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale. Neni 7 i këtij projektligji parashikon
ndalimin e përpunimit të të dhënave që zbulojnë origjinën, racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësinë në sindikata, besimin fetar a filozofik, dënimet penale, si dhe shëndetin dhe jetën seksuale. Përpunimi i të dhënave sensitive bëhet vetëm nëse:
1-Subjekti i të dhënave ka dhënë pëlqimin që mund të revokohet në çdo çast dhe e bën të paligjshëm përpunimin e mëtejshëm të të dhënave;
2-Është në interesin jetik të subjektit të të dhënave ose të një personi tjetër dhe subjekti i të dhënave është, fizikisht ose mendërisht, i paaftë për të dhënë pëlqimin e vet;
3-Autorizohet nga komisioneri për një interes të rëndësishëm publik;
4-Lidhet me të dhëna, që janë bërë haptazi publike nga subjekti i të dhënave ose është i nevojshëm për ushtrimin a mbrojtjen e një të drejte ligjore;
5-Të dhënat përpunohen për kërkime, shkencore ose statistikore;
6-Të dhënat kërkohen për qëllime të mjekësisë parandaluese, diagnostikimit mjekësor, sigurimit të kujdesit shëndetësor dhe përdorimi i tyre kryhet nga personeli mjekësor ose persona të tjerë, që kanë detyrimin për ruajtjen e fshehtësisë;
7-Të dhënat përpunohen nga organizatat jofitimprurëse politike, filozofike, fetare ose sindikaliste për qëllime të veprimtarisë të tyre të ligjshme, vetëm për anëtarët, sponsorizuesit ose personat e tjerë, që kanë lidhje me veprimtarinë e tyre. Këto të dhëna nuk u bëhen të ditura një pale të tretë pa pëlqimin e subjektit të të dhënave, përveç kur parashikohet ndryshe në ligj;
8-Përpunimi është i nevojshëm për përmbushjen e detyrimit ligjor dhe të të drejtave specifike të kontrolluesit në fushën e punësimit, në përputhje me Kodin e Punës.
14 Shkurt 2008