E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pushteti i vjedhur më 28 qershor po shkatërron shtetin

 
 
Kryesocialisti kërkoi shpërndarjen urgjent të lekëve në dorë për çdo familje të përmbytur dhe fajësoi Sali Berishën për gjendjen e krijuar dhe mosmbledhjen e qeverisë për të përllogaritur dëmet
 
Denion Ndrenika
Partia Socialiste e tri herë të zgjedhurit kryetar, Edi Rama, tha dje, se kurrë më parë Shqipëria nuk ka qenë në këto nivele drejtimi të asaj që e përkufizoi si “shteti shqiptar nuk ka qenë kaq i dalë duarsh”. Rama kërkoi që “qeveria e votave të vjedhura duhet të nxjerrë urgjent lekë në dorë për çdo familje që jeton në zonën e përmbytur dhe s’mund të mbajë frymën gjallë, as duke pritur thesin me miell, që edhe kur vjen shumë shpesh nuk ka ku gatuhet, as duke shitur lopën për 5 ditë bukë”. Kryetari Rama që përdori këto shprehje iu referua me pezmatim gjendjes së krijuar nga përmbytjet në Shkodër dhe asaj që ai e vlerëson si përgjegjësi kryekëput e shefit të qeverisë “me vota të vjedhura”, Sali Berisha. Rama iu përqas plotësisht fakteve të terrenit, kur u kujtoi pushtetarëve të pas 28 qershorit të shkuar, se nuk kanë bërë asgjë për të shmangur ngjarjet, madje kanë përkeqësuar me drejtimin e vendit tërësinë e problemeve që pasuan. Ai refuzoi të pranonte qëndrimet e Berishës, se faji ishte nga moti i lig dhe jo nga keqqeverisja. Berisha tha më herët, se gjendje të tilla ndodhin një herë në 100 vjet, por për socialistët progresistë të Edi Ramës, kjo assesi nuk qëndron, ndaj ai i tha Berishës se “qeveria jote e përmbyti veriun e vendit”. “Situata të tilla nuk ndodhin jo një herë në njëqind vjet, po nuk ndodhin asnjëherë aty ku ka ligj e ku ka shtet, dhe jo si këtu ku ka vetëm një Maliq e një palo pushtet. Sepse veriun nuk e përmbyti dora e Zotit, por mendja e robit. Veriun e mbyti shkelja e ligjit, rënia e shtetit, marrëzia e pushtetit”, - tha Rama. I keqardhur nga mungesa e aftësive menaxhuese të qeveritarëve për gjendjen e krijuar, Rama parashtroi gjithashtu argumente analitikë të PS-së, se përse u ndodh vendi në një gjendje të tillë dhe se përse opozitarët ngarkojnë me përgjegjësi zyrtarët pushtetarë. Rama tha se situata të tilla nuk kanë ndodhur asnjëherë, “as kur mbi veri dhe mbi liqenet e hidrocentraleve ka rënë shumë më tepër shi e ka rrjedhur shumë më tepër borë e shkrirë”, sepse sipas tij, “nuk ka pasur asnjëherë më parë Shqipëria në krye të kësaj pune njerëz që të mbledhin ujin e hidrocentraleve jashtë çdo kufiri logjik e kriteri shkencor për të bërë lekë”. Po sipas Ramës, “asnjëherë më parë shteti shqiptar nuk ka qenë kaq i dalë duarsh, kaq jashtë binarëve të ligjit dhe të kontrollit të ekspertëve edhe për çështjet më delikate që lidhen me sigurinë e jetës së njerëzve, kaq i kapur nga një pushtet interesash kryekëput korruptive”. Këtë ai e theksoi, duke i kujtuar Berishës se “pushteti i tij i vjedhur në 28 qershor po e shkatërron shtetin me babëzinë, me papërgjegjshmërinë e me lukuninë e të paaftëve që  s’kanë haber nga punët, për të cilat paguhen me lekët e shqiptarëve” dhe se “po e çon vendin nga rrënimi në rrënim, me zjarr në Gërdec, me shembje mali në Kalimash, me përmbytje të paparë në 100 vjet, siç thotë edhe vetë në Qarkun e Shkodrës, është kthyer në një farëmbjellës katastrofash”. Në një llogari të thjeshtë në kuadër të prodhim-përfitimit të energjisë, Rama hodhi dyshime për afera korruptive. “Sali Berisha, pa marrë parasysh fare jetën e pronën e tyre (shkodranëve), kur mblidhte ujë në Fierzë mbi çdo normë të lejuar, ai ende nuk ka mbledhur qeverinë për të përcaktuar të gjithë kriteret për nxjerrjen sa më parë të shumës së dëmshpërblimit për të përmbyturit, të cilët sipas të dhënave zyrtare, që sipas nesh janë gjithsesi të zvogëluara ndjeshëm, po i mbyt me një ujë që po të ishte menaxhuar si duhet Fierza, do të kishte prodhuar jo përmbytjen apokaliptike të Qarkut të Shkodrës, por 457.638 MW/h energji elektrike, që e llogaritur me çmimin minimal, përbën një humbje për shtetin e për shqiptarët të barabartë me 3 miliardë e 523 milionë lekë të reja. Plot 35 milionë dollarë të shpërdoruara vetëm duke mos e përdorur ujin në kohën e duhur për energji, po duke e mbledhur jashtë arsyes për babëzi”, - tha Rama. Për kryesocialistin është e qartë se ai (Berisha), “njeriu që duhet t’ua kishte kursyer këtë shkatërrim, duke mos u bërë palë me Priftin (Dritan) e korrupsionit, do të marrë me çdo kusht përsipër t’i kompensojë qindarkë për qindarkë dëmet e tyre”.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›