Bode: Miratuam një fond paraprak, vlerësimi i dëmeve pas emergjencës

Një ditë pas apelit të socialistëve, qeveria miraton fondin për kapërcimin e emergjencës. Vlerësimi i dëmeve dhe dëmshpërblimi, në një fazë të dytë
Kreshnik KUçAJ
Ministri i Financave Ritvan Bode deklaroi dje nga Shkodra e përmbytur se është miratuar një fond paraprak për banorët e zonave të përmbytura, deri në kapërcimin e situatës emergjente ku do të nisë edhe vlerësimi i dëmit material. Një ditë pasi deputeti socialist Namik Dokle kërkoi miratimin e një fondi paraprak për banorët deri në kapërcimin e situatës, ministri i Financave garantoi se ky hap është marrë dhe se ndihmat do të shpërndahen korrektësisht për banorët. I shoqëruar nga deputetët demokratë të Shkodrës, Bode inspektoi zonën e përmbytur të Malit të Jushit pranë Bushatit nga ku dha edhe garancinë se banorët do të kompensohen për dëmet që u janë shkaktuar nga përmbytja. Bode tha se se Shtabi Emergjencës ka miratuar fondet e nevojshme dhe gjithashtu janë ngritur të gjitha strukturat për shpërndarjen e bazës ushqimore edhe në zonat ku njerëzit vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpitë e tyre. Ministri i Financave shtoi gjithashtu se Shtabi i Emergjencës tashmë ka akomoduar dhe siguruar gjithçka që iu nevojitet banorëve të evakuuar, ndërsa e njëjta gjë është bërë edhe për ata banorë që kanë vendosur të qendrojnë në banesat e tyre të përmbytura. “Nga dita e sotme do të fillojë shpërndarja e bazës ushqimore edhe për blegtorinë pasi një izolim pak i zgjatur ngre problemin e mbështetjes me bazë ushqimore edhe për blegtorinë. Me ngritjen e një fondi operacional, ne çdo ditë do të plotësojmë të gjitha nevojat, jo vetëm për banorët por edhe për bagëtinë në këto zona. Kjo bëhet pasi ky izolim mund të zgjasë dhe disa ditë të tjera. Ne do të përballojmë çdo nevojë që kanë këto zona, brenda anormalitetit të krijuar, si për banorët ashtu dhe për bagëtinë”, tha ministri Bode gjatë fjalës së tij. Duke hedhur poshtë zërat për parregullsi në ndarjen e ndihmës ushqimore, Bode siguroi se shpërndarja do të jetë transparente dhe korrekte për secilin banor të përmbytur. Po ashtu, ministri i Financave tha se qeveria ka marrë të gjitha masat që për të përballuar çdo nevojë që kanë këto zona, si për njerëzit, ashtu edhe për bagëtinë. Në të njëjtën kohë, ministri i Financave tha se do të ketë edhe një fazë tjetër, pas kapërcimit të situatës emergjente, ku do të bëhet vlerësimi i të gjitha dëmeve për të përllogaritur edhe dëmshpërblimin për banorët e dëmtuar. Dy ditë më parë, Shtabi i Emergjencës i Partisë Socialiste kërkoi përmes deputetit Namik Dokle marrjen e disa masave paraprake deri në kapërcimin e situatës emergjente. Dokle i kërkoi qeverisë që të miratojë një fond paraprak që do të ndihmojë banorët e përmbytur për të kapërcyer situatën e vështirë. Më pas, sipas Dokles, duhet të nisë menjëherë edhe procesi i vlerësimit të dëmeve që u shkaktuan për të bërë edhe dëmshpërblimin e secilit banor.