E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, uji i drejtohet qendrës së qytetit

Përmbytjet në veri
 

SHKODëR – Pas “pushtimit” të katër lagjeve periferike të qytetit, lumi Buna ka vërshuar dje drejt qendrës së Shkodrës. Niveli i ujit në lagjen “Xhabije”, që ndodhet në hyrje të qytetit, ka arritur në 60 centimetra, ndërsa rruga hyrëse për në qytet ka qenë thuajse e pakalueshme për mjetet e vogla. Kufijtë e zonave të përmbytura janë në perëndim, bregdeti i Velipojës, ku është edhe grykëderdhja e lumit Buna, në lindje periferia e Shkodrës dhe fshatrat e Malësisë së Madhe në anë të liqenit, në jug Mali i Jushit dhe në veri komuna Ana e Malit.
Situata në ditën e njëmbëdhjetë të përmbytjeve në veri të vendit, e veçanërisht në Qarkun e Shkodrës mbetet e rëndë, ndërsa uji ka zgjeruar sipërfaqen e mbuluar prej tij, nga Ultësira deri në Malësinë e Madhe, ku uji i liqenit vazhdon përparimin sistematik. Gjendja është e rëndë edhe në lagjet periferike të qytetit që shtrihen buzë lumit Buna, si: "Livadhe", "Ajasëm", "Bahçallëk" dhe "Iliria", ku uji arrin në 1 metër lartësi. Fryrja e lumit Buna, që ndodhet vetëm pak centimetra larg nivelit kritik, ka bllokuar edhe rrugën që të çon drejt Shirokës. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, për të paktën dy orë, asnjë makinë e vogël nuk është lejuar që të kalojë nga policia përtej urës së Bunës. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, për në Zogj dhe Shirokë qarkullonin vetëm mjetet e tonazhit të rëndë.
Në ditën e njëmbëdhjetë të përmbytjeve, komuna e Velipojës, Dajçit e Bushatit vazhdojnë të jenë të izoluara. Një nga zonat ende të izoluara është fshati Mushan i komunës së Dajçit, ku e vetmja mënyrë për të hyrë është me gomone. Por më e rëndë se izolimi në këtë fshat është mungesa e ndihmave dhe e ushqimeve. Banorët pranojnë se ushqimet e mbledhura në qendër të fshatit janë transportuar nga vetë ata. Gjithashtu, banorët ankohen se shteti nuk ka mbërritur ende në këtë zonë dhe argjinaturën për të mbrojtur fshatin e kanë ngritur me forcat e veta.
 
 
 
 
Ndihma
 
Reparti i Gjadrit
në funksion
të ndihmave
 
SHKODëR - Kanë nisur gjatë natës së mbrëmshme operacionet e shpërndarjes së ndihmave për zonat e përmbytura nga baza e grumbullimit të ndihmave, e vendosur në rajonin e Gjadrit. Strukturat e ushtrisë, në bashkëpunim me ekspertët italianë të mbrojtjes civile, kanë organizuar shpërndarjen e ndihmave nëpërmjet helikopterëve të ardhur posaçërisht nga Italia.
Duke folur për operacionin, komandanti i komandës mbështetëse, Gjeneral Xhemal Gjunkshi, bëri të ditur se kanë mbërritur 74 tonë ndihma nga Tirana në rajonin e Gjadrit.
“Nga forcat e armatosura, nga komanda mbështetëse me të gjitha strukturat e saj, në bashkëpunim edhe me Gardën e Republikës, u bë e mundur transportimi i 74 tonëve ndihma nga Tirana për në rajonin e Gjadrit, për t’u bërë gati e për t’u shpërndarë sipas komunave”, theksoi Gjunkshi.
Gjatë një takimi me ekspertët italianë të mbrojtjes civile, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, u shpreh se operacionet në këtë zonë janë shumë të vështira, për shkak të rrugëve të bllokuara. Nga policia e Shkodrës dhe nga strukturat mbështetëse të Ministrisë së Brendshme po ndërmerren konkretisht operacionet në terren për ruajtjen dhe sigurimin e argjinaturave, akseve të rrugëve, ujërave, si dhe po bashkëpunohet me strukturat e tjera të ushtrisë për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe evakuimin e komunitetit në zonat e përmbytura.
Për të inspektuar procesin e shpërndarjes së ushqimeve, të ujit të pijshëm dhe medikamenteve, ministri Basha ka qenë në komunën Dajç, e cila konsiderohet më e prekura nga përmbytjet. Ministri Basha është shprehur i prerë në qëndrimin e tij, se asnjë banor i evakuuar nuk do të kthehet në zonë pa u normalizuar situata.
 
 
 
Lezhë/ Reshjet
 
Ndërpriten punimet
në zonën arkeologjike
 
LEZHë - Përmbytjeve nuk u ka shpëtuar as zona arkeologjike e Lezhës, që gjendet në zemër të qytetit. Bëhet fjalë për punimet, të cilat kishin nisur prej disa ditësh, por që gropat e hapura për zbulimin e të rejave historike janë të mbushura me ujë. Prej kohësh, Instituti Arkeologjik Gjerman në bashkëpunim me Institutin Arkeologjik Shqiptar kishin financuar një projekt pune për zbulimin e ndonjë të dhëne historike nga Lezha e vjetër. Punimet janë ndërprerë prej ditësh, duke dëmtuar punën e bërë gjerë më tani, ndërsa mësohet se projekti do të vazhdojnë pas përmirësimit të kushteve atmosferike.
A.Mema
 
 
Kurbin
 
Katër fshatra të bllokuar
nga rrëshqitja e dherave
 
KURBIN - Vazhdon të mbetet ende e bllokuar rruga që lidh zonën e fshatit Skuraj me rrugën nacionale. Të izoluar kanë mbetur banorët e katër fshatrave, Gernaç, Mali i Bardhë Sipër, Gallatë dhe Vinjoll. Dherat e rënë nga mali, që janë ndikuar nga reshjet, kanë bërë që rruga të mbetet e bllokuar. Si pasojë e një situate të tillë, banorët e zonave të lartpërmendura e kanë të pamundur që të lidhen me qendrën e zonës, Milotin. Komuna në fakt ka ndërhyrë dy herë radhazi gjatë këtyre ditëve, por ka pasur rrëshqitje të tjera të masivëve malorë. Ajo ka kërkuar ndihmën e Bordit të Kullimit për dërgimin e makinerive të rënda, të cilat do të përdoren për hapjen e këtij segmenti.
A. Mema
 
 
 
 
Tropojë
 
Rihapet segmenti rrugor Fierzë – Qafa e Malit
 
Ishte i pakalueshëm prej gati një jave, pas rënies së dherave dhe gurëve nga shpati i malit
 
 
Shkaku
Një pjesë e rrugës që kalon përbri Drinit, shumë afër hidrocentralit, kishte pësuar çarje në një gjatësi prej rreth 200 m, duke sjellë fenomenin e rrëshqitjes së dherave
 
TROPOJë - Dy ditë pas bllokimit rihapet segmenti rrugor që lidh Tropojën me Pukën dhe pjesën tjetër të vendit, dhe që për gati një javë ishte jashtë funksionit, të hënën është rivënë në punë. Burime nga Tropoja tregojnë se bëhej fjalë për segmentin në afërsi të hidrocentralit të Fierzës, nga ku shkarkimi i ujit nga tuneli 4 shkaktonte dallgë të mëdha që goditnin shpatin e malit. Pikërisht për këtë arsye, një pjesë e rrugës që kalon përbri Drinit, shumë afër hidrocentralit, kishte pësuar çarje në një gjatësi prej rreth 200 m, duke sjellë fenomenin e rrëshqitjes së dherave dhe gurëve, të cilët ishin kthyer në një makth për përshkuesit e rrugës, qofshin drejtues automjetesh apo thjesht pasagjerë. Por me uljen e nivelit të prurjeve në lumin Drin në basenin e Fierzës, është ulur edhe sasia e ujit që shkarkohet nga tuneli 4, i cili ishte pikënisja e kësaj rrëshqitjeje. Forcat e policisë dhe postblloqet tashmë janë larguar nga rruga dhe është pastruar e gjithë traseja e rrugës. Bllokimi i qarkullimit në këtë aks kishte shkaktuar një kokëçarje jo të vogël për udhëtarët tropojanë dhe të tjerët, pasi për të udhëtuar në Tiranë iu është dashur t’i bien “botës” rrotull nga Gjakova, Prizreni etj., në një distancë prej rreth 400 km. Rruga Fierzë-Qafa e Malit ka pasur herë pas here edhe probleme të shembjes se dheut, që kanë shkaktuar vonesa në lëvizjen e mjeteve, ndërsa bllokimi i ditëve të fundit ndodhte për herë të parë që nga ndërtimi i saj shumë dekada më parë. Sipas drejtorit Rajonal të Rrugëve, për rihapjen e rrugës kanë punuar 4 mjete, të cilat kanë bërë të mundur hapjen dhe vënien në eficiencë të tyre. Por rruga ka pasur pasiguri, ndaj dhe u kërkua ndërhyrja e policisë për të mos lejuar mjetet që ta përshkonin atë.
F.Tota
 
 
 
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›