Rama: Që 19 vjeç nuk kam pushuar së dashuri Matildën
Kreu socialist Edi Rama për herë të parë dje i është përgjigjur akuzave personale nga ana e përfaqësuesve të maxhorancës, për djalin dhe familjarët e tij. Rama shprehet se të gjitha akuzat janë turpe të atyre që i artikulojnë, ndërsa insiston se e ka dashur dhe vazhdon ta dojë ish-bashkëshorten e tij. Këto deklarata Rama i bëri gjatë emisionit “Top Story” në Top Channel të gazetarit Sokol Balla dhe në praninë e gazetarëve të tjerë. Rama komenton dhe qëndrimin e ditëve të fundit të LSI-së dhe fton këtë parti dhe vetë Ilir Metën të mbështesin koalicionin e drejtuar nga PS-ja.
Sokol Balla: Zoti Rama, ka disa akuza personale që bëhen nga përfaqësues politikë që lidhen me familjen tuaj, djalin, bashkëshorten, jetën tuaj të hershme. Keni një përgjigje ndaj tyre?
Edi Rama: Unë besoj se është për të qeshur, me një të qeshur detyrohem t’i kaloj shpeshherë gjëra të tilla. Por nuk jam unë që duhet të sqaroj këto gjëra, janë këta njerëz që duhet në mënyrën më absolute t’i japin fund kësaj historie, dhe kur them janë këta njerëz, janë shqiptarët dhe shqiptaret. Unë nuk jam as për t’u bërë politikan, as për të kaluar në një karrige apo për t’u sharë dhe kacafytur me rivalët, jam në politikë për të bërë të mundur që gjërat që janë bërë të pamundura për shkak të kësaj politike të bëhen të mundura për të gjithë ata njerëz që meritojnë të jetojnë në një Shqipëri më të mirë. Besoj se e gjithë kjo tymnajë vjen nga etja për pushtet dhe e ka kthyer prej 18 vjetësh politikën shqiptare në një industri balte kundër cilitdo që është përballë si kundërshtar apo rival, duhet të marrë fund, sepse në këtë mënyrë ne e kemi pranuar dhe kemi lënë politikën të bëjë çfarë të dojë, në dorë të atyre që kanë kurajon të shpifin dhe akuzojnë për gjëra që nuk e di se në ç’skuta të zeza të fantazisë njerëzore ekzistojnë, të atyre që flasin për familjen, por nuk respektojnë familjen e tjetrit, që thonë se për ta vlerat e familjes janë më të rëndësishmet, por që duke sulmuar familjen e kundërshtarit tregojnë se nuk është kështu. Unë nuk kam asnjë arsye që të më vijë turp pse në moshën 19-vjeçare kam pasur një dashuri të marrë për një njeri që s’kam pushuar së dashuri asnjëherë; duhet t’u vijë turp këtyre njerëzve që për arsye të një pushteti që duan të mbajnë me çdo kusht dhe të gjitha atyre motiveve që i mbajnë në atë karrige dhe nuk kanë arsye njerëzore, të formulojnë të tilla mostruozitete. Unë nuk kam asnjë arsye të më vijë turp pse u martova në moshën 22 vjeç, në një kohë kur në Shqipëri jetohej krejt ndryshe në 1986. Duhet t’i vijë turp atyre, jo për mua, por për nënën e djalit tim, për të cilën guxojnë dhe bëjnë edhe komente. Në fakt i cenojnë kaq rëndë dinjitetin. Mua nuk ka pse të më vijë turp që në fillim të viteve ‘90, bashkë me miq të tjerë, pasi dolëm nga Shqipëria e teritalit dhe e rrobave të zborit ku na mbante Enver Hoxha, shkuam në një plazh natyristësh që nuk është as ilegal, as në shkelje të normave morale dhe as në shkelje të lirisë së askujt në BE. Duhet t’u vijë turp atyre që me fotografi personale, të vjedhura kërkojnë të bëjnë këtë politikë për të mbajtur peng pushtetin dhe të ç’bëjnë çdo ideal dhe çdo vlerë. Në demokraci barrën e provës nuk e ka i akuzuari, por akuzuesi. Kjo vjen nga etja për pushtet. Duhet t’u vijë turp atyre që fryjnë flokët për të dalë në fotografi me politikanët evropianë për të na treguar se po e çojnë Shqipërinë në Evropë dhe, ndërkohë kanë mendësinë e skllevërve të komunizmit, që nuk arrijnë dot në shekullin e 21 të respektojnë dramat personale.
Andi Bushati: Më fal Sokol, cilës pyetje po i përgjigjet zoti Rama?
Edi Rama: Nuk kam dashur të flas për të tilla gjëra, sepse besoj Bushat se ata nuk do t’ua lajnë ndonjëherë borxhin as djalit tim, as nënës time, as nënës së djalit tim dhe as njerëzve të dashur që kam dashur dhe i dua, për faktin pse unë merrem me politikë ata duhet të përjetojnë gjëra të tilla. T’u japësh përgjigje akuzave të tilla pa etikë, por sot fola, sepse mendoj që është shumë e rëndësishme që të kuptoni një gjë të thjeshtë. Politika nuk është prostitucion, nuk është ajo që e transformon çdo njeri në të korruptuar, apo të sulet për pushet. Jo miqtë e mi, politika është për të zgjidhur gjërat që nuk i zgjidh dot vetëm. Për këtë arsye unë jam në politikë dhe le të tingëllojë si të dojë.
Andi Bushati: Në krye të PS-së zoti Rama po sillet si njeri autoritarist dhe po zhduk ato cilësi që ka pasur e majta. Rama ka ardhur në krye të PS-së me një mashtrim apo mosmbajtje fjale. Në kongresin e 2003 zoti Rama dorëzoi një platformë dhe mbajti një fjalim për fraksione dhe mendimin ndryshe. Nano po e ngushtonte partinë në atë kohë. Kur zoti Rama vjen në krye të PS, atë që e kishte një tatu të tij, e harron dhe koha e drejtimit të PS është koha kur askush nuk flet pa leje, dhe kemi largimin më të madh të deputetëve të PS në ndonjë kohë.
Edi Rama: Ata që ikën nga PS-ja i bënë një shërbim shumë të madh kësaj partie. Platforma ka rënë dhe pastaj unë në cilësinë e kryetarit të PS-së kam vazhduar një proces reformimi dhe kam njohur si funksionojnë partitë politike të botës ku jetojmë. Në asnjë parti nuk ekziston nocioni i mendimit ndryshe, ashtu siç e mendoni ju, dalja sa andej-këtej me mesazhe të ndryshme. Detyra e atyre që janë në një parti, nuk është të ndjehen për t’u bërë faktorë se si mund të pengojnë ecjen përpara të kësaj partie. Partitë nuk kanë fraksione, partia franceze është dinosauri i fundit politik. Në mënyrë absolute kam ndryshuar mendimin tim për fraksionet që ka të bëjë me mënyrën e funksionimit të PS-së.
Sokol Balla: Do të kandidoni në qershor dhe ku?
Nëse unë do të kandidoj, kjo është një çështje krejt e parëndësishme. Unë do t’u ofroj shqiptarëve për të zgjedhur një kryeministër, një maxhorancë dhe një program që do të ndryshojë jetën e tyre. Kandidimi im do të zgjidhet në një moment bashkë me të gjithë.
Henri Çili: Do të jeni kryeministër?
Duhet të pyesni shqiptarët.
Andi Bushati: Keni një precedent antidemokratik që nuk jepni dorëheqje nga një funksion. Ju nuk doni të dorëhiqeni nga kryetari i bashkisë dhe kërkoni të bëheni kryeministër?
Edi Rama: Unë nuk jam në politikë për t’u bërë politikan dhe as për t’u plakur në politikë. Unë i kam marrë risqet e mia deri atëherë kur njerëzit do të më japin votën e tyre që t’i përfaqësoj, në të kundërtën unë do t’i hap rrugën dikujt tjetër. Unë synoj ta nxjerr politikën dhe debatin politik nga këto lloj skutash kush do jetë, ku do jetë etj. Unë dua t’u them njerëzve se çfarë do t’i bëjë atyre kryeministri që ata duan të votojnë në 28 qershor lidhur me varfërinë, arsimin, shëndetësinë etj. Kjo politikë që merreni ju është një politikë klubi. Mesazhi i Barak Obamës është “Përtej kufirit të partive”.
Sokol Balla: Ditët e fundit kemi disa deklarata të LSI-së dhe Ilir Metës për një bashkëpunim paszgjedhor me Partinë Socialiste. Cili është komenti juaj?
Edi Rama: Ndoshta më në fund edhe Ilir Meta e ka kuptuar që e vetmja rrugë për të dalë nga e gjithë kjo histori e stërzgjatur zhgënjimesh është rruga e PS-së dhe koalicionit të PS-së dhe shkurt unë i ftoj edhe sot që të gjithë, përfshirë edhe mbështetësit që besuan deri dje tek Ilir Meta që të votojnë PS-në, pse jo dhe vetë Ilir Metën.
Skënder Minxhozi: Në momentin hipotetik që LSI do ketë një numër votash që do t’ju pengonte të krijonit i vetëm qeverisjen tuaj, çfarë do të ndodhë?
Edi Rama: Janë hipoteza që mund t’i bëni ju, puna ime është të bashkoj sa më shumë njerëz për të realizuar atë fitore që na jep mundësinë të qeverisim.
Henri Çili: Do të merrni deputetë sa andej-këndej si në këshillin bashkiak me buxhetin? Ishte njëlloj si Nano që bleu ballistët në Kuvend...
Edi Rama: Në këtë mënyrë ju fyeni ata dhe familjet e tyre që janë ndoshta duke ju ndjekur. Po thosha se zgjedhja e 28 qershorit është e qartë, ka dy zgjedhje të qarta, ose koalicionin e PS me partnerët e saj ose koalicionin e Gërdecit. Nëse shqiptarët nuk duan të shohin më cirkun e maxhorancave që krijohen në Parlament për interesa të çastit të njerëzve, duhet të bëjnë një ndarje të qartë, ose me të shkuarën, ose me të ardhmen. Çdo rrugë e ndërmjetme është një ndihmë jo indirekte, por e drejtpërdrejtë për koalicionin e Gërdecit. Çdo votë që nuk vjen në koalicionin tonë dhe për PS-në vë në dyshim dhe këtë që ju po bëni hipotezë sot.