E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gani Bobi”: PD 3 për qind para PS

 

ADI SHKEMBI

Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin në fund të shkurtit, PD-ja do të fitonte me 3 pikë më shumë se PS-ja. Qendra për Studime Humaniste “Gani Bobi” ka publikuar dje sondazhin e dytë të këtij lloji, i cili u bë publik në emisionin “Opinion” në TV Klan. Sipas sondazhit, me një kampion prej 1400 të pyetur, partia e kryeministrit Berisha merr 66 deputetë, PS-ja 62, LSI-ja 5 dhe 7 mandate janë të diskutueshme. Në sondazhin e publikuar një muaj më parë dhe që kishte të bënte me pyetësorin e realizuar në muajin nëntor 2008, PD-ja ishte 11 pikë para PS-së.
Partitë
Të pyetur në periudhën fundi i shkurtit-fillimi i marsit, një kampion prej 1400 qytetarësh nga i gjithë vendi kanë dhënë verdiktin e tyre për zgjedhjet parlamentare. Kështu PD-ja renditet në vendin e parë me 45.6 për qind të votave, ndërsa PS-ja renditet në vend të dytë me 42.5 për qind të votave. Lëvizja Socialiste për Integrim së bashku me PSV 91 të Petro Koçit renditen në vendin e tretë me 6.2 për qind të votave, ndërsa G99 është në vend të katërt me 2.3 për qind. Në fund janë PBDNJ me 1.1 për qind dhe PR me 1 për qind, ndërkohë që katër parti të tjera, të gjitha kanë 1.3 për qind. Për sa i përket liderëve, Bamir Topi vijon të renditet në vend të parë me 69.3 për qind, ndërsa pas tij vijnë Pandeli Majko, Edi Rama, Erion Veliaj, Sali Berisha dhe Sabri Godo. 
Deputetët në qarqe
Sipas sondazhit të Gani Bobit, rezulton se Partia Socialiste është fituese në qarkun e Tiranës. Nëse zgjedhjet do të bëheshin në fund të shkurtit dhe fillim të marsit, PS-ja do të merrte 16 mandate në kryeqytet, kundrejt 13 mandateve të PD-së, 2 të LSI-së dhe një mandat i diskutueshëm. Në të njëjtën kohë, edhe në qarkun e Elbasanit, Partia Socialiste renditet mbi PD-në, ku merr 7 mandate deputetësh, kundrejt 5 të PD-së, 1 të LSI-së dhe 1 i diskutueshëm. Në qarkun e Durrësit, kur PD-ja mori tetë deputetë në zgjedhjet e vitit 2005, kjo forcë ka të njëjtën shifër mandatesh, ndërsa PS-ja merr katër mandate dhe një është i diskutueshëm. Për sa i përket Fierit, PD-ja merr 7 mandate deputetësh, ndërsa PS-ja 9 mandate. Në Korçë PD-ja merr dy mandate më shumë ndaj PS-së (përkatësisht 7 me 5), ndërsa në Berat, Partia Socialiste merr tre mandate, Partia Demokratike 2, Lëvizja Socialiste 2 dhe një i diskutueshëm. Për sa i përket veriut dhe verilindjes së vendit, Partia Demokratike rezulton fituese në të katër qarqet. Konkretisht në qarkun e Shkodrës, një bastion i Partisë Demokratike që nga viti 1991, Partia Demokratike merr shtatë mandate deputetësh, kundrejt tre të Partisë Socialiste dhe një mandat është i diskutueshëm. Në Kukës nga katër mandate që janë parashikuar sipas formulës së re zgjedhore, PD-ja merr tre mandate kundrejt 1 të PS-së. Në Dibër, PD-ja merr tre mandate, PS-ja 2 dhe një i diskutueshëm, ndërsa në Lezhë PD-ja nxjerr katër deputetë, PS-ja 2 dhe një është i diskutueshëm. Në qarkun e Vlorës, PD-ja nxjerr 5 deputetë, kundrejt shtatë të Partisë Socialiste, ndërsa në Gjirokastër PD-ja nxjerr dy deputetë, kundrejt 3 të PS-së.
Qeveria
Të pyetur se kush është dështimi më i madh i kësaj qeverie në këto katër vjet të mandatit të saj, 52.1% rendisin korrupsionin në vend të parë dhe pas tij vijnë me radhë kartat e identitetit me 36.5 për qind, infrastruktura me 34.4 për qind, Gërdeci me 32.5 për qind dhe ekonomia me 24.3 për qind. Për sa i përket problemeve kryesore të vendit, shqiptarët mendojnë se ekonomia është çështja kryesore, e cila i shqetëson me gati 35.8 për qind, ndërkohë që pas saj janë punësimi, korrupsioni, standardi jetësor, kujdesi shëndetësor, integrimi në BE, pagat, edukimi, krimi dhe infrastruktura. Të pyetur se kush është suksesi më i madh i kësaj qeverie, të intervistuarit kanë renditur në vend të parë infrastrukturën me 21.3 për qind dhe menjëherë pas saj anëtarësimin në NATO me 19.4 për qind. Pas tyre renditen energjetike, integrimi në BE, kartat e identitetit, korrupsioni dhe në fund ngritja e pagave.

Përqindjet për partitë

PD                     45.6%
PS                    42.5%
LSI+PSV91                6.2%
G99                    2.3
PBDNJ                    1.1%
PR                    1%
Të tjera                     1.3%
Deputetët në çdo qark
Kukës
PD                    3 deputetë
PS                    1
Shkodër
PD                    7
PS                    3
Të diskutueshëm                 1
Dibër
PD                    3
PS                    2
Të diskutueshëm                 1
Lezhë
PD                    4
PS                    2
Të diskutueshëm                 1
Durrës
PD                    8
PS                    4
Të diskutueshëm                 1
Tiranë
PD                    13
PS                    16
LSI                    2
Të diskutueshëm                 1
Elbasan
PD                    5
PS                    7
LSI                    1
Të diskutueshëm                 1
Berat
PD                    2
PS                    3
LSI                    2
Të diskutueshëm                 1
Korçë
PD                    7
PS                    5
Fier
PD                    7
PS                    9
Vlorë
PD                    5
PS                    7
Gjirokastër
PD                    2
PS                    3

Në total
PD                    66 deputetë
PS                    62
LSI                    5
Të diskutueshëm                 7

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›