E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Qeveria asnjë plan për fondet e Gërdecit

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka rikthyer sot në vëmendje sërish ngjarjen e Gërdecit. Ai ka kërkuar me ngulm dorëheqjen e kryeministrit, Sali Berisha, si dhe është shprehur se për Gërdecin nuk ka asnjë plan. Nuk dihet as ku kanë shkuar kontributet e Shqiptarëve, që janë hedhur në numrat e llogarisë të qeverisë. Nuk dimë asnjë plan – tha Rama, se çfarë po bëhet për familjet e Gërdecit të cilat e kalojnë natën në çadrat e ngritura në Durrës.

Fjala e plotë e Edi Ramës në konferencën për shtyp

Kemi në krye një kryeministër dhe ministra të papërgjegjshëm, të paaftë dhe të korruptuar, që mes ligjesh kanë krijuar as më shumë e as më pak por një infrastrukturë përfitimesh të frikshme, duke minuar shtetin dhe demokracinë shqiptare.

Kjo tragjedi tregoi në mënyrën më spektakolare e rrënqethëse na tregon se shteti i interesave nuk funksionon.

Duke ndjekur me vëmendje dhe shqetësim orë pas ore e ditë pas dite ecurinë e punës së qeverisë për zbutjen e plagëve që hapi papërgjegjshmëria dhe korrupsioni që ka mbërthyer në fyt këtë maxhorancë, konstatojmë se nuk ka as plan e as transparencë për ti kuruar këto plagë.

Nuk ka asnjë dyshim që Gërdeci do të kishte vënë në vështirësi këdo qeveri sado e aftë të ishte. Berisha duhet të dorëhiqet e të paraqitet në prokurori. Është e turpshme që familjet e ngujuara në godinat e shtetit në Durrës, pas arratisë me rrobat e trupit, të mos kenë akoma sot këpucë e ndërresa për fëmijët, të mos kenë akoma sot mjekim e ilaçe falas për të sëmurët. Si mund të justifikohen mungesa të tilla krejt elementare, kur s’ka familje shqiptare që nuk do të jepte një kontribut sado të vogël për këto familje.

Ku është plani i kompensimit të familjeve, dhe mbi çfarë kriteresh bëhen vlerësimet të këtyre dëmeve. Përveç ankthit e tmerrit të kryeministrit që premton pafund, si ato premtimet elektorale, me të vetmin qëllim që të mbulojë fajin e tij me paratë tona të përbashkëta.

Kjo qeveri nuk duhet të rrijë asnjë minutë më shumë në qeveri. Me çtë drejtë morale kryeministri udhëheq një dyndje të shtetit të nëpunësve, ndërkohë që fondi i emergjencës është fondi i gjithë këtyre shqiptarëve.

Janë plotësisht të kompesueshme me buxhetin e shtetit tonë, që është akumuluar nga buxhetet tona. Kjo paaftësi prej korrupsionit nuk mundëson asgjë tjetër përveç shfaqjes dhe një terapie krejt të pamjaftueshme për të kuruar ashtu siç duhet plagët e rënda të tragjedisë së Gërdecit. Janë hapur ca llogari, dhe nuk dihet fare si janë trajtuar këto kontribute. Të gjithë ata që kanë kontribuar duan të dinë ku po shkojnë paratë e tyre. Unë dyshoj se qeveria ka përgatit ndonjë plan.

Qeveria ka një kryeministër që duhet të japë dorëheqjen jo vetëm për tu paraqitur përpara drejtësisë, por për të sqaruar rolin e tij dhe të njerëzve të tij në zullumin e pashembullt të 15 marsit. Kjo për ti hapur edhe rrugë një qeverie tjetër për të rimëkëmbur atë që u bë në Gërdec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›