Skandali, në pikëpyetje fati i projektit prej 38.6 milionë USD
Banka Botërore është në pritje të përgjigjes nga qeveria shqiptare për vazhdimin e lëvrimit të kredisë në shumën 39 milionë euro për realizimin e projektit. “Projekti u pezullua nga grupi i menaxherëve të Bankës Botërore më 9 janar 2009 dhe vazhdon të jetë i pezulluar derisa të merret një vendim tjetër nëse projekti do të ristrukturohet duke mos përfshirë veprimtaritë e planifikimit të tokës apo do të anulohet plotësisht”, - thotë Kamila Naumah në përgjigjen që dha për mediat dy ditë më parë. Burime zyrtare pohojnë se Banka ka vënë kushtin që të mos përfshihet veprimtaria e planifikimit të tokës në modifikimet që do t’i bëhen projektit. Aktualisht, IDA, institucioni financiar ndërkombëtar që ka dhënë më shumë fonde për projektin, e ka bllokuar fondin e saj prej 17.5 milionë dollarësh derisa të arrihet një marrëveshje mes qeverisë dhe Bankës Botërore. Kostoja totale e projektit llogaritet rreth 38.6 milionë dollarë dhe ka për bashkëfinancues disa vende, organizata dhe institucione financiare. Ndërkaq, pas gabimeve që u vunë re në këtë projekt, nisi një verifikim për projektet e tjera në të gjithë rajonin dhe thuhet zyrtarisht se nuk ka shkelje kaq të rënda si në Jalë në asnjërin prej tyre. Ardhja e tre drejtuesve të Panelit Hetimor të Bankës Botërore u nxit nga Katerina Koka, një shqiptare nga Jala, që punon pedagoge në Toronto të Kanadasë. Ajo ndoqi të gjithë procedurën e denoncimit të kësaj skeme, pasi familjarët e saj ishin prekur nga shkatërrimet. Kësaj here, qeverisë dhe ndërtimorëve u ka ngecur “sharra në gozhdë” pasi prishën shtëpinë e familjes së zonjës Koka, e cila, pasi ka ezauruar të gjitha ankesat në filialin e Bankës Botërore në Tiranë, më tej ka proceduar me denoncimin dhe kërkesën e saj për hetim drejt Panelit të Inspektimit të Bankës. Të gjithë bazën dokumentare dhe ndjekjen e procedurës për këtë ankesë të bërë në emër të banorëve e ka udhëhequr pikërisht Katerina Koka, ndërsa mbi këto dokumente kanë firmosur të gjithë anëtarët e familjeve të prekura nga shkatërrimet në këtë fshat.
Konflikti i interesit, Banka pranoi pas tre vitesh “gafën” me Malltezin
Për herë të parë, Banka Botërore ka pohuar të mërkurën gabimin që është bërë në miratimin e z. Jamarbër Malltezi në pozicionin e koordinatorit të projektit. Sipas saj, “dhënia e moskundërshtimit (no objection) nga ana e grupit të menaxherëve ishte një gjykim i dobët po të konsiderohet se një emërim i tillë do të krijonte të paktën perceptimin e konfliktit të interesit dhe, rrjedhimisht, një rrezik për reputacionin e Bankës Botërore”. Ndër gabimet e tjera janë: mostrajtimi siç duhet dhe mosdokumentimi i Politikës Operative të Bankës “Për shpërngulje të detyruar”; keqinformimi mbi ekzistencën e një marrëveshjeje me qeverinë për një moratorium mbi prishjen me detyrim të ndërtimeve në zonën e projektit. Mes gabimeve të pranuara nga vetë Banka janë edhe reagimi në kohë i BB-së pas prishjes së objekteve dhe informimi jo i plotë nga grupi i menaxherëve në përgjigjen e parë të përgatitur në shtator të vitit 2007. Reagimi i zonjës Naumah për mediat vjen menjëherë pas mbledhjes së Bordit të Drejtorëve të Bankës Botërore në Uashington, ku u pranuan zyrtarisht gabimet e rënda që u bënë dhe u urdhërua që të kompensoheshin të dëmtuarit në Jalë. Ndërkaq, zoti Malltezi ka vijuar gjithë këto kohë akuzat për segmente të caktuara të Bankës Botërore që janë të korruptuara, si dhe ka hequr përgjegjësinë nga vetja për problemet që dolën gjatë realizimit të projektit të bregdetit të Jugut.
27 Shkurt 2009