E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu: “Do të jemi sërish në koalicion me PD-në”



Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka deklaruar dje se kjo parti do të futet në zgjedhjet e ardhshme elektorale në koalicion me Partinë Demokratike. Këtë deklaratë Mediu e ka bërë gjatë një takimi me kryetarët e Asamblesë Rajonale të PR-së në mbyllje të procesit të propozimit të kandidaturave për deputetë të kësaj partie.
“Ne jemi partia e dytë dhe duhet t’i konsiderojmë këto zgjedhje vendimtare për Partinë Republikane dhe të Djathtën, për të patur edhe një mandat të dytë qeverisjeje, në rrugën e reformave të suksesshme, forcimin e shtetit ligjor, vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformat e ndërmarra nga koalicioni qeverisës. Këto zgjedhje do të jenë vlerësuese për punën e bërë gjatë qeverisjes së këtyre katër viteve”, - është shprehur Mediu, ndërsa shtoi se PR-ja do të futet në zgjedhje në koalicion me PD-në. “Ne do të jemi në koalicion me Partinë Demokratike. Marrëdhëniet konkrete elektorale si dhe veprimi politik në këto zgjedhje ngelen për t’u përcaktuar së shpejti”, - ka bërë të ditur Mediu. Në fjalën e tij, kryetari Asamblesë Kombëtare të PR-së, Sabri Godo, përmendi rëndësinë e organizimit për të përballuar me sukses fushatën elektorale si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe përcaktoi afate kohore lidhur me kandidaturat e për anëtarët e KZZ-ve, në respektim të afateve të Kodit Zgjedor.

27 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›