E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banka Boterore: Akuzat e Berishës janë absurde

Reagon Uerner Kiene, Presidenti i Panelit të Inspektimit të Bankës. “Nuk e kuptova pse na akuzoi qeveria juaj për korrupsion dhe ryshfet”

Habjon Hasani

Tiranë - Deklaratat e forta të kryeministrit Berisha ndaj Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore kanë shkaktuar habi edhe te vetë kreu i këtij Paneli, Uerner Kiene. Gjatë një letërkëmbimi elektronik me gazetarin e “Vizion Plus” Edvin Peçi, Kiene u është përgjigjur shkurtimisht akuzave të kryeministrit Berisha, duke i renditur ato në një kontekst të pakuptueshëm dhe të pabazuar nga ana e kryeministrit të vendit tonë. “Paneli i Inspektimit është një grup pune faktmbledhës. Puna jonë karakterizohet nga tre parime: pavarësi, paanshmëri dhe integritet. Nisur nga mënyra transparente me të cilën funksionoi ky Panel dhe raporti përfundimtar i tij, e gjej të pakuptimtë faktin që Paneli është akuzuar për korrupsion dhe ryshfet. Paneli nuk ka pasur objekt të punës së tij huamarrjen që vendi juaj i bëri Bankës Botërore. Ne hetuam implikimin e Bankës Botërore gjatë një procesi ku rezultoi se ishin anashkaluar procedurat dhe rregullat e kësaj banke. Sikundër ju e dini, edhe Bordi i Drejtorëve të kësaj banke e gjeti profesional dhe e miratoi këtë hetim. Ky bord nuk gjeti asnjë lloj “falsiteti” në këtë raport hetimor. Shpresoj që me këto sqarime t’i kem dhënë përgjigje dhe interesimit tuaj”, - shkruan Kiene në e-mailin e tij, vetëm një ditë pasi përfaqësuesja e Bankës Botërore në Tiranë, Kamila Naumah, artikuloi qartazi se “prishjet në Jalë u kryen nga zyra e zotit Malltezi”.
Akuzat
Kryeministri Sali Berisha deklaroi jo më larg se një javë më parë se do t’i kërkonte Bankës Botërore hetim për Panelin e Inspektimit me akuzën se është e lidhur me mafian e betonizimit të bregut. Berisha njoftoi përmes një konference për shtyp se do t’i kërkojë Bankës Botërore të nisë menjëherë hetimet për të zbuluar ata që kanë gabuar në hartimin e projektit, duke theksuar se situata e krijuar është problem i Bankës Botërore. Duke folur për projektin e Jalës, kryeministri e bëri të qartë se qeveria e tij ka zbatuar me përpikmëri projektin e Bankës Botërore. “Banka Botërore bëri transparencën. Ne zbatuam me korrektësi projektin dhe njollat janë vetëm atribute të vendorëve. Qeveria do t’i kërkojë BB-së të hetojë. Do të bëjmë transparencën e veprimeve”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri i vendit kritikoi Panelin e Inspektimit të Bankës Botërore teksa theksoi: “Janë probleme tërësisht të Bankës, Banka në projekt ka parashikuar filmimet dhe anonimet e filmimeve, por në projekt nuk janë parashikuar dëmshpërblimet”.
Naumah
Drejtuesja e Bankës Botërore në Tiranë ka bërë të ditur edhe një herë faktin se ndërtimet në zonën e Jalës nuk janë prishur me urdhrin e këtij institucioni. Në këtë mënyrë, Kamila Naumah ia faturoi përgjegjësinë direkte për prishjen e ndërtimeve zyrës së z. Jamarbër Malltezi, dhëndër i kryeministrit Berisha. “Më 26 mars 2007, Njësia e Koordinimit të Projektit u ka dërguar një letër me kokën e letërkëmbimit të projektit zyrtarëve qeveritarë të nivelit të lartë, përfshirë edhe drejtorin e Përgjithshëm të ish-Policisë së Ndërtimit”, - thuhet në njoftimin informues dhe udhëzues që dha për mediat lokale zonja Naumah. Më tej ajo ka sqaruar: “Policia e Ndërtimit iu përgjigj Njësisë së Koordinimit të Projektit shumë pak kohë përpara fillimit të prishjes së ndërtimeve. Këtë letërkëmbim Banka e mori për herë të parë gjatë kohës kur po kryhej prishja e objekteve”. Naumah ritheksoi gabimet që janë bërë edhe nga vetë Banka që në fillim të projektit dhe në raportet apo statusin e njësisë që drejtohej nga z. Jamarbër Malltezi. Duke cituar raportin e grupit të menaxherëve, drejtuesja e Bankës deklaroi: “Qysh prej fillimit të vënies në zbatim të projektit, grupi i menaxherëve duhej të kishte sqaruar rolin e Njësisë së Koordinimit të Projektit ndaj programit në zbatim e sipër të qeverisë për prishjen e objekteve, duke ditur rreziqet që u kanoseshin objektivave të projektit për shkak të programit të prishjes së objekteve”.

27 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›