E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: “Rama gëzon pse u shemb tuneli. Është një avari normale”



Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, ka reaguar ndaj deklaratave dhe akuzave të kryetarit të PS-së Edi Rama lidhur me shembjen e tunelit të Kalimashit. Olldashi tha se Edi Rama, në mënyrë të paturpshme, është gëzuar për ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë në galerinë jugore të këtij tuneli. Ministri i Transporteve mohoi akuzat e kryesocialistit, sipas të cilit qeveria ka fshehur transparencën në lidhje me këtë ngjarje. Olldashi tha se shembja e tunelit është një avari normale dhe aspak një ngjarje e jashtëzakonshme, pasi një fenomen i tillë ka ndodhur edhe në tunelet e autostradave të mëdha në vendet perëndimore. “Kryetari i Partisë së Bashkisë, në një akt rrugaçërie të pashembullt politik, doli sot përpara shtypit për të shfaqur gëzimin e tij të pakontrolluar për ngjarjen e ndodhur katër ditë më parë në galerinë jugore të tunelit
Thirrë-Kalimash. Është rasti i parë në të gjithë botën demokratike që një drejtues opozite i lejon vetes të ngazëllejë dhe të ngrejë mbi ngazëllimin spekulime të turpshme. Ndaj ngjarjes, qeveria, përmes MPPTT-së, ka mbajtur standardet më të larta të transparencës. Edhe ndaj rrëshqitjes së datës 5 nëntor kemi mbajtur të njëjtin standard transparence. Kemi informuar publikun për çdo zhvillim. Nuk ka asnjë lidhje mes fenomenit gjeologjik dhe kalendarit të punimeve në rrugë. E ritheksoj se rrëshqitja e dheut ka ndodhur në pjesën e pabetonuar të tunelit jugor, i cili nuk është hapur asnjë ditë të vetme për publikun, pasi vazhdon të jetë në ndërtim. Gënjeshtrat e paturpshme të Edi Ramës për gjoja kosto qindramilionëshe janë pa asnjë bazë dhe vijnë vetëm si asociacion i shifrave që kryetari i Bashkisë ka ndërmend për lejet e ndërtimit në kryeqytet. Tuneli do të hapet vetëm kur të përfundojnë punimet e sigurisë dhe të elektromekanikës dhe unë do t’ju ftoj ju që atë ditë t’i kërkoni Edi Ramës që të ripërtypë atë që po nxjerr nga goja sot”, - tha Olldashi.

Imeraj: “Olldashi nuk e sqaroi të vërtetën”

Partia Socialiste i është kundërpërgjigjur menjëherë ministrit të Transporteve, Sokoll Olldashi, ndaj deklaratave të tij reaguese për kreun e PS-së, Edi Rama. Zëdhënësja e selisë rozë, Armela Imeraj, tha se ministri Olldashi, përveçse përdori një gjuhë skandaloze në këtë deklaratë, nuk ishte në gjendje që të sqaronte të vërtetën për atë që ka ndodhur në tunelin e Kalimashit. “Në një përpjekje të turpshme për të mos thënë përsëri të vërtetën, ministri foli për shembje që kanë ndodhur në Francë, në Turqi, në Itali, në Zvicër, madje edhe në Kinë, po nuk tha çfarë ka ndodhur konkretisht në tunelin e Kalimashit. Ndërkohë që ne i rikërkojmë të thotë: Çfarë volumesh janë shembur? Pse janë shembur? Cila është kostoja shtesë e këtyre volumeve? Si edhe të thotë po ashtu pse nuk jepet një informacion korrekt e i detajuar dhe pse nuk lejohet as media të bëjë detyrën e saj karshi publikut. Sa për paturpësinë e rrugaçërinë, zotëria mund t'i gjejë me shumicë në gjuhën e tij tradicionalisht skandaloze, po kurrsesi në kërkesën e llogarisë së opozitës që do të bëhet përditë e më e fortë përballë kësaj keqqeverisjeje që po degradon përditë në keqbërje”, - tha Imeraj.

10 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›