KLSH: Dëmi në buxhet, 70 milionë USD

Kreu i KLSH, Bujar Leskaj
Raporti vjetor i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Janë zhdëmtuar 667 milionë lekë, 9.5 për qind e dëmit total.
Sektorët ku pati më shumë shkelje, nga prokurimet te shpërblimet.
Buxhetit të shtetit i është shkaktuar një dëm 70 milionë dollarë nga praktikat abuzive të administratës. Raporti vjetor i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2011 nxjerr në pah cilët janë sektorët ku është shpërdoruar më shumë. Dëmi ekonomik i konstatuar nga KLSH-ja i përket veprimtarisë ekonomike dhe financiare 2008-2011.
Sektorët
Sektorët ku janë hasur shkeljet më të mëdha janë ato të shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, ndërkohë që edhe në fushën e prokurimeve, vlera shkeljeve nuk është e ulët. Përkundër këtyre dy sektorëve, në atë që KLSH-ja e ka quajtur si sektori të ndryshme, dëmi financiar është i nivelit më të lartë. Në vlerën totale të dëmit ekonomik, peshën dërmuese, me rreth 83.4%, e zënë dëmet e evidentuara në dy shoqëri anonime, përkatësisht Albpetrol sh.a. Fier në vlerën 39 milionë dollarë lekë (shkaktuar nga moslikuidimi i detyrimeve prej 35 milionë dollarësh të rrjedhura nga furnizimi me naftë bruto, gaz natyror dhe hollues deri më datë 31.12.2010 nga kompania ARMO sh.a. (ARMO Oil) dhe 358 mijë dollarë nga moslikuidimi në afat i faturave të shitjes së naftës po nga kjo kompani), vlerëson KLSH-ja. Por, Albpetroli nuk është i vetëm. Operatori i Sistemit të Transmetimit mban një tjetër pjesë të dëmit, që është 19 milionë dollarë dhe lidhet me moslikuidim të shërbimit të kryer për transmetimin e energjisë elektrike për periudhën nga privatizimi i OSSH-së deri më 15.12.2010), gjithsej dëmi nga këto dy shoqëri është 58 milionë dollarë. Në fushën e qiradhënies dhe shitjes së pasurisë shtetërore, shkeljet janë në nivelin 352 milionë lekë, në fushën e prokurimeve 210 milionë lekë dhe në fushën e shpërblimeve 149 milionë dollarë. KLSH ka rekomanduar që dëmi total prej 70 milionë dollarësh që i është shkaktuar buxhetit të shlyhet në masën 100 për qind. Nga vlera e përgjithshme e dëmit ekonomik prej 70 milionë dollarësh rekomanduar për shpërblimin e dëmit të evidentuar, deri në fund të vitit 2011 janë nxjerrë urdhrat përkatës për shpërblimin e dëmit dhe janë në proces arkëtimi rreth 667 milionë lekë, ose në masën 9.5% të vlerës gjithsej të rekomanduar për shpërblim dëmi, thuhet në raportin e KLSH-së.
Masat
Përgjatë vitit të kaluar, lidhur me shkeljet që janë hasur në administratë, KLSH-ja ka bërë edhe rekomandimet e saj, të cilat rezultojnë të jenë në një nivel më të ulët realizimi sesa në vitin 2010. Në këtë raport, shkak për këtë rënie konsiderohet mungesa e vëmendjes nga kontrollorët e KLSH-së për të ndjekur nga afër zbatimin. Niveli i zbatimit të masave rekomanduese në vitin 2011, krahasuar me një vit më parë, rezulton me ulje. Kjo dëshmon mosvëmendjen e duhur të KLSH ndaj ndjekjes dhe kontrollit të zbatimit të masave të propozuara prej tij. Më konkretisht, masat organizative në vitin 2011 janë realizuar në masën 68%, nga 82.3% rezultuar një vit më parë; masat administrative 67.9%, nga 85.9%; masat disiplinore 77%, nga 78% në vitin 2010. Shkaqet e rënies së nivelit të realizimit të rekomandimeve janë nga më të ndryshmet, por ndër kryesoret paraqitet rënia e kërkesës së llogarisë dhe përgjegjshmërisë në punë të punonjësve të aktivitetit kryesor (kontrollues) dhe drejtuesve të departamenteve, thuhet në raport. Gjatë vitit 2011, KLSH-ja dha 1605 masa të rekomanduara gjithsej, nga të cilat janë zbatuar plotësisht 1093 prej tyre, pjesërisht 15, në proces 184 dhe nuk janë zbatuar 278 masa, ndërkohë që 35 nuk janë verifikuar nga KLSH. Ajo që theksohet në raport është fakti që këto masa cilësohen si të lehta dhe se ka pak kallëzime në Prokurori.
Dëmi i evidentuar nga KLSH
Dëmet sipas sektorëveNë fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore 352 milionë lekë
Në fushën e prokurimeve publike 210 milionë lekë
Në sektorin doganor 184 milionë lekë
Në fushën e shpërblimeve 149 milionë lekë
Në fushën e urbanistikës 87 milionë lekë
Në sektorin e tatim-taksave 49 milionë lekë
Në fushën e sistemit të pagave 36 milionë lekë
Në fushën e shpenzimeve operative 25 milionë lekë
Mungesë materiale 55 milionë lekë
Në fusha dhe sektorë të tjerë 5,9 miliardë lekëDëmet e zbuluara nga departamentet
Departamenti i Kontrollit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja, Shoqërive Publike e Mbrojtjes së Mjedisi 6 miliardë lekë
Departamenti i Kontrollit të Buxhetit Qendror,
të Institucioneve të Administratës së Lartë
Publike dhe Mbikëqyrjes së Auditimit të
Brendshëm 420 milionë lekë
Departamenti i Kontrollit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Administrimit dhe Privatizimit të Pronës Publike 327 milionë lekë
Departamenti i Kontrollit të të Ardhurave të Buxhetit të Shtetit 185 milionë lekë
ALUIZNI, 43 mijë dosje me gabime
Raporti i KLSH-së, pas kontrollit në Agjencinë e Legalizimeve, ka nxjerrë në pah shkelje të shumta. Rreth 43 mijë parcela ndërtimore të miratuara për legalizim rezultojnë të jenë me mangësi të dukshme në dokumentacion. KLSH vëren se në disa raste personat që kanë vetëdeklaruar për të legalizuar parcelë nuk rezultojnë si përfitues më vonë.
NERTILA MAHO