E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shërbimi ndaj personave me aftësi të kufizuara, vjetërsi pune

 

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u takua dje me persona me aftësi të kufizuara në periferi të kryeqytetit, për të vazhduar prezantimin e Programit të ri qeverisës të PS, e posaçërisht kapitullin që i përket kësaj kategorie. Gjatë prezantimit të këtij kapitulli Rama theksoi se së pari do të rishikohet sistemi i vlerësimit të paaftësisë, duke kaluar nga një vlerësim thjesht mjekësor, në vlerësim mjekësor dhe social. “Individët që u shërbejnë personave me aftësi të kufizuara, vitet që kalojnë pranë tyre do t’u llogariten si vite pune për efekt pensioni”, deklaroi Rama. Kreu i Ps-së gjatë prezantimit të programit edhe tek karburanti që u duhet për lëvizje kësaj kategorie të shoqërisë. “Ne do ta rritim shumën e rimbursimit të karburantit për ju e për ata që si ju kanë nevojë për mbështetjen e shoqërisë, duke siguruar që pavarësisht ndryshimit të çmimit të karburantit, çdo person me aftësi të kufizuar, të mund të blejë të njëjtën sasi karburanti që i nevojitet. Periudha në shërbim të personave me aftësi të kufizuar, do të njihet si vjetërsi pune për efekt të pensionit të pleqërisë”, deklaroi Rama. Ai shtoi se “për të gjithë shqiptarët do të krijojmë Kartën Sociale, e cila do të sjellë një revolucionin që Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë”. “Ne nuk jemi dhe nuk do të jemi në këtë garë për të konkurruar me tregtarët profesionistë të gënjeshtrave dhe për të ngritur lart e më lart zërin në pazarin e vjetër politik të këtyre 18 vjetëve, ku janë tregtuar gënjeshtra pafund, ku janë tregtuar premtime pafund, ku janë krijuar iluzione pafund, të cilat kanë pasur më pas si rezultat zhgënjimin e pafundmë të qytetarëve e qytetareve të këtij vendi”, theksoi lideri i PS-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›