E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Punësimi Jetik”, ulje taksash biznesit për çdo të punësuar

 

Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi një takim mjaft entuziast me qindra banorë të Kamzës. Në fjalën e tij, Meta deklaroi se “ne kemi programin e “Punësimit Jetik”, që përmes programeve të nxitjes së investimeve publike pranë komunitetit, do t’i ofrojë mundësi çdo anëtari të një familje, që nuk ka të punësuar diku, të ketë mundësinë të kontribuojë për familjen e tyre për të dalë nga varfëria”. “Për çdo vend të ri pune që do të krijohet ne do të stimulojmë në mënyrë konkrete biznesin, duke e lehtësuar nga taksat dhe tatimet. Për çdo vend të ri pune, ne do të shprehim mirënjohjen tonë biznesit vendas apo të huaj jo me fjalë, por me politika konkrete, tatimore dhe fiskale. Pra, për çdo biznes të ri, që do punësojë më shumë sesa pesë veta ne do t’u heqim tatim fitimin për disa vite”, deklaroi Meta. Ai theksoi se “ne jemi të sigurt se me politika konkrete dhe me vepra konkrete do të arrijmë që t’u japim mundësi të gjithë shqiptarëve, që sot janë të përjashtuar nga kjo e drejtë. Ka mbaruar koha e fjalëve boshe. Me demagogji dhe me hartime shqiptarët nuk mund të jetojnë më mirë. Është koha për veprim, ndaj votoni për LSI-në”. Meta u shpreh se është e domosdoshme që Kamza dhe Bathorja t’i nënshtrohen urgjent një procesi dhe një masterplani urbanistik dhe integrimi. Eshtë e nevojshme që këtij masterplani t’i paraprihet me përfundimin e shpejtë dhe pa dallime politike procesi i legalizimit, në mënyrë që të gjithë të gëzojnë shtëpitë e tyre, që i kanë ndërtuar me mund dhe sakrifica. Kreu i LSI deklaroi se forca e tij politike është pro rrugës Durrës-Kukës. Ai shtoi se përfundimi i kësaj rruge do t’i bashkojë shqiptarët dhe do i integrojë me njëri-tjetrin si një komb i vetëm. “Shqipëria ka nevojë për të çuar përpara projekte që i bashkojnë shqiptarët, ashtu sikurse ka nevojë dhe për të bërë Rrugën e Arbrit”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›