E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Bojkoti jo për interes personal, por për të mbrojtur demokracinë”



Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, hodhi poshtë akuzat e bëra në drejtim të tij dhe të PS-së se bojkoti parlamentar po ndodh për shkak të interesave personale. Ai tha se ky qëndrim i Partisë Socialiste është një betejë madhore në funksion të mbrojtjes së demokracisë. “Qëndrimi ynë ka të bëjë me një përparësi madhore dhe beteja jonë është një betejë për t’i dhënë një cilësi të re dhe të domosdoshme jetës demokratike në Shqipëri dhe për t’i shpëtuar njëherë e mirë zgjedhjet në Shqipëri nga të gjitha ato deformime që i komprometuan zgjedhjet që lamë pas. Ky është thelbi dhe vlera e qëndrimit tonë. Synimi ynë themelor është që të mos kemi më zgjedhje si këto që lamë pas dhe të garantojmë që nuk ndodh përsëri ajo që ndodhi më 28 qershor, edhe pse ne, ku jeni dëshmitarë të gjithë, bëmë gjithçka që Shqipëria të mos e humbte shansin e 28 qershorit”, - tha Rama.

Çfarë përmbajnë kushtet e Partisë Socialiste

Miratimi i një ligji nga Kuvendi për hetimin administrative të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Ngritja e një komisioni hetimor parlamentar që do të bëjë hetimin e zgjedhjeve.
Komisioni të drejtohet nga opozita parlamentare dhe shumica t’i përkasë asaj.
Në komision të jetë e pranishme edhe OSBE-ODIHR-i.
Sigurimi i transparencës për çdo pretendim për rezultatin në zonat zgjedhore.
Transparenca të sigurohet me anë të administrimit të çdo materiali zgjedhor, dëshmie, apo dokumenti që lidhet me zgjedhjet, përfshirë edhe materialet zgjedhore që janë në kutitë e votimit.
Vënien para ligjit të zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Drejtorisë së Burgjeve, të cilat dhanë leje për të dënuarit gjatë fushatës.
Rikthim në puna të nëpunësve të shtetit, të cilët u shkarkuan gjatë dhe pas fushatës për motive politike.
Vënien përpara përgjegjësisë të funksionarëve publikë, të cilët shpërdoruan postet dhe asetet e administratës publike, duke i vënë në funksion të fushatës së PD-së.
Balancim të plotë qeveri-opozitë në Këshillin Kombëtar të Radio Televizionit Publik.
Ndalimin e reklamave televizive qeveritare jashtë periudhës zgjedhore.
Përshpejtim të hetimeve për zbardhjen e vrasjes së deputetit Xhindi me asistencë ndërkombëtare.
Garantimi i partitetit numerik maxhorancë-opozitë në përbërjen dhe drejtimin e komisioneve të përhershme të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›