E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha sfidon SHBA-në: Shqipëria, hapa para

 

Kryeministri Sali Berisha i përgjigjet shqetësimit të ndërkombëtarëve, duke mos pranuar asnjë nga vërejtjet

TIRANË- “Unë nuk kam humbur asnjë mik, as në SHBA dhe as në Ambasadën e tyre në Tiranë”,- ka qenë përgjigja e kryeministrit Berisha dje nga Shkodra, pasi është pyetur për shqetësimet e diplomatëve amerikanë në Shqipëri. Berisha nuk ka preferuar t’i përgjigjet më shumë interesit të medieve për këtë problem, ndërsa për raportet e qeverisë me institucionet e tjera, Berisha ka theksuar se institucionet nuk kanë qenë kurrë më të pavarura sesa janë sot. “Në gjykimin tim, institucionet nuk kanë qenë kurrë më të pavarura. Debatet janë debate, janë konstante të demokracisë. Standardet janë standarde dhe për këtë qeveria është e vendosur që të vendosë standardet më të mira. Debatet janë konstante e pandryshueshme e një shoqërie të lirë, por nga debati tek standardi, janë dy gjëra të ndryshme. Standardi ka qenë dhe është qëllim madhor i kësaj qeverie. Çdo gjë do të ketë standard”,- tha Berisha. Në këtë mënyrë Berisha sfidoi dje me qëndrimin e tij, reagimin e ardhur nga burimet diplomatike të Ambasadës Amerikane në Tiranë, duke vijuar më tej me deklaratën e tij, se Shqipëria po bën dhe do të vazhdojë të bëjë hapa para. “Shqipëria, jam i sigurt se po bën dhe do të bëjë hapa para. Ka debate për probleme të ndryshme. Për shembull, pati debate dhe përplasje për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, por ky debat solli një procedurë bilaterale, siç ua paralajmërova, më transparente dhe Parlamenti Shqiptar votoi si një nga parlamentet më të mira dhe futi seancën e dëgjimit. Presidenti bëri hapat e tij dhe futi një proces transparent para qytetarëve,- u shpreh ai.- Unë mendoj se Shqipëria do të vlerësohet nga standardet. Shqipëria, jo që nuk do të bëjë hapa prapa, por do të bëjë shumë hapa përpara. Ky është zotimi im para shqiptarëve, para partnerëve, miqve dhe aleatëve tanë, dhe para të gjithë atyre që e duan dhe e mbështesin në rrugën e integrimit Euroatlantik”, - tha Berisha. Ndërkohë, zona e Nënshkodrës ka qenë destinacioni i vizitave e përurimeve të djeshme të kryeministrit Sali Berisha. I shoqëruar nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, ministri Transporteve, Sokol Olldashi, dhe deputetë të Shkodrës, mes të cilëve dhe deputetët e grupit të qendrës, Pashk Ujka dhe Paulin Sterkaj, kryeministri Berisha është ndalur në komunat Bushat, Berdicë, Dajç e Velipojë. Landfilli i Bushatit, një projekt ky me një vlerë 600 milionë lekë, ka qenë dhe ndalesa e parë e kryeministrit Berisha, e cila ka përfunduar ditën e djeshme me inaugurimin e përfundimit të rrugës së Luarzit dhe asaj Plazh Velipojë-Vilun.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›