Mungesa e anëtarëve të PS në KQZ, Ristani u nis letër
Katër anëtarët e propozuar nga PD kërkojnë arsyet e mungesave të kolegëve të tyre. Vetëm pas përgjigjes, mund të kërkohet shkarkimi i tyre sipas Kodit Zgjedhor
Dy nga tre anëtarët e opozitës, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, rrezikojnë seriozisht të humbasin mandatin e tyre. Nënkryetarja, Dëshira Subashi, dhe anëtari tjetër i propozuar nga PS, Artan Lazaj, si dhe ai i propozuar nga PSD, Pandeli Varfi, nuk kanë marrë pjesë as në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, duke shënuar kështu mungesën e katërt radhazi, çka përbën dhe shkelje të përsëritur të Kodit Zgjedhor. Pikërisht kjo shkelje ka shqetësuar anëtarët e djathtë të këtij komisioni, të cilët kanë kërkuar shpjegime për mungesën e përsëritur dhe marrjen e masave konkrete, në rast se ato janë pa një motiv të mirëqenë.
Mbledhja
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar dje mbledhjen e tij të radhës, duke miratuar modelet për ankimimet administrative që mund të bëhen për zgjedhjet e ardhshme vendore, ku natyrisht është theksuar se hetimi administrativ do të nisë vetëm duke pasur fakte, apo grup fakte, nga ana e subjekteve politike që do të marrin pjesë në zgjedhje. Por, ashtu si dhe ne, tre mbledhjet e fundit, edhe dje anëtarët e majtë të KQZ-së nuk kanë marrë pjesë në mbledhje, çka duket se ka të bëjë pikërisht me një vendim politik të opozitës, për të mos njohur më këtë institucion dhe punën që ai kryen. Ky fakt nuk është lënë pa u vënë re nga anëtarët e djathtë të këtij institucioni, të cilët kanë evidentuar faktin se tashmë kolegët e tyre të majtë kanë shkelur Kodin Zgjedhor dhe ndaj tyre duhet marrë masa që parashikon ligji zgjedhor, pra ndërprerja e mandatit. “Kjo më bën të them se është shkelur Kodi Zgjedhor, konkretisht neni 18. Ndaj të lutem të marrim një informacion, pse mungojnë se unë nuk i di shkaqet, se duke i pasur kolegë, duke parë dhe rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë periudhë, që jemi në proces të përgatitjes së zgjedhjeve vendore, kërkohet dhe kontributi i tyre”, - tha anëtari i KQZ-së, Hysen Osmanaj. Lidhur me këtë shqetësim ka reaguar edhe kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili ka sqaruar se tashmë ka nisur procedurën zyrtare, për të kërkuar fillimisht prej tre anëtarëve “rebel” arsyet përse nuk kanë marrë pjesë në katër mbledhjet e fundit të KQZ-së. “Unë kam komunikuar zyrtarisht me ta, me një shkresë, ku u kërkoj arsyet e mungesës. Menjëherë sapo të marrë përgjigjen, do t’ua vë në dispozicion”, - tha Ristani.
Kodi
Vetëm pas kësaj përgjigje, KQZ pritet të marrë një vendim nëse do të nisë zbatimin e procedurës që parashikon Kodi Zgjedhor në nenin 18 të tij, ku dhe parashikohet propozimi ndaj Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve që mungojnë në dy mbledhje rresht dhe pa arsye. “Mandati i anëtarit dhe Kryetarit të KQZ-së përfundon përpara afatit kur mungon, pa shkaqe të arsyeshme, në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë. Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së bëhet me vendim të Kuvendit, pas propozimit të KQZ-së. KQZ-ja është e detyruar të fillojë procedurën për propozimin e shkarkimit, jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për shkakun”, - sanksionon neni 18 i këtij Kodi. Por nga një zbatim i këtij neni, duket se rrezikojnë vetëm dy anëtarët socialistë të KQZ-së, Dëshira Subashi dhe Artan Lazaj, pasi anëtari socialdemokrat, Pandeli Varfi, siç edhe thanë vet anëtarët e djathtë dje, është në gjendje jo të mirë shëndetësore. “Unë di që zoti Varfi është i sëmurë dhe i uroj shërim të shpejtë, por dy kolegët e tjerë nuk di pse mungojnë”, - tha anëtari demokrat i KQZ-së, Hysen Osmanaj, dje gjatë mbledhjes.