E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrohet 25-vjeçari për një celular

 

Dritan Bekteshi është gjetur i vdekur në Breg të Lumit. U vra me dërrasë nga shoku i tij

TIRANË- Një 25-vjeçar masakrohet për një celular. Ngjarja e rëndëka ndodhur në orët e vona të së mërkurës, pranë Bregut të Lumit në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë, kur Dritan Bekteshi dhe Gentian Manushaqi, të moshës 25-vjeç janë zënë me njëri-tjetrin për një celular. Manushaqi ka goditur me një dërrasë dy herë në kokë shokun e tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Më pas i riu është larguar, ndërsa trupi i pa jetë i shokut të tij u gjet në orët e para të ditës së djeshme nga kalimtarë të rastit, të cilët lajmëruan policinë. Forcat e komisariatit nr.4 dhe oficerët e zyrës së vrasjeve, pranë policisë së kryeqytetit mbërritën në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e provave. Për disa orë 25-vjeçari mbeti i paidentifikuar, ndërsa zbulimi i identitetit të tij pasoi me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes si dhe autorit, i cili përfundoi në pranga. Manushaqi ka rrëfyer në polici të gjithë mekanizimin e ngjarjes. Sipas policisë, dy shokët kishin qëndruar për disa orë në një lokal mbrëmjen e së mërkurës, ku Dritan Bekteshi ka treguar se donte të shiste një celular. Manushaqi i ka thënë se një miku i tij që banon tek Bregu i Lumit donte të blinte celular. Kështu dy shokët janë nisur për të shitur celularin. Por gjatë rrugës mes tyre ka nisur një sherr për këtë objekt. Kur ndodheshin tek Bregu i Lumit, Manushaqi ka rrëmbyer një dërrasë dhe ka qëlluar pas koke shokun e tij i cili gjeti vdekjen e menjëhershme. Autori ka shkuar qetësisht në banesën e tij pranë pallateve 9-katëshe dhe të nesërmen ka shkuar në punë, pranë një parkingu ku ishte roje. Ndërkohë që familjarët e viktimës megjithëse nuk kishin mësuar për motivin që Dritani nuk po kthehej në shtëpi nuk janë alarmuar për të lajmëruar policinë. Gentian Manushaqi u arrestua në vendin e punës. Burime nga policia thanë se ai ka pranuar krimin duke zbardhur dhe mekanizmin, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dërrasa me të cilën i arrestuari masakroi shokun e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›